Formula për fituesit e rinj të 2020-s në Fakultetin e Shkencave Sociale

redaktor

Kur ka mbetur edhe një muaj nga zhvillimi i provimeve të Maturës Shtetërore 2020, fakultetet nga ana tjetër po detajojnë kriteret mbi të cilat do të përzgjidhen fituesit e rinj për programet e studimit të nivelit të parë “Bachelor” për vitin e ri akademik 2020-2021.

Për të vijuar studimet e larta në një nga 6 programet e nivelit të parë në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, degët e të cilit janë ndër më të preferuarat në radhët e maturantëve për garën e këtij viti do të aplikohen tre kritere që janë: mesatarja e gjimnazit, mesatarja e provimeve të Maturës Shtetërore, si dhe ajo e lëndëve formuese preferenciale.

Gara në këtë fakultet do të zhvillohet për pranimet në gjashtë programe të ndryshme studimi. Konkretisht, maturantët do mund të garojnë për këto degë: Psikologji, Administrim dhe Politikë Sociale, Filozofi, Punë sociale, Sociologji, si dhe Shkenca Politike.

Referuar formulës së përcaktuar, shanset më të mëdha për të qenë fitues në këto degë i kanë maturantët e shkollave të mesme të përgjithshme dhe seksioneve dygjuhëshe, pasi profilet e këtyre shkollave vlerësohen me koeficientin maksimal 1.4. Llojet e tjera të shkollave të mesme do të vlerësohen me koeficient më të ulët. “Shkollat e kategorive pedagogjike, gjimnaz gjuhësor, shërbimet sociale dhe shëndetësore, si dhe shkolla administrim biznes kanë koeficientin 1.2. Gjithë shkollat e tjera të kategorive profesionale kanë koeficientin 1”, sqarojnë ekspertët e këtij fakulteti.

Kriteri 1

Autoritetet e Fakultetit të Shkencave Sociale bëjnë me dije se mesatarja e shkollës së mesme vlerësohet me 40 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj që do të pranojnë për vitin akademik 2020-2021 në të gjitha programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”. Në këto kushte, 40 për qind të pikëve finale maturantët do t’i sigurojnë nga ky kriter.

Kriteri 2

Edhe provimet e Maturës Shtetërore janë shumë të rëndësishme në garën e konkurimit për fituesit e rinj të 2020. Nota mesatare aritmetike e provimeve të detyruara dhe lëndës me zgjedhje vlerësohet me 30 për qind të ndikimit në përzgjedhjen e fituesve të rinj të këtij viti. Sa i takon këtij kriteri saktësohet se  për maturantët që japin provim me zgjedhje lëndët Qytetari, Psikologji ose Filozofi-Sociologji do të aplikohet koeficienti 1.2. Ndërsa për maturantët që nuk japin një nga këto lëndë në provimet me zgjedhje, konfirmohet se gjatë llogaritjes së rezultatit final do të aplikohet koeficienti 1.

Kriteri 3

Kriteri i tretë që do të aplikohet në shpalljen e fituesve është vlerësimi i mesatares së lëndëve formuese që janë përcaktuar si prioritet vetëm për garën e pranimeve në degët e këtij fakulteti. Sipas vendimit të marrë, nota mesatare aritmetike e gruplëndëve formuese në shkencat sociale përbën 30 për qind të ndikimit në përzgjedhjen e fituesve të rinj. Këto lëndë janë Qytetari dhe Filozofi (kurrikul bërthamë klasa 10 e 11), si dhe Psikologji dhe Sociologji (kurrikul me zgjedhje, klasa 12).

Sa i takon këtij kriteri saktësohet më tej se për maturantët që kanë zgjedhur në klasën e 12-të si lëndë me zgjedhje Psikologji ose Sociologji, ose të dyja, aplikohet koeficienti 1.2. Ndërsa maturantëve që nuk kanë zgjedhur në klasën e 12 si lëndë me zgjedhje Psikologji ose Sociologji, ju llogaritet thjesht mesatarja e lëndëve të zhvilluara nga fusha e shkencave sociale (kurrikul bërthamë, Qytetari dhe Filozofi, klasa 10 dhe e 11).

Gjatë ditëve në vijim pritet të bëhen publike edhe kuotat e mundshme të pranimit për secilën degë të Fakultetit të Shkencave Sociale, si dhe tarifat që do të aplikohen për fituesit e vitit të ri akademik. Ndërkohë që përgjatë vitit të shkuar në këto programe janë realizuar 580 kuota pranimi.

Formula për fituesit e 2020-s

Rezultati 1 = (Nota mesatare aritmetike e shkollës së mesme x 0.4)

Rezultati 2 = (Nota mesatare e provimeve maturës shtetërore x 0.3)

Rezultati 3= (Nota mesatare e gruplëndëve formuese x 0.3)

Rezultati Total = (Rezultati 1 + Rezultati 2 + Rezultati 3 ) x 100 x koeficienti i shkollës.

 

Koeficienti i shkollës së mesme

  • Shkollat e kategorisë Gjimnaz dhe Gjimnaz Seksioni dy gjuhësh shqip – italisht, shqip – gjermanisht dhe shqip- frëngjisht kanë koeficientin 1.4.
  • Shkollat e kategorisë Pedagogjike, Gjimnazi Gjuhësor, Shërbimet Sociale dhe Shëndetësore dhe Shkolla Administrim- Biznes kanë koeficientin 1.2.
  • Të gjitha shkollat e tjera të kategorisë profesionale kanë koeficientin 1.

 

Sipas kushteve të përcaktuara në Ligjin e Arsimit të Lartë, programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor” në këtë fakultet synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh.

Programet e studimit të ciklit të parë realizohen, si rregull, me 180 kredite europiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e fakultetit për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.

 

 Pranvera Kola\Dita

Share This Article
1 Comment
  • Duhet te jemi shume mire ne lenden e matematikes per te vazhduar per Shkenca Poloitike,apo nuk ka te beje matematika ne kete dege?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *