Pas Italisë është Anglia që përfshihet në çështjen e trukimeve duke rikthyer drithërimet në botën e futbollit për manipulimin e sfidave. Gjashtë persona janë arrestuar në Britaninë e madhe për trukimin e ndeshjeve në kampionatin anglez, më ekzaktësisht të Football Conference, që është liga e pestë e futbollit në vend. Arrestimet u kryen pas sinjalizimeve të marra nga Prokuroria e Singaporit, që kishte nisur hetimin disa muaj më parë lidhur me këtë çështje. Sipas “Daily Telegraph”, që ishte dhe gazeta që publikoi e para dyshimet për trukimin e sfidave, ndeshjet manipuloheshin për një shumë deri në 50 mijë Paund, dhe fitimet ishin kolosale aq sa arrinin deri në miliona Paund duke parë ngarkesën e basteve në takimet e këtij kampionati.
Trukimet
Sipas asaj që raporton “Telegraph”, e cila pak ditë më parë publikoi dhe bisedën e një gazetari të saj në Manchester, me një prej personazheve të përfshirë në këtë çështje, i cili është dhe futbollist, ndeshjet trukoheshin duke iu referuar sasisë së golave të shënuar. Në bisedën e publikuar nga “Telegraph”, futbollisti pasi merr pagesën i kërkon gazetarit sesa është sasia e golave që ai kërkon të shënohet në këtë takim, tre, katër, pesë, gjashtë apo shtatë dhe në fund marrëveshja mbyllet për jo më pak se katër gola të realizuar. Në krye të rrjetit të manipulimit të ndeshjeve mendohet se qëndron një biznesmen nga Singapori me emrin e Dan Tan Seeteng, i cili u arrestua në vendin aziatik gjatë muajit Shtator. Ky i fundit mendohet se ka manipuluar më shumë se 150 takime në mbarë botën, përfshi dhe ndeshje të ligës italiane, hungareze, finlandeze dhe nigeriane. Emri i Tan për herë të parë u përmend në vitin 2010, pas arrestimit të një bashkëpunëtori të tij në Finlandë, i quajtur Wilson Raj Perumal. Madje dhe në bisedën e publikuar nga “Telegraph” përmendet sërish emri i Perumal, aq sa futbollisti thekson se ai është “shefi i tij”. Perumal mendohet se është aktualisht bashkëpunëtori kryesor i Interpolit në luftën ndaj organizatave kriminale të përfshira në trukimin e ndeshjeve. Gjithsesi policia britanike, Interpoli dhe “Telegraph” garantojnë se ndeshjet e Premier League nuk janë trukuar.
