Bota do të shkundej më vonë nga emri i saj. Poezia ruse dhe botërore do të ishte e mangët pa Cvetajevën, shumë herë të dënuar nga sunduesi. E linçuar, e harruar, e ndaluar. Njëzet vite pas vdekjes së saj nis e pëshpëritet emri i saj edhe një herë, rishtas. Ekziston një mundsi riardhje. Akujt po shkriheshin, por do të mbetnin copra të tij. Në këtë klimë reabilitohet poetja dhe librat e saj. Por humbjet e mëdha nuk do ia kthente askush.
Poezia e saj është gjithë dritë, shkëndijim e zjarr, ka çkujdesje, trishtim dhe ringritje; ajo është medituese dhe rebele, e trishtë dhe gjithë pezm, por edhe plot dashuri. Edhe kur rënkon nga dhimbja përsëri poezia e saj është e dritshme, sepse është pjesë e shpirtit të saj, ajo që ka brujtur në vete gjatë dhe pa u penguar nga rrethojat e skajshme.
Gjithë jeta e saj kishte qenë tragjike dhe epike në të njëjtën kohë, ndërsa poezia e saj brilante. Kurdoherë në një gjendje pasigurie, por edhe të rëndë. Nëse në letërsinë tonë do të duhej të gjenim një prngjashim të saj, atëherë mendimi ynë i parë shkon tek Musine Kokallari, një simbiozë e habitshme e jetës së vështirë , të mundimshme, kaluar përmes tragjedive të vdekjeve dhe ngurosur në portretin e një kohe mizore.
Nuk gjen prehje askund: është e huaj për të gjithë, sidomos për entuziastët e revolucionit, dhe të gjithë duken të huaj për të. Kur vendos të largohet nga Rusia, ishte viti 1922, e dinte se kthimi do të ishte i vështirë, por ndjenja e saj nuk kishte të bënte vetëm me rebelimin; më shumë ajo po shkonte drejt lirisë, pa e ditur se çfarë do të ndodhte me jetën e saj.
Libri i saj “Shtojzavallja” ishte portreti i saj, përshfaqja e Marinës si një shtojzavalle ishte e njëjtë, edhe në Moskë, edhe në Berlin, edhe në rrafshirat ruse , edhe në mesin e Parisit; ajo ishte poetja me karakter të vështirë, nga edhe i vinin vuajtjet pafund, por edhe e panënshtruar dhe nga mosnënshtrimi gjente kenaqësinë e qendresës.
Në vitin 1922, kur gjeti të shoqin e saj, Seriozha Efronini, edhe ai njeri i pasionuar pas poezisë, Marina kërkoi nga qeveria sovjektike t’i jepej leja për të lënë Rusinë e saj.
Ajo e dinte se kjo Rusi, një e gjashta e botës, ishte më tepër e saj se sa e sovjetëve, por , habitërisht për të gjithë ata që prisnin prej saj shpërthimin, sidomos pas largimit, nuk ndodhi asgjë.
Ajo mishte marrë me vete dorëshkrimin e librit poetik “Tufa e mjellmave”, të cilin e depozitoi në një bankë në Bazel. Në të 17 vitet që ajo qëndroi në emigracion, megjithë lutjet e botuesve, nuk pranoi ta botonte, sepse Rusia ishte e saj dhe se ata që kishte ajo me shefat e përgjakur rusë ishin mes saj dhe atyre. Libri i saj u botua në vitin 1958, në Mynih dhe askush nuk e di ende se si botuesit arritën të marrin librin e saj, por ajo tashmë nuk ishte më.
Fati i saj ka qenë tragjik. Vetmia e saj ishte homerike. Rreth e rreth saj kishte shkretëtirë dhe poezi. Asnjëra nuk e bënte të ishte Marina e nënshtruar dhe nga asnjëra ajo nuk kërkoi kurrë haraç.
Kishre ditë të tëra, edhe kur ishte në emigracion, që mund të vdiste urie. Në mjerimin e saj me të shoqin, vajzën që bënte skufje për zonjat mondane dhe të birin, ajo u bë poetesha e parë e Rusisë, të cilën e kishte dashur, e kishte braktisur dhe ku ishte kthyer për të riparë netët polare petërburgase, dimrin magjik moskovit, e për tu kredhur në një vetmi mjeruese. Moska nuk ishte më e saj. Ajo nuk e donte më këtë Moskë dhe shkruan se ” Nuk dua të rroj në Betlehemin e antinjerëzve. Me ujqërit e shesheve nuk pranoj të ulërij…”
Edhe fundi i saj ishte tragjik. Menjëherë pas kthimit në atdheun e saj i sëmurë nga një jetë tallazesh, i shoqi vdiq. I biri vritet në frontin e luftës. E bija ishte mijra kilometra larg.
Jeta kishte mbyllur siparet e saj. Cvetajeva, poetesha e pazakontë me zërin e saj rebelues e njëkohësisht magjepës, vari veten, në nj qytet ku e kishin dëbuar, Elaburg, për të cilin nuk kishte shkruar as jë rrjesht.
Dikur ajo kishte shkruar se “Bota endacake e ka zanafillën në mjegull….vetëm unë dua të fle në gjoksin tënd si e vdekur..”
Pushoi më në fund vuajtja e saj.
Kishte qenë një jetë si e pak kujt dhe e mbushur me poezi dhe art. E kishte mbijetuar pasionin, britmat, përndjekjen, vetminë, urinë e tmerrshme, hakmarrjen, kërcënimet, arratinë e terrte dhe mjegullën e botës së saj, por jetën e kishte dashur.
“Në jetë, sikurse në libër, ajo hidhej me padurim, e etur, thuajse me pangopësi drejt përfundimtares dhe përcaktueses; ajo shkoi shumë larg në këtë udhë, madje shkoi përtej të gjithëve. Ajo shkroi shumë gjëra të panjohura për ne, vepra të jashtëzakonshme dhe plot pasion. Botimi i tyre do të jetë një triumf i shkëlqyeshëm për poezinë e vendit tonë”. (Pasternak)
Ka një varr të zakonshëm, por që është gjithnjë i mbushur me trëndafila të bardhë dhe të kuq.
Ajo kishte shkruar dikur pas vdekjes së Majakovskit se ” jetoi si njeri dhe vdiq si poet”, dhe, jo shumë vite më vonë, kishte bërë të njëjtën gjë, jetën e saj e kishte mbyllur si poeteshë.
Trëndafilat e bardhë janë ende si ëndrrat e saj, por jeta ishte e përgjakshme.
Rralë herë më është ndalur fryma nga poezia.
Edhe tani e kujtoj atë çast kur i thashë vetes për poeten që nuk e kisha njohur: Çfarë çmendurie paska qenë!
Bedri Islami

Artikull I shkelqyer ,me vjen shume keqe qe autori shkruan artikuj politikdhe nuk vazhdon me kete talent
Ja nji shkrim i stilit Migjenian,qe une e lexova deri ne fund dhe shijova magjine e poezis ,duke u njohur me nji poete te panjohur dhe fundin e saj tragjik ,si te shume bashkekombasve te saj!!