Paga mesatare, rënie ne terma realë

anazapta

Indeksi i pagës mesatare në ekonomi regjistroi rritje në gjashtëmujorin e parë të vitit, pas tkurrjes së regjistruar gjatë vitit 2012, kjo sipas raportit të politikës monetare të tremujorit të tretë të Bankës së Shqipërisë. Rritja e këtij treguesi ishte kryesisht e përqendruar në tremujorin e parë  që ishte 5.9 për qind, ndërsa në tremujorin e dytë rritja ishte vetëm 0.3 për qind. I korrigjuar për inflacionin, indeksi i pagës mesatare në ekonomi regjistroi rënie reale prej 1.9 për qind në tremujorin e dytë. Rënia e pagës reale reflektoi kryesisht tkurrjen e pagës në sektorin e shërbimeve dhe në degën e ndërtimit. Nga ana tjetër, paga reale në degën e industrisë vijoi rritjen për të pestin tremujor radhazi. Në sektorin shtetëror, paga reale u rrit me 3.6 për qind. Të dhënat më të fundit nga vrojtimet e besimit flasin për rënie të nivelit të pagave në sektorët prodhues në tremujorin e tretë. Pritjet janë pak më optimiste për sektorin e shërbimeve. Në tremujorin e dytë të vitit, produktiviteti i punës në aktivitetin ekonomik jobujqësor rezultoi me rënie vjetore 5.3 për qind, për të gjashtin tremujor radhazi. Ngadalësimi i shpejtë i ritmeve rritëse të vlerës së shtuar, kundrejt ritmeve më të larta të punësimit, thelloi tendencën rënëse të këtij treguesi në sektorët jobujqësorë të ekonomisë. Në të njëjtin tremujor, rënia e produktivitetit të punës u shoqërua me rënie të pagës mesatare në terma realë vjetorë 1.9 për qind. Ky zhvillim ndikoi në frenimin e rritjes vjetore të treguesit të kostos për njësi të prodhuar, i vlerësuar në rreth 3.5 për qind. Ecuria e kostove të punës për njësi në aktivitetin e bizneseve jobujqësore nuk ka ushtruar presione të shtuara inflacioniste gjatë tremujorëve të fundit. Por, thellimi i tendencës rënëse të treguesit të produktivitetit të punës tregon se bizneset e aktivitetit jobujqësor janë pak të orientuara për të rritur eficiencën e përdorimit të burimeve njerëzore.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *