Aneurizma e aortës abdominale, këshillat si duhet trajtuar!

Ornela

Pranvera Kola

Stili i përditshëm i jetesës është një ndër faktorët përgjegjës për shumë sëmundje. Më konkretisht, duhanpirja, kequshqyerja, apo faktorë të tjerë mund të bëhen shkak për shfaqjen e asaj që njihet ndryshe në gjuhën mjekësore si: “Aneurizma e aortës abdominale”, çka nënkupton zgjerimin e pjesës së poshtme të enës kryesore që shpërndan gjakun në të gjithë trupin.

Në vijim të shkrimit mjekja Ilda Xhelili tregon se cilët janë faktorët që ndikojnë më shpesh në shfaqjen e kësaj aneurizme, simptomat dalluese, si dhe masat që duhet të marrim për të shmangur ndërlikimet që shfaqen në shëndet. Nëse zgjerimi i kësaj ene nuk diagnostikohet në kohë mund të çojë deri në pasoja fatale për jetën.

Mjekja thekson se pasi të zbulohet një aneurizëm, qëllimi është të parandalohet zgjerimi i vazhdueshëm i saj. Kështu, thelbësore në trajtim mbetet shmangia dhe mbajtja nën kontroll e faktorëve të riskut, kjo veçanërisht në drejtim të moslejimit të zgjerimit të mëtejshëm të pjesës së dëmtuar.

Çfarë është aneurizma e aortës abdominale?

Aorta është arteria më e madhe që del nga zemra dhe furnizon me gjak trupin tonë. Ajo fillon me valvulën e aortës që ndan barkushen e majtë të zemrës nga aorta dhe që pengon kthimin e gjakut mbrapsht në zemër pas një kontraktimi (kur zemra tkurret dhe pompon gjak në drejtim të aortës). Pjesët e ndryshme të aortës emërtohen në raport me vendndodhjen në trup. Kështu, fillimi i aortës emërtohet si aorta ngjitëse e ndjekur nga harku i aortës dhe aorta zbritëse. Pjesa e aortës që ndodhet në kraharor emërtohet si aorta thorakale, ndërsa aorta abdominale korrespondon me zonën e barkut. Aorta abdominale fillon nga diafragma për në pjesën e mesme të barkut, ku ajo ndahet në arteriet që do të furnizojnë këmbët me gjak.

Një aneurizëm është një zgjerim (dilatim) i lokalizuar në një enë gjaku. Fjala “aneurizëm” rrjedh nga greqishtja që do të thotë “zgjerim”. Aneurizmat e aortës mund të zhvillohen kudo përgjatë gjatësisë së aortës, por shumica e tyre janë të vendosura në aortën abdominale, pra në atë pjesë të saj që ndodhet në pjesën e mesme të barkut. Shumica e këtyre aneurizmave të barkut janë të vendosura nën nivelin e arterieve që furnizojnë veshkat me gjak (arteriet renale). Muret e brendshme të aneurizmave shpesh janë të shtresëzuara dhe të veshura me copa të mpiksura gjaku.

Cilat janë simptomat klinike të një aneurizme të aortës abdominale?

Shumica e aneurizmave të aortës abdominale janë asimptomatike, pra nuk prodhojnë simptoma dhe zbulohen rastësisht kur kryhen ekzaminime imazherike (skaner, eko).

Ekzaminimi me ultratinguj ka një saktësi rreth 98 për qind në matjen e madhësisë  së aneurizmës. Po ashtu skaneri është i saktë në përcaktimin e madhësisë dhe të shtrirjes së aneurizmës. Edhe ekzaminimet nëpërmjet skanimit mund të saktësohen nëpërmjet përdorimit të lëndës së kontraksit. Ato gjithashtu mund të zbulohen me anë të ekzaminimit fizik nga ana e mjekut pasi dëgjon zhurmën specifike në zonën e barkut të shkaktuar nga rrjedha e trazuar e gjakut.

Kur aneurizma është shumë e zgjeruar ose çahet, simptoma më e zakonshme është dhimbja. Shpesh fillon në zonën qendrore të barkut dhe rrezatohet në pjesën e shpinës së poshtme, ose në drejtim të krahëve. Simptoma të tjera mund të shfaqen në varësi të vendit ku aneurizma është e vendosur në aortë dhe nëse strukturat e afërta janë prekur.

Sa e rrezikshme mund të jetë?

Aneurizmat e aortës abdominale mund të mbeten pa simptoma klinike, ose të prodhojnë simptoma minimale për vite me radhë. Sidoqoftë, një aneurizëm e barkut me zgjerim të shpejtë mund të shkaktojë dhimbje të papritura e të forta, të qëndrueshme dhe përkeqësuese të pjesës së mesme të barkut, të shpinës ose të kraharorit. Thyerja ose çarja e një aneurizme të aortës mund të jetë katastrofike, madje vdekjeprurëse dhe shoqërohet me një tendosje të fortë të barkut, një masë pulsuese në bark dhe një tronditje të fortë për shkak të humbjes masive të gjakut.

Cilat janë shkaqet e aneurizmave të aortës abdominale?

Shkaku më i zakonshëm i aneurizmave të aortës është ngurtësimi i arterieve që në gjuhën mjekësore njihet, si: “arterioskleroza”. Pra shumica e aneurizmave shkaktohen nga arterioskleroza. Kjo e fundit mund të dëmtojë murin e aortës dhe presioni i rritur i gjakut që pompohet përmes aortës shkakton dobësim të shtresës së brendshme të murit të aortës. Muri i aortës përbëhet nga tre shtresa të cilat rrisin forcën dhe elasticitetin e aortës për të toleruar ndryshimet në presionin e gjakut.

Rritja kronike e presionit të gjakut bën që struktura shtresore e aortës të prishet duke çuar kështu në zgjerimin (dilatimin) e vazhdueshëm dhe të ngadaltë të aortës. Pirja e duhanit është një shkak kryesor i aneurizmave të aortës.

Po ashtu, faktori gjenetik mund të luajë një rol në zhvillimin e aneurizmave të aortës. Rreziku për të pasur një aneurizëm rritet nëse një i afërm i shkallës së parë ka gjithashtu një të tillë. Edhe anomalitë e indit lidhor në shtresat e mureve të aortës mund të ndikojnë në dobësimin e forcës dhe të elasticitetit të mureve.

Trauma fizike mund të dëmtojë murin aortik dhe të shkaktojë dëme të menjëhershme, ose të shkaktojë një zonë të dobët që do të formojë një aneurizëm me kalimin e kohës. Inflamacioni (infeksioni) i enëve të gjakut (arteritis) mund të kontribuojë në aneurizëm. Po ashtu, njihen si favorizues të aneurizmave infeksionet mykotike, abuzimet me drogërat venozë, sëmundja e sifilizit, si edhe operacionet e valvulave të zemrës.

Cili është menaxhimi jo-kirurgjikal i aneurizmës së aortës abdominale?

Pasi të zbulohet një aneurizëm, qëllimi është të parandalohet zgjerimi i vazhdueshëm i saj. Kontrolli i përjetshëm i faktorëve të rrezikut përfshin: ndalimin e pirjes së duhanit, kontrolli i presionit të gjakut, kontrolli i kolesterolit në gjak (yndyrat). Mbajtja në kontroll e diabetit, i cili njihet si dëmtuesi kryesor i enëve të gjakut, si dhe monitorimi rutinë i madhësisë së aneurizmës

Po në lidhje me trajtimin kirurgjikal çfarë mund të themi?

Përsa i përket trajtimit të aneurizmës kemi së pari ndërhyrjen klasike kirurgjikale ku bëhet heqja e pjesës së dëmtuar dhe zëvendësohet me një shartim sintetik. Dhe mënyra tjetër është ndërhyrja në muret e brendshme të zonës së dëmtuar ku vendosen tuba specifikë që përballojnë luhatjet e presionit të gjakut dhe pengojnë zgjerimin e vazhdueshëm të mureve të aortës abdominale. E rëndësishme mbetet, siç e theksuam edhe më lart mbajtja nën kontroll e faktorëve të rrezikut dhe parandalimi i zgjerimit të vazhdueshëm të mureve të saj.

Më shpesh shkaktohet nga faktorë të tillë:

  • Arterioskleroza
  • Pirja e duhanit
  • Faktori gjenetik
  • Anomalitë e indit lidhor
  • Trauma fizike
  • Inflamacioni (infeksioni) i enëve të gjakut
  • infeksionet mykotike,
  • abuzimet me drogërat venozë
  • sëmundja e sifilizit
  • operacionet e valvulave të zemrës

 

Share This Article
1 Comment
  • Edhe valvula bikuspide mund te jete faktor qe ndikon ne formimin e aneurizmes doktoreshe. Mire eshte qe kushdoqofte te beje nje echo kardio preventive qofte per aorten ashendente, qofte per ate dishendente.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *