Procedurat dhe datat për regjistrimet e reja në çerdhet e Tiranës

Ornela

 

Pranvera Kola

Regjistrimet e reja në çerdhet publike të kryeqytetit do të nisin në javën e tretë të muajit Qershor. Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve ka konfirmuar tashmë datat konkrete dhe procedurat që duhet të ndjekin prindërit për të regjistruar fëmijët e tyre në këto institucione të arsimit parashkollor.

Sipas afateve të vendosura, prindërit kanë katër ditë në dispozicion për të bërë të mundur dorëzimin e dokumentacionit të përcaktuar për regjistrimin e fëmijëve. E gjithë procedura do të zhvillohet pranë çerdhes përkatëse ku fëmija ka vendbanimin.

“Aplikimet zyrtare për regjistrimin e fëmijëve në çerdhet e Bashkisë Tiranë do të zhvillohen pranë këtyre institucioneve në datat 22-26 qershor ndërmjet orarit 9:00-14:00”, bën me dije Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve. Për secilën kategori ku përfshihen fëmijët është përcaktuar edhe dokumentacioni konkret që prindërit duhet të dorëzojnë në ditën e regjistrimit. Sikundër ka ndodhur edhe përgjatë viteve të shkuara, edhe për pranimet e reja të 2020-s, prioritet në regjistrime do të kenë fëmijët e kategorive në nevojë, si dhe fëmijëve që i kanë të dy prindërit në punë.

Certifikata personale dhe familjare e fëmijës, vërtetimi i punës me pagën mujore të pasqyruar të prindërve, vërtetim për Kontributet e Sigurimeve Shoqërore për Individin që mund të sigurohet nga portali zyrtar e-albania, si dhe dëshmitë specifike për statusin e fëmijëve të kategorive në nevojë janë dokumentet bazë që kërkohen për regjistrimet në çerdhe. Një dokument i rëndësishëm që nuk duhet neglizhuar nga prindërit është edhe vërtetimi i vaksinimeve të fëmijës, që merret pranë qendrës shëndetësore. Në vijim të shkrimit gjeni të plotë dokumentacionin që duhet të depozitojë secila kategori në afatet e konfirmuara.

“Dokumentacionin e kërkuar mund ta shkarkoni nga portali zyrtar e-albania si posedues të kodit personal me kartë identiteti. Në rastet kur kjo gjë nuk është  e mundur, ju duhet që të dorëzoni pranë komisionit të regjistrimit të ngritur në çdo çerdhe një fotokopje të kartës tuaj të identitetit, si dhe të plotësoni deklaratën personale në zbatim të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Për arsye se numri i aplikuese është shumë i lartë kjo e vështirëson shumë menaxhimin dhe më pas shqyrtimin korrekt të dokumentacionit në të gjithë procesin”, bëjnë me dije ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve në kryeqytet. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për arsimin parauniversitar, çerdhet janë institucione në vartësi të pushtetit vendor dhe në to mund të regjistrohen fëmijët e grupmoshës nga 6 deri në 3 vjeç.

Pas një ndërprerje gati tre mujore për shkak të situatës së krijuar në vend nga përhapja e Covid-19, të hënën e datës 1 qershor, çerdhet dhe kopshtet në të gjithë vendin hapën dyert për fëmijët, sigurisht duke respektuar edhe protokollet e veçanta të diktuara nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë për të shmangur rrezikun e infektimit me koronavirusin e ri. Krahas masave të shtuara të higjienës, si dhe respektimit të distancës fizike, sipas rregullores se re, fëmijët do të qëndrojnë përgjatë gjithë ditës vetëm në një klasë me edukatoren e tyre, nuk lejohet që dërgimi i tyre në çerdhe apo kopsht të bëhet nga gjyshërit, teksa janë eliminuar edhe aktivitetet në grup në ambientet e jashtme. Rregulla stritke duhet të zbatojnë edhe prindërit që sjellin fëmijët në mëngjes vetëm në oraret e përcaktuara. 

DOKUMENTET E REGJISTRIMIT PËR TË GJITHA KATEGORITË

  1. Fëmijët me statusin e jetimit
  • Libreza e statusit të jetimit të fëmijës.
  • Certifikata personale e fëmijës dhe ajo familjare.

 

  1. Fëmijët e familjeve ku kujdestari ligjor ka statusin e jetimit
  • Libreza e statusit të kujdestarit ligjor të fëmijës.
  • Certifikata personale e fëmijës dhe ajo familjare.

 

  1. Fëmijët me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike dhe me sëmundje të rënda:
  • Raporti mjeko-ligjor i fëmijës.
  • Certifikata personale e fëmijës dhe ajo familjare.

 

 

  1. Fëmijët ku kujdestari ligjor është person me aftësi të kufizuara :
  • Raporti mjeko-ligjor i kujdestarit të fëmijës.
  • Certifikata personale dhe familjare e fëmijës.

 

  1. Fëmijë të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike
  • Certifikata personale dhe familjare e fëmijës.
  • Vërtetim nga Njësia Administrative për trajtimin me ndihmë ekonomike të kujdestarit ligjor të fëmijës.

 

  1. Fëmijët e familjeve mono-prindërore, ku kujdestari ligjor e ka pagën nën nivelin e pagës minimale:
  • Certifikatë personale dhe familjare të fëmijës.
  • Vërtetim page i kujdestarit ligjor, i cili duhet të jetë nën pagën minimale të përcaktuar në Republikën e Shqipërisë (26,000 lekë).
  • Vërtetim për Kontributet e Sigurimeve Shoqërore e shëndetësore për individin nga portali zyrtar e-albania.

 

  1. Fëmijët e familjeve ku kujdestari ligjor i fëmijës është i divorcuar ose i ve, por që është nën pagën minimale:
  • Certifikata personale dhe familjare e fëmijës.
  • Vërtetim page i kujdestarit ligjor i cili duhet të ketë pagë nën atë minimale të përcaktuar.
  • Vërtetim për Kontributet e Sigurimeve Shoqërore e shëndetësore për individin nga portali zyrtar e-albania.

 

 

  1. Fëmijë të familjeve të pakicës rome dhe egjiptiane sipas vërtetimit përkatës të lëshuar nga organizatat që mbrojnë të drejtat e tyre, ose vetdeklarimi ku përcaktohet se familja është pjesë e këtyre pakicave:
  • Certifikata personale dhe familjare e fëmijës
  • Vërtetim të lëshuar nga organizatat që mbrojnë të drejtat e tyre ose nga vetdeklarimi

 

 

  1. Fëmijët e vendosur në kujdestari nga familjet kujdestare, sipas legjislacionit përkatës:
  • Certifikata personale dhe familjare e fëmijës.
  • Vendimi i gjykatës për dhënien e kujdestarisë.

 

  1. PËR KATEGORITË E TJERA:
  • Certifikata personale dhe familjare e fëmijës.
  • Vërtetim Pune me pagë mujore të pasqyruar të kujdestarit ligjor (prindërve).
  • Vërtetim për Kontributet e Sigurimeve Shoqërore për Individin nga portali zyrtar e-albania.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *