Aksident hekurudhor në Nju Jork, 4 të vdekur

anazapta

Të paktën katër vetë humbën jetën kur treni i linjës MetroNorth doli nga shinat, të dielën në mëngjes, përgjatë lumit Hudson. Sipas të dhënave të autoriteteve, 63 vetë mbetën të plagosur, prej të cilëve 11 në gjendje kritike.Treni ishte nisur nga Poughkeepsie, drejt Manhatanit, kur 5 prej vagonëve të tij u shkëputën dhe devijuan jashtë shinave

Nju Jork – Në orën 7:20 të mëngjesit së djeshëm(me orën lokale), një tren i Metro-North Railroad doli nga binarët  në një kthesë të hekurudhës në Bonks. Fillimisht mediat amerikane raportuan 4 viktima, ndërsa departamenti i zjarrfikseve lajmëroi për shumë të plagosur. Ai që saktësoi numrin ishte guvernatori i shtetit, Andrew Cuomo, i cili mbërriti në vendngjarje menjëherë: “Të vdekurit janë 4 dhe të plagosurit 63, midis tyre edhe një prej makinistëve të trenit”. Ai shtoi se nuk besohej për persona të tjerë të zhdukur dhe bilanci nuk duhet të rëndohet më tej. Por midis të plagosurve 11 janë në gjendje të rëndë.

“Shkaqet e devijimit të trenit nga shinat në Bronks nuk janë ende të qarta, por ndihmësit po punojnë për të stabilizuar situatën”, shtoi guvernatori. Një ndër makinistët që shpëtoi me ca lëndime, tha për autoritetet se kishte provuar të frenonte por pa sukses: treni nuk iu përgjigj komandave. Burri shpëtoi është në spital ku i është nënshtruar trajtimit mjekësor.
Frank Tatulli, një udhëtar që e përdor shpesh këtë linjë, deklaroi për mikrofonin e “Ëabc-Tv” se treni po udhëtonte me një shpejtësi shumë më të madhe se zakonisht, ndërsa i afrohej kthesës në të cilën pësoi aksidentin. Një tjetër pasagjer tregoi për “Associated Press” momentin tragjik: “Më kishte zënë gjumi, u zgjova kur vagoni nisi të rrotullohej. Pastaj pashë zhavorr të binte mbi mua dhe dëgjova njerëz që bërtisnin. Kishte tym gjithandej”.

“Pashë njerëz që fluturonin jashtë tij dhe të tjerë që mundoheshin të shpëtonin. Erdhën shumë mjete emergjence. Është një tragjedi dhe sigurisht nuk është ajo që dëshiron të shohësh për të Festën e Falenderimeve (e cila ishte pikërisht këtë fundjavë)”, tha Mike Gallo një dëshmitar okular.

Presidenti amerikan, Barack Obama bëri të ditur “lutjet” e tij për miqtë dhe familjet e viktimave dhe tha se do të mbetet në kontakt me autoritete lokale për zgjidhjen e çështjes.

Këshilltari bashkiak G. Oliver Koppell, që përfaqëson këtë zonë tha për “The New York Times” se ky ishte aksidenti më i rëndë në historinë e kësaj linje. Nuk mund të jetë rastësi që po në të njëjtin stacion, në korrik, doli nga shinat një tren mallrash./D.Gjuzi

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *