Nga Shaban Murati
Midis realiteteve historike të së shkuarës dhe realiteteve të sotme politike e diplomatike qendron një vijë shumë e hollë, të cilën shtetarët e vërtetë i druhen ta kapërxejnë për të mos cënuar marrëdhëniet me shtetet e tjera. Por nuk u mendua dy herë kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili siç njofton portali i njohur “euractiv.com” në 8 qershor publikoi në faqen e tij zyrtare në facebook një video, ku shkruhej: “Rijeka, bregdeti hungarez”.
Të shprehet kështu zëri më i lartë zyrtar i një qeverie për qytetin dhe për bregdetin e shtetit tjetër të Kroacisë, don të thotë as më pak e as më shumë një rivendikim territorial i Hungarisë ndaj Kroacisë. Kroacia, presidente e rradhës e BE, me të drejtë reagoi dhe ministri kroat i transportit, Oleg Butkoviç, deklaroi se “Protestojmë fuqimisht ndaj këtij provokimi, i cili cënon integritetin territorial si parim bazë i shtetësisë së një vendi fqinj”.
Pavarësisht emocionit historik, që mund të ketë pasur personalisht kryeministri hungarez, i cili e regjistroi videon në ceremonitë e zhvilluara në Budapest me rastin e 100 vjetorit të Traktatit të Trianonit, që copëtoi Hungarinë, është e pafalshme dhe e papranueshme që kryeministri hungarez të dalë sot me një rivendikim territorial ndaj shtetit fqinj dhe ta pretendojë se Rijeka është port dhe bregdet hungarez.
Që kryeministri hungarez nuk e ka emocion të çastit, e tregon fakti se kapërximin nga realitetet e shkuara historike në realitetet e sotme politike dhe diplomatike Viktor Orban e ka bërë një vijë qendrimi të qeverisë së tij. Jo shumë larg, por në datën 6 maj kryeministri Viktor Orban publikoi në faqen e tij një hartë të “Hungarisë së Madhe”, ku përfshiheshin edhe territore të Kroacisë së sotme. Kur e bën një pretendim një kryeministër, ai merr statusin e një rivendikimi zyrtar.
Ndaj në 7 maj presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, e cilësoi “provokim” këtë akt të kryeministrit hungarez. Po atë ditë ministri i jashtëm kroat, Gordan Grliç Radman, dekaroi se “rivendikimet territoriale janë të papranueshme në BE”.
Qeveria hungareze në datën 4 qershor përuroi një memorial të gjatë 100 metra në Budapest përballë parlamentit, ku janë 130 mijë toponimet e Hungarisë së kohës para Luftës së Parë Botërore dhe ku janë edhe ato pjesë të Kroacisë së sotme, që nëatë kohë përfshiheshin në perandorinë austro-hungareze.
Është e kuptueshme se realitetet historike të dhimbshme për popujt dhe shtetet duhen pranuar, kujtuar dhe duhen mësuar në shkolla. Kjo është edhe e drejtë e shtetit dhe e popullit hungarez të përkujtojnë me dhimbje 100 vjetorin e Traktatit të Trianonit të 4 qershorit 1920 të nënshkruar në Paris, ku fuqitë fituese të Luftës së Parë Botërore dhe në radhë të parë Franca vizatuan kufijtë e rij të shtetit të Hungarisë, duke i lënë jashtë tij dy të tretat e territorit dhe një të tretën e popullsisë së para Luftës së Parë Botërore.
Hungaria me të drejtë e përkujton këtë ngjarje tragjike të copëtimit dhe e mbantë gjallë në memorien kombëtare dhe në edukimin historik të shtetasve, që të mos harrojnë këtë operacion tragjik të fuqive të mëdha mbi trupine saj.
Por realitetet e sotme politike dhe diplomatike u kërkojnë qeverive dimensionin shtetëror të mbajtjes së distancës nga përdorimi apo abuzimi politik me historinë sot. Është ajo vija e hollë, e cila ndan realitetet historike të së shkuarës nga realitetet e sotme politike dhe diplomatike. Kjo është vija e kuqe, të cilën qeveritë serioze dhe shtetarët e vërtetë nuk e kapërxejnë, sepse së pari e dijnë se operacionet gjeopolitike të fuqive të mëdha në të kaluarën nuk e rikthejnë formacionin shtetëror të dikurshëm.
Së dyti, përdorimi politik i sotëm i realiteteve historike kthehet në një rivendikim territorial, i cili mund të çojë në shkallëzime shumë të rrezikëshme në marrëdhëniet midis shteteve dhe popujve në ditëte sotme.
Së treti, Hungaria kur ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Kroacinë dhe kur ka votuar për Kroacinë që të anëtarësohet në BE dhe në NATO, e ka pranuar këtë shtet me kufijtë e sotëm dhe nuk ka paraqitur ndonjë pretendim territorial.
Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban po e shkel këtë vijë të kuqe diplomatike dhe e ka kthyer në platformë të politikës së jashtme të qeverisë së tij strategjine revizioniste të historisë në funksion të qëllimeve tëtij politike sot. Kjo strategji e kapërximit të vijës midis realiteteve historike të së shkuarës merealitetet e sotme politike dhe diplomatike, i duhet kryeministrit hungarez për konsolidimin e pushtetit të tij brenda vendit.
Është e lexueshme se ngritja e një fryme nacionaliste të koregjimit dhe të rivendosjes së realiteteve të së kaluarës frymëzon shumë shpirtra brenda vendit dhe i bën të harrojnë problemet dhe vështirësitë e mëdha të qeverisjes dhe të demokracisë sot. Qeverisja e Orbanit karakterizohet nga një kurs autokratik të shkeljes së normave, standarteve dhe të institucioneve demokratikebrenda vendit, kurs që e ka vënë përballë Bashkimit Europian në shumë drejtime.
Qeveria hungareze ka nevojë që të balancojë kritikat dhe akuzat, që i behen autoritarizmit të kryeministrit Orban,me një rritje të mbështetjes popullore brenda nëpërmjet nxitjes së një fryme dhe klime nacionaliste.
Nuk duket rastësi që ceremonitë zyrtare me rastine 100 vjetorit të Traktatit tëTrianonit u shfrytëzuan nga kryeministri për nxitjen e një fryme antieuropiane dhe antiperëndimore. Në datën 6 qershor, kryeministri hungarez, duke folur në ceremonitë e organizuara, deklaroi: “Perëndimi dhunoi kufijtë dhe historinë 1000 vjeçare të Europës Qendrore. Ata na detyruan ne të jetojmë midis kufijve të pambrojtshëm. Ne kurrë nuk do ta harrojmë atë, që na bënë ata”.
Objektivi politik dhe strategjik i qendrimeve të tilla pas 100 vitesh ka një adresë të qartë të politikës së sotme të qeverisë hungareze të Viktor Orbanit.
Hungaria është anëtare e BE dhe e NATO-s dhe kryeministri i saj shpreh rivendikime territoriale ndaj një shteti anëtar të BE dhe të NATO-s si Kroacia. Të rivendikosh portet dhe bregdetin kroat dhe t’i quash ato sot si “hungareze” është njëlojë e rrezikëshme si për marrëdhëniet dypalëshe midis dy shteteve fqinj, por edhe për raportet brenda BE dhe brenda NATO-s.
Kroacia është vendi që mban presidencën e rradhës së BE dhe kryeministri i një shteti anëtar të BE ngrihet tani dhe i rivendikon asaj pjesë të territorit dhe të detit.
Bën përshtypje fakti që kryeministri Viktor Orban ndjek një nacionalizëm selektiv me shijën e një diversioni diplomatik në qendrimet hungareze ndaj Kroacisë dhe Serbisë. Dihet që Traktati i Trianonit i dha pjesë të Hungarisështetit të ri të Jugosllavisë të porsakrijuar nga Franca dhe Parisi si hartues i Traktatit u tregua gjeneroz për zgjerimin e Jugosllavisë me territore hungareze.
Kryeministri hungarez Orban ngrihet tani dhe rivendikon bregdetin kroat dhe nuk thotë gjysëm fjale për Vojvodinën hungareze në Serbi, ku jetojnë 300 mijë hungarezë etnikë, që kërkojnë edhe sot autonomi. Kurse në Kroaci janë a s’janë 15 mijë vetë të pakicës hungareze. Vojvodina ka qenë krahinë autonome në kohën e federatës jugosllave dhe ka pasur qeveri, parlament, bankë të veçantë, etj. dhe të drejtën që në rotacionin e presidencës jugosllave të ketë një përfaqësues të saj në drejtimin e Jugosllavisë.
Ndaj nuk mund të moslerë një shije të hidhur ky diferencim i kalibruar që kryeministri hungarez vendos në strategjinëe tij të rivendikimit territorial ndaj Kroacisë dhe hesht për Vojvodinën në Serbi. Duket sikur Viktor Orban nën ndikimin e një prirje filoserbe kërkon t’i vijë në ndihmë qeverisë së Serbisë, duke sulmuar Kroacinë.
Nga ana tjetër paraqitja e rivendikimeve territoriale ndaj një shteti anëtar të BE dhe të NATO-s dhe nxitja e mosmarrëveshjeve kufitare, mund të konsiderohet një goditje e re në gjirin e aleancave perëndimore, ku Hungaria është anëtare. Nuk don shumë vështirësi për të deduktuar se problemet kufitare dhe të rivendikimeve territoriale, kapërximi i vijës së kuqe midis realitetit të së shkuarës dhe realitetit të sotëm diplomatik e politik brenda rradhëve të vendeve anëtaretë BE dhe të NATO-s, favorizojnë rivalin gjeopolitik të perëndimit, Rusinë.
Me ndërgjegje apo jo, rivendikimet territoriale të kryeministrit të Hungarisë ndaj Kroacisë rezonojnë me intrigat ruse të destabilizimit të vendeve europiane dhe të keqësimit të marrëdhënieve midis vendeve të BE dhe të NATO-s.
Kapërximi i vijës së kuqe midis realitetit të drejtë të së shkuarës dhe realitetit të sotëm politik e diplomatik është një problem i mprehtë me efekte negative për kohezionin dhe veprimin euroatlantik. Ndaj rivendikimet e kryeministrit Viktor Orban janë një gabim, i cili duhet kuptuar dhe koregjuar nga qeveria e Hungarisë.
Por do të duhet që BE dhe NATO ta ndihmojnë qeverinë hungareze ta kuptojë këtë gabim sa më shpejt.
*****
Botuar në DITA. Ndalohet kategorikisht ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë dhe pa citimin korrekt e të dukshëm të burimit

Më drejtë s’ka si thuhet!
Më drejtë do ishte për popullsinë hungareze që jeton në teritorin e përfshirë nga Sërbia dhe nuk ndihet e drejta e saj sovrane të shprehet me referendum, në se don të jetojë me Sërbinë apo me shtetin mëmë.
Sërbia vetë, bën gjithato gurgule për pakicat e saj në Kosovë.
Kur nuk e ke ne rregulla shtepine, moe u mer as me komshine..!
PËRSHËNDETJE DHE PËRGËZIME, AMBASADOR I SHQUAR!
Thuajse e gjithë bota, qeveriset nga psikopetërit(përjashto Gjermaninë, të paktën).
Duke nisur nga Franca, që e drejton një njeri që mori nënën e tij për grua, vijo me Trapin, që mori vajzën e tij për grua, e deri këtu në Ballkanin tonë, tek ne, te ky yni, që nuk ka inventar sa pati, e nuk di se cilën ka.
Harta e kësaj bote që njohim sot, në Europë, e kryesisht në Ballkan, ka vulën e Francës, për shumë arsye. Sepse kjo hartë u gatua në Paris, e nga Franca.
Urbani(e jo Orbani), luan me kartën e populistit. Ai, aq di e aq bën. Për hir të karrikes së vet.
Por lutem, i thoni dy fjalë, meqë ai përmend 1000 vjetët:
Për ata që njohin Historinë, se sirtanët nuk po shpikin rrugë të re. Përkundrazi, ata ndjekin rrugën e hapur qindra shekuj më parë, më saktë korridorin e stërlashtë të hyrjes në Europë, qysh kur ajo nuk quhej e tillë. Është “rruga ballkanike”, që vjen nga Lindja e Mesme dhe Turqia, kalon në Greqinë e sotme(që nuk ka pasë ekzistuar) e mandej në Maqedoni(që nuk ka pasë ekzistuar), Serbi(që nuk ka pasë ekzistuar), Hungari, Austri dhe përfundon në Gjermani.
Stepa e pafundme hungareze, të cilën vendasit e quajnë “Alfeld”, është Porta që çon nga lindja në Perëndim, shumë shekuj para erës së re e deri më sot, për të gjithë popujt që deshën të kalojnë në Europë, ose të vijnë nga Verilindja(Balltik, Rusi, Urale), drejtim Jugut. Shtrihet në Lindje dhe në Jugë të Hungarisë në 52.000 km katrore, e përbën 56% të sipërfaqes së vendit.
Qysh nga fiset e stërlashta nomade e deri te luftëtarët magjarë, që erdhën në shekullin e 9-të dhe banuan në brigjet e lumit Tisa, rrafshnalta e madhe ishte korridori më strategjik i hyrjes në Europë.
Aty kaluan ilirët, dorët, trakët, e më pas keltët, para se të pushtohej rrafshnalta nga romakët, viti 35 p.e.s. Atëherë quhej Panonia dhe ndahej në veri nga Danubi. Aty kaluan më vonë visigotët, ostrogotët, por edhe sllavët e parë, kur u ngulën para 700 vjetësh në Ballkan. Po kështu hordhitë mongole të shekullit të 13-të, të cilët madje lanë gjurmën e tyre të pashlyeshme, në gjuhën e sotme austriake.
Edhe në shekujt e mëvonshëm, vazhdoi e njëjta histori, e së njëjtës rrugë. Pati një veçantësi: Nga shekulli i 16-të e deri në fillimshekullin e 20-të, shumë vende të Europës Qendrore dhe Veriore, bashkë me disa shtete të vogla perëndimore europiane, ishin pjesë të Perandorisë së Absburgëve. E kjo perandori funksiononte si një krijesë shtetërore dhe politike, prandaj përbënte rutinë kalimi i popujve aty, në rrugën e ikjes së tyre.
U ndërpre kjo rrugë vetëm pas Luftës së Parë Botërore, sepse në mbarim të saj, Trakati i Versajës i dha rëndësi lëvizjes së emigrantëve dhe pakicave kombëtare.
Pas Luftës së Dytë Botërore, pas vitit 1947, kufijtë e Hungarisë u mbyllën. Ata kufij “u hapën” në vitin 1956, për arsye të kryengritjes kundër qeverisë komuniste. E vetëm brenda dy muajsh, ikën nga ai vend 200.000 hungarezë! Hungarezët në vitin jo aq të largët 1956, gjetën hapur portën e Austrisë dhe të ish Jugosllavisë.
Por mbi të gjitha ata gjetën të gatshëm planin e sistemimit të tyre, aty ku ata menduan të ndërtonin jetët e tyre. Hungarezët nuk i ndoqi ndonjë shtet me qen kufiri, nuk i goditi me presionin e ujit të zjarrfikëseve, nuk i goditi ndonjë ushtri me plumba…“gome”-siç bëjnë këta hungarezët e sotëm me fatkeqët sirianë. Siç i godet sot, urbani.
E mbi të gjitha këto “trajtime” së bashku, rëndon preteksti banal hungarez, i cili ka merakun e ruajtjes së “pastërtisë kristiane” të popullit të tij!
Po “parimet” e “krishterimit”, ku shkuan?!?
Prandaj shtetet nuk duhet të harrojnë, të paktën ngjarjet e 60 viteve të fundit.
Ju i nderuar Profesor Murati, shkruani për njerëz që janë kualitete intelektuale.
Do të uroja, që të tillë, të vijnë edhe në krye të Shqipërisë…