Kërkesa e përfitimeve suplementare të pleqërisë për personat me tituj shkencorë mund të plotësohet online në portalin “e-albania”, sikundër ndodh edhe me llojet e tjera të pensioneve. Ekspertët e Sigurimeve Shoqërore bëjnë me dije se krahas procedurave online të depozitimit të kërkesës për këtë lloj pensioni (të ardhura shtesë mbi pensionin e pleqërisë), aplikuesit duhet të paraqiten më pas individualisht pranë agjencive lokale të vendbanimit të tyre për të dorëzuar edhe dosjen e dokumenteve të konfirmuara për këtë kategori pagesash.
Plotësimi i kërkesës online
Për të siguruar këtë lloj pensioni, fillimisht duhet që të hyni në adresën www.e-albania.al dhe të identifikoheni si qytetar. Hapi i radhës që duhet të ndiqni është zgjedhja e shërbimit “Kërkesë për pension shtetëror suplementar i personave me titull shkencor”. Pasi të keni zgjedhur këtë shërbim, duhet të klikoni butonin “Përdor”, ku dhe do të nisini me plotësimin e formularit përkatës. “Pasi të keni kryer aplikimin online për pension suplementar për akademikët, ju duhet të paraqiteni në zyrat e agjencive lokale për të dorëzuar edhe dokumentet e kërkuara”, bëjnë me dije ekspertët e sigurimeve shoqërore.
Sipas tyre janë thjeshtuar edhe procedurat e sigurimit të dokumenteve që këta përfitues duhet të dorëzojnë vetë. Dy janë dokumentet që duhet të dorëzojë vetë aplikuesi: “Fotokopje e letërnjoftimit elektronik ose certifikata personale, si dhe fotokopja e noterizuar e dëshmisë së titullit shkencor që gëzon”. Ndërsa nga institucionet shtetërore do të sigurohen këto dokument, siç janë vërtetim i pagës referuese, vërtetimi për periudhën e shërbimit, vërtetimi për përfitim nga Ligji nr.7703, datë 11.05.1993 (i ndryshuar), vërtetimi për përfitime të tjera.
Kategoritë që përfitojnë
Këto përfitime shtesë mbi pensionin e pleqërisë jepen në bazë të ligjit nr. 10139, datë 15.05.2009 “Për Pensionet Shtetërore Suplementare të Punonjësve të Universiteteve, Shkollave të Larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, që anë tituj shkencorë”. Referuar kushteve të përcaktuara në këtë ligj, kanë të drejtë që përfitojnë pensione suplementare shtetërore, si të ardhura shtesë mbi përfitimet e pleqërisë të gjithë personat që deri në hyrjen në fuqi të ligjit kanë gëzuar titullin shkencor “Profesor”, “Profesor i asociuar” (“Drejtues kërkimesh”, “Mjeshtër kërkimesh”), sipas Vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. Ndërsa pas hyrjes në fuqi të ligjit, për të marrë këtë lloj pensioni, përfituesit duhet të kenë gëzuar titullin shkencor “Profesor”, “Profesor i asociuar” (“Drejtues kërkimesh”, “Mjeshtër kërkimesh”), sipas Vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës dhe të kenë derdhur kontribut suplementar, duke qenë në marrëdhënie pune me universitetet, shkollat e larta, Qendrën e Studimeve Albanologjike, Akademinë e Shkencave dhe me të gjitha institucionet e tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë.
Kontributet suplementare
Kontributet suplementare që paguhen në fondin e sigurimit suplementar shtetëror ndryshojnë në varësi të institucionit ku akademiku ka qenë i punësuar. Në këto kushte, këto kontribute janë në masën 3,5 për qind të pagës bruto mujore, për të punësuarit në institucione publike, si dhe 7 për qind të pagës bruto mujore për të punësuarit në institucione jopublike.
Ja sa do jetë masa e përfitimeve suplementare
Ekspertët e sigurimeve sqarojnë më tej se masa e pensionit suplementar është 1,3 për qind e pagës referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “Profesor” dhe 1,1 për qind e pagës referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “Asistent profesor”. Shuma e këtij pensioni suplementar, bashkë me përfitimet nga Ligji nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nuk mund të jetë më e madhe se 4 pensione bazë pleqërie, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993. Masa e pensionit suplementar nuk mund të jetë në asnjë rast më e vogël se 6 për qind e pagës referuese. Masa e pensionit suplementar fillestar, për personat që nuk kanë kontribuar, nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë, të përfituar sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Hapat si plotësohet kërkesa online
- Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania e-albania.al.
- Zgjidhni shërbimin “Kërkesë për pension shtetëror suplementar i personave me titull shkencor”.
- Klikoni butonin “Përdor”.
- Plotësoni formularin përkatës.
Dokumentet që dorëzohen nga vete personi:
- Fotokopje e letërnjoftimit elektronik ose certifikata personale.
- Fotokopje e noterizuar e dëshmisë së titullit.
Dokumentet që plotësohen nga institucionet:
- Vërtetim i pagës referuese.
- Vërtetim për periudhën e shërbimit.
Dokumentet që përgatiten nga strukturat e sigurimeve shoqërore:
- Vërtetim për përfitim nga Ligji nr.7703, datë 11.05.1993 (i ndryshuar).
- Vërtetim për përfitime të tjera.

PAGUANI SIGURIMET, PAGUANI, SE I SHPERNDAN
LALIDHJERI ME SUPLEMENTARET, JU QE PAGUANI
TE GJATIN KENI PER TE MARRE.
Po ca akademike jane keta mor aman ,akademike me plagjiatura..shtesa te pamerituara jane ,njerez qe kane vegjetuar zyrave.Nje pjese fare e vogel e tyre e meriton.DO kishin bere mire ti rishikonin
Të jenë si të duan e me shëndet, për punën që kanë bërë kanë paguar sigurime dhe ato tani duhet t’i marrin pension, jo te grabisin sigurimet që unë ja heq nga goja fëmijës tim.