Lufta e Vlorës në këngën tonë popullore

Ornela

Nga Muhamet Tartari

Kënga jonë popullore ka fiksuar me vërtetësi historike gjer në saktësinë e informacionit kronikal, me bukuri poetike dhe ngjyrim popullor të një figuracioni të rrallë Epopenë e Lavdishme të Njëzetës sintetizuar bukur në vargjet: Ja do bëhet Vlora jonë, ja do bëhet shkrumb e hi…

Të këtij brumi, dhe të kësaj bukurie, këngët e shumta popullore kushtuar Epopesë së Njëzetës, zënë vendin e tyre të rëndësishëm në epikën popullore historike. Ato i përshkruajnë ngjarjet e kësaj lufte të lavdishme  popullore në mënyrë të hollësishme, duke filluar që nga vendet ku u zhvilluan Kuvëndet, betejat, datat, pjesëmarrësit, rezultatet, llojet e armëve që u përdorën, të rënët, të plagosurit,  robërit, jeta dhe psikologjia e tyre. Heroizmi popullor, shpaloset me madhështi përmes vargjeve, strofave, këngëve. Jehona e kësaj lufte, thirrjet kushtrim të luftëtarëve popullorë, bujqëve dhe çobanëve, zjarri i pashuar i dyfekëve me gjalmë, i fishekëve që hynin në folenë e pushkës sëbashku me thërrimet e bukës së misrit, krismat e tyre të serta, hedhja legjendare e gunave mbi tela e i gjokseve mbi istikame, drita e kuqe e pashuar e plagëve në gjoksin e luftëtarëve të lirisë, për këto mrekulli të shqiptarëve: Evropa shkrujnë e thonë / ç’është kështu si dëgjojmë / Bëhet dyfek në Vlorë…

Gjithë këtë habi të shteteve dhe fuqive të mëdha në Evropë, poeti popullor e shpreh në mënyrë sugjestive e me vargje lakonike: Shqipëtarët po luftojnë/ Me një mbret 40 milionë… mendime këto me një rezonancë kuptimplote me historinë e popullit tonë. Përsëri me mjaft forcë shprehëse, me skalitje mjeshtërore, që vetëm dalta e artistëve popullorë ka mprehtësinë të gdhendë, këndohet: Po më se luftojnë vallë? / Me sopata me hanxharë/ Dyfekët lidhur me gjalmë/ Fishekët në xhep i mbajnë / Në tre ditë bukë hanë…

Këngët dhe vallet kushtuar kësaj Epopeje të lavdishme, janë të panumërta, njëra më e bukur se tjetra, me një kënd të gjerë shikimi dhe hapsirë vendi dhe kohe. Edhe pse në këtë punim jemi përqëndruar  vetëm te disa këngë, ato na flasin për Barçallanë e Beunin, për Gjormin dhe Kotën, për Drashovicën dhe Llogaranë. Gjeografia poetike e tyre shkon edhe në Tepelenë dhe Mallakastër, në Korçë dhe Myzeqe, në Gjirokastër e Gegëri e deri jashtë kufijve të Atdheut, ku ka shkuar zëri i kësaj lufte, aty e ka ndjekur edhe kënga. Kjo tregon një fakt të pamohueshëm, syri i këngës popullore, duke qëndruar mbi majat e larta epike të ngjarjeve ka një horizont të madh shikimi, me një fuqi të madhe drite.

Është fakt historik, se midis luftëtarëve pjesëmarrës në këtë luftë kanë qenë dhe rapsodët e dëgjuar popullorë si Selim Hasani (Artist i Popullit), Xhemil Duka, Mato Hasani etj. që sot kur lexojmë vargjet, apo këndojmë këngët e tyre, herë-herë na duket se pas tyre dëgjojmë krismat e armëve të tyre me bashkëluftëtarët, britma e luanëve tek shtrojnë sherqet mbi tela dhe istikame, tek hidhen në sulmet e furishme. Këto vargje, e këngë mbartin në vetvete ngarkesa të mëdha ideo-emocionale, përmes të cilave, ndjejmë gëzim dhe urrejtje njëherësh, dhimbje për të rënët, por krenari për veprën e tyre heroike, për mbrojtjen me gjak të çdo pëllëmbe të tokës amëtare.

Në këtë punim, duke ju drejtuar një pjese të këngëve popullore, të mbledhura ndër vite, njihemi me ato ngjarje të rëndësishme të cilat zënë një periudhë kohore prej më shumë se tre muajsh, nga 29 Maji deri me 3 Shtator, dhe që janë regjistruar në Historinë e Shqipërisë si “epopejka e Luftës së Vlorës më 20-ën”.

Themi fillimi më 29 maj, se kjo Luftë kishte kohë që gatuhej. Brumi kishte ardhur gradualisht duke u pjekur, eshka kërkonte çikat e stërrallit që të ndizej flakë! Këtë, siç dihet e bëri Kuvëndi i Barçallasë, ku morën pjesë mbi 200 përfaqësues nga të gjithë fshatrat e Krahinat: Maji më 29-të /  Barçalla në mal të Shënjtë /Ngren plan populli vetë / Të vdesim për Atdhen’e shtrenjtë…. Atje u vendos prerë që t’i shpallet luftë Italisë, të goditet ajo deri në fund, pa marrë parasysh asnjë sakrificë deri në çlirimin e Vlorës. Për vendimet e Barçallasë, thotë kënga: Fshat më fshat kartat u ndanë / Vunë çetat kumandarë / Salari Selam Musanë/ Në Vranisht Sali Muranë… dhe kënga vazhdon vargjet gur-gur e rrit murin e epopesë së këngës, si kroniste e saktë të tregojë se si çdo fshat ngriti çetë dhe: Të gjithë një fjalë thanë / erdhëm dhe do dërdhëm gjaknë…

Kënga rregjistron historinë, faktet dhe datat. Pas Kuvëndit të Barçallasë nuk kaluan veç dy-tre ditë, dhe vargu i këngës ndjek për gjurme tërë atë masë të madhe luftëtarësh nga të gjitha anët që derdhen në fushën e luftës, si në stofin e këngës: Në Beun kur u mblodhë, Dymbëdhjetë komisiojnë…  Që aty, ju dërgua dhe Ultimatumi Gjeneral Piaçentinit në Vlorë me ato fjalë si të prera me urdhër me stërrallin e e gjuhës së maleve tona: “Populli i Vlorës kërkon heqjen e ushtrisë italiane dhe bashkimin me Tiranën, ndryshe me armë në dorë do të rrebelohet. Në mos mundtë, do të vdesë për liri…” dhe korrieri trim merr letrën, niset vetëtimë për në Vlorë: Mehmet Selimi dragoi / Mori kartën edhe shkoi / Komandës ja dorëzoi… Vargje këto, të qeta në madhështinë e tyre, aq sa edhe të patundura në vendimin e dhënë.

Krijimitaria e bollshme gojore e popullit na përshkruan më tej shtjellimin e ngjarjeve, përgjigjen negative të komandës italiane, si dhe gatishmërinë e luftëtarëve për të nisur sulmin sa më parë: O ju djem trima stërralli / na thërret Smail Qemali/ Atje ku dergjet te varri… Te historia me luftë ecën populli, me këngë në çdo hap të ngjarjeve.

Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare ndau çetat dhe detyrat e sulmit në Gjorm dhe Kotë, në Tepelenë dhe Llogara, në Drashovicë dhe Jonufër. Sulmi i mesnatës së 5 Qershorit në të gjithë frontet, i befasoi dhe tronditi forcat italiane. Rrebeshi i forcave kryengritëse ishte i pandalshëm si vërshimi i orteqeve: ç’u derdën labët në brinja/ pritna breshka qëne pritna/ ju hodhën si vetëtima…

Mbas luftimesh shumë të ashpra, filluan të binin në duart e kryengritësve një nga një garnizonet më parë në Gjorm e Tepelenë. Dhe kënga e popullit regjistronte, për t’jua përcjellur brezave bukurinë e asaj lufte: Telat po venë e vinë, Kërkon Goti Piaçentinë / Qysh do bëjmë unë e tinë / Se shqipëtarët errinë / Gjorm janë e poshtë po vinë…  Po këtë bisedim telefonik e lanë të papërfunduar forcat e luftëtarëve të Shullërit të prira nga trimi smokthiniot Zigur Lelo: Obobo se ç’qenkej Kota / Më e bukur se Evropa / Bytym mitraliozë e topa… Por vrulli i kryengritjes popullore nuk pyeste për topa dhe mortaja, për tela dhe për istikame.  Asnjë pengesë nuk e ndalte shpërthimin e kryengritjes popullore, as ushtritë e panumurta, as armatimet moderne, asnjë nuk i bënte ballë forcës së pakufishme të dashurisë për atdheun e lirinë të bëra një me trimërinë dhe guximin, me mprehtësinë dhe zgjuarsinë, me besën dhe burrërine shqiptare. Garnizoni i Kotës bie në duart e forcave kryengritëse dhe gjenral Goti u vra: Në Kotë komita kur ra / U vra Ziguri në portë / U vra Zigur Lelua… Ra heroikisht ashtu si ishin vrarë dhe i gjyshi dhe i ati në luftë kundër pushtuesve osmanë; ai u vra për Vlorën e lirë, për tërë Nënën Shqipëri, me fjalët në gojë: Burra djemt’e Smokthinijot / O burra trima mbi ta. Ky është heroizmi shqiptar, që nuk pyet për therrorinë e vetë, por vetëm të arrihet qëllimi, çlirimi i tokës nënë.

Këtë heroizëm masiv popullor të kësaj lufte, kënga na e përshkruan me figura të fuqishme poetike, duke portretizuar me saktësi dhe me plot dritë trimërinë e luftëtarëve që sulmojnë pa ju trëmbur syri e pa iu dridhur dora, që hidhen me guxim të pashoq mbi llogoret e armikut duke u përleshur trup më trup me pushtuesit e mëmëdheut se ata janë bij të denjë të Nënës Shqipëri, të nënave të lavdishme shqiptare: ç’paskan pjellë ato nëna / paskan pjellë e bërë drera / luftojnë e s’u tundet këmba…

Këto këngë nuk janë thjesht fiksime ngjarjesh. Ato shprehin karakterin sa heroik, aq edhe popullor të luftës. Ato bëjnë me mjeshtëri të veçantë përgjithësime të heroizimit masiv, dhe virtyteve të larta të popullit tonë të farkëtuara këto nëpër luftra të përgjakshme për lirinë dhe pavarësinë dhe drejtësinë shoqërore. Këto këngë, duke pasur si shtrat lindjeje flakën e betejave kundër zaptuesve, duke u ushqyer me heroizmin e luftëtarëve buzë llogoreve, pranë bijve që derdhën gjak për mëmëdhenë duke fotografuar tmerrin, panikun, si dhe vrapin e armikut për tu mbyllur në Vlorë, ato na bien me madhështi dhe plot emocion gjithë atmosferën heroike të kësaj lufte: Flaka, tymi, zëri i këngës / lot foshnja në bark të nënës / Luftë e rracës arbëreshe / llogoret i berë sheshe…

Këngët popullore kushtuar Epopesë së Njëzetës në tërësinë e tyre janë një lëndinë në Valet e maleve tona, plot më lulë shumëngjyrëshe. Ato të gjitha kanë karakteristika të veçanta por edhe të përbashkëta që nuk mund t’i ndash. A ka përshkrim më të bukur dhe më të goditur  se për trimin që edhe pse i gjymtur nuk largohet nga fronti, por qëndron  dhe lufton me guxim dhe trimëri të pashoqe, ai nuk tërhiqet nga beteja, se akoma i rreh zemra, i sheh syri dhe i punon gishti. Ai mposht edhe vdekjen: Kanan Mazja nga Shkoza/ me një nofull copa-copa… Vetëm heroizmi shqiptar i përshkruar sa me vërtetësi aq edhe me solemnitet në këngët e popullit, tregon për këto trimëri të pashembullta: Kanan t’u prish bukuria / Le të rrojë Shqipëria / Shqipëria le të rrojë / ç’ka se mbeta unë pa gojë…

Përmendim një këngë tjetër popullore, me bukurinë e asaj epopeje: Në Sherishta m’u te fiku  / Ku bëri yxhym armiku / Bëri se ashtu i thanë / Shqipëtarët aty s’janë/ vanë të falën Bajramnë… Poeti popullor, zëdhënës i psikologjisë dhe heroizmit në tërësi të popullit tonë, në këtë këngë e sheh Epopenë e Vlorës nga një këndvështrim i veçantë, me vëmendje dhe admirim. Këtë veti, edhe Luftëtarët e Vlorës siç e thotë edhe kënga, e ngritën në një shkallë më të lartë.

Nga gurra e pashtershme e krijimtarisë gojore të popullit burojnë vargje që i kushtohet një prej figurave më të shquara të kësaj epopeje, trimit të trimave, Selam Musa Salarisë, luanit që zuri topin nga gryka, dhe mbeti i pavdekshëm me shikimin drejtuar mbi detin: Të vranë o Selam të vranë/ në Babicë përmbi hapsanë/ në qafë që sheh limanë… Vargjet e këngëve kushtuar Selam Musait, si një simboli të madh të pavdekshëm, janë të shumta, se me përmasa të mëdha është vepra dhe bëma e tij, është heroizmi i shpalosur në luftë dhe i derdhur në këngë, se trimat i duan dhe i nderojnë trimat. Dihet, po qe se kërkon të njihesh sa më mirë me figurat e luftëtarëve popullorë, njihu me këngët që janë ngritur për ta, se populli me vargjet e tij nuk u ka lënë asnjë mangët pa ua thënë e pa ua bërë në mënyrë të hollësishme biografinë e tyre. E kështu ndodh edhe me Heroin, Selam Musa Salarinë, që edhi pa filluar sulmi me 100 e ca djem nga Tepelena, trima me fletë të sprovuar në betejat me andartët shovinistë grekë në vitet 1914-1916, ku trimëria dhe pushka u’a ka zbardhur faqen e po kështu edhe në këtë luftë u’a zbardhi përsëri: ç’u dha komandën Selami / O djem se iku vatani / Vlorënë me gjak ta lani…

Heroizimi i luftës së Vlorës është masiv. Në këtë Epope spikat edhe pjesëmarrja e grave, ndihma e pakursyer e tyre. Kur u plagos rëndë luftëtari vranishnjot Sali Shkurti, e ëma e tij me kurajo dhe trimëri të pashoqe, zorrët e të birit që i dilnin jashtë, ja lan nga pluhuri e baruti dhe ja shpie sërish në vend. Gruaja në këtë luftë luajti një rol të madh si në vijën e parë të sulmit, si Sado Koshena me shoqe, po ashtu edhe në prapavijë që aq bukur e jep kënga: Eni shoqe t’u ndihmojmë/ Vëllezërve që luftojnë/ Tu shpiem bukë e fishekë / T’u hapën nganjë hendek… Kur i pa edhe gratë me pushkë në krah, agjenti Italian Ulise Bozo, që ishte dërguar nga komanda italiane për bisedime me Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Drashovicë, iku i tmerruar në Vlorë duka u’a përcjellë të saktë moralin e lartë të kryengritësve, gatishmërinë e tyre për të luftuar deri në çlirimin e plotë të Vlorës. Ja sa bukur e ka futur populli në këngën e tij, thënien e agjentit padronëve: Erdhi Bozua e thotë / Habere të mira s’ka/ O Mbret qysh do bëjmë na / Albania është e fortë / Luftojnë burra edhe gra…

Rënia në duart e kryengritësve e të gjitha garnizoneve, si dhe rrethimi në një darë të hekurt të forcave italiane brenda në qytetin e Vlorës e tërboi Gjeneral Piaçentinin. Ai nuk e kishte menduar dhe nuk donte ta pranonte këtë disfatë, por realiteti fliste kundër tij. Shpartallimi i plotë i ushtrisë italiane dhe fundi pa lavdi i gjeneralit i cili kërkonte të ndryshonte gjendjen: Gjenerali në Pallat/ Fryhej e desh të kesh plasë/ hëngri kokrrën e zhhivasë (helmit)/ Dërgoi për fluturaks (aeroplan)…. Por, as shantazhet e as dredhitë, as lajkat e as bombardimet e topave e avionëve nuk do i thyenin dot dallgët e kryengritjes popullore, vrullin e pandalshëm të luftëtarëve. Pushka me gjalmë mori garnizone e kala, vulosi topa e shoi “alitrika”, gremisi aeroplanë: Në fushë të Peshkëpisë / Aroplani i Italisë/ U këput e ra si mizë…

Kënga e popullit ka regjistruar dhe i bën “apelin” njërit prej luftëtarëve më me emër, ideologut dhe propogandistit më të shquar të kësaj lufte, jo vetëm për Vlorën por edhe Tepelenën e Gjirokastrën. Fjala e tij ngrinte peshë zemrat e fshatarëve dhe punëtorëve të popullit fukara, ndaj kënga flet: Të kish rritur Labëria / Djalë i popullit Halim/ Halim Xhelo trim o trim… Se Halimi ishte bir i rrallë i popullit, se jetoi mes popullit, se e deshi atë, se luftoi dhe u sakrifikua për popullin dhe Atdheun, ndaj mbeti i pavdekshëm: Halim Xhelua djalë i shquar/ Malit me Flamur në duar/ Populli nga pas çe muarr/ Ishin trima të kulluar…

Pika ku kishte mbështetur shpresat e fundit komanda italiane, ishte Kalaja e Kaninës. Për marrjen e saj nga ana e forcave kryengritëse u ngarkuan nga Komiteti i Mbrojtes Kombëtare çetat e Rrëzës, dhe ajo e Kaninës nën komandën e Sali Vranishtit dhe Beqir Velos. Çet’e Rrëzës u vërvinë / Majës së Vreshtave rynë/ Kapedan kishin Salinë / Trimn e madh zemërçeliknë… Luftime të ashpra u zhvilluan për marrjen e kalasë. Këtu shkëlqeu edhe njëherë me madhështi heroizmi i luftëtarëve kryengritës, guximi dhe trimëria, vetmohimi dhe shpirti i lartë i sakrificës, qëndrushmëria dhe gjakftohtësia, shkathtësia dhe zgjuarsia, burrëria dhe papërkulshmëria. Ja si e ka përshkruar poeti popullor plagosjen rëndë të Kapedan Sali Vranishtit dhe përgjigjen e tij: Bombat dhe gjylet e grinë / Tha në tel çorra kërcinë / Të mos helmon shoqërinë…

Përballë këtij heroizmi dhe garnizoni i fortifikuar më së miri i Kalasë së Kaninës ra në duart e luftëtarëve popullorë. Rruga për në Vlorë u hap, forcat pushtuese pranuan humbjen dhe filluan tërheqjen me turp për në vendin e tyre. Kjo u arrit me luftë e më gjak, me trimëri dhe heroizëm, me guxim dhe burrëri. Luftuan rreth 4000 luftëtarë, prej të cilëve 2000 ishin vlonjatë, dhe 2000 ishin tepelenas, gjirokastritë, mallakastriotë, elbasanas, korçarë, malësorë etj. Ranë në fushën e nderit mbi 400 dëshmorë.

Data 3 shtator 1920, ishte ditë feste dhe hareje. Luftëtarët hyjnë në Vlorën e lirë fitimtarë, me Flamur e pushkë në dorë e me këngë në gojë: Nuk e bëjmë kabull na / të jemi për nën botë/ Aferim o fukara / Që u vratë e u plagostë… Dhe vargu i këngëve, i valleve zgjatej e zgjatej pa mbarim, se i pakufishëm ishte gëzimi i fitores. Populli ynë ka shpirt dhe zemër të madhe. Ai urren  dhe lufton fuqishëm çdo armik, pushtues e tradhëtar e po aq fuqishëm dashuron e flijohet për tokën, për Atdheun e vet, për lirinë e Shqipërisë, për shokun dhe mikun e besës. Ndaj i kemi të paharruara këngët e atij 3 shtatori edhe sot: Rrofsh moj rrofsh moj Shqipëri / Rrofsh moj Korçë e Gegëri/ Lumthi ti moj Toskëri / Vlora e bëri beli…

Në konkluzion të këtij punimi, mund të themi se kënga jonë popullore për Epopenë e Vlorës ka si veçori:

Së pari: Pasqyrimi flakë për flakë dhe i menjëhershëm i ngjarjeve në këngë, kjo edhe për faktin se si luftë popullore, kjo Epope popullin e pati edhe si luftëtar, edhe si këngëtar. Ata vetë krijuan, vetë i kënduan poezitë, para dhe pas betejës.

Së dyti:  Kjo krijimtari e gjerë dhe e pranishme kudo si blerim në relievin e vendit, ka saktësinë e çuditshme të informacionit, ku vargu poetik është edhe dokumentacion arkivor për ngjarje, data, vende dhe njerëz.

 

Së treti: Kjo epikë popullore duke kënduar majat e ngjarjeve dhe të heronjve me dritën me të fuqishme ka një shtrirje të gjerë në përshkrimin e luftës popullore masive, duke e harmonizuar këtë me përshkrimin e heronjve dhe ngjarjeve më sublime.

Së katërti: Këngët e kësaj epopeje duke qenë sintetike e të kursyera në vargje, kanë densitet mendimi, me një figuracion që shpesh të befason.

Së pesti: Ndonëse ato kanë një thjeshtësi dhe qartësi të veçantë ku e bukura dhe poetikja, kënga i përçon gjithandej dhe lehtësisht idetë dhe mendimet, nëpër transparencën e thjeshtësisë dhe qartësisë.

Për Luftën e Vlorës, ashtu si për çdo ngjarje të historisë sonë, kënga ka vlerë të madhe dhe të përhershme dhe të pazëvendësueshme për kohën dhe brezat, për lexuesit dhe për krijuesit e arteve tona, dhe për mbarë popullin shqiptar.

 

Përgatitur nga Muhamet Tartari, Mjeshtër i Madh, në 60 vjetorin e Luftës së Vlorës, 2 Qershor 1980.

 

 

 

 

 

 

Share This Article
7 Comments
  • Lufta e Vlores qe nje Lufte e Popullit,qe nuk duron poshterimin.Luftrat e popullit mbare jane luftra te drejta.Populli e di VETE KE VENDOS NE BALLE..Po une ketu nuk e shoh Dashin Percor.
    Nuk e shoh Komitetin ne Beun.
    Nuk e shoh Osman Haxhiun,Qazim Koculin,Qazim Kokoshin,Alem Mehmetin,Hamit Selmanin,Hysni Shehun,Muhamet Hamzarain,Ahmet Lepenicen,,Komandante te pergjithshem ushtaraku i vjeter Ahmet Lepenica dhe pas tij Qazim Koculi deri ne fund.
    Pse?
    Sepse percoret i emeroi populli.
    E DI FSHATI KE KA TE PARE. Une ketu shoh vetem sekretarin dhe gazetarin e Komitetit Halim Xhelo,sepse ky ishte si bicim komunisti. Jooo nuk eshte e drejte,apo sepse Osman Haxhiu me te vellane u arratisen nga atdheu pas pushtimit sllavo-serb te enver hoxhes per t`i shpetuar terrorit te kuq.
    Nuk i zgjodhi Dushan Mugosha me Miladin Popovicin,keta tribune popullore!.
    Prandaj Lufta e Vlores mbeti Epope qe fitoi admirimin e respektin te gjithe Botes mbare,ndersa Lufta komuniste partizane u shnderrua ne nje lufte antishqiptare,vllavrasese, per interesat shoviniste te serbeve dhe grekerve

    • More Demo trakalici,/ ti ke tru sa ka kerrici. Osman Haxhiuun nuk e ka mohuar kurre historia, as gjate regjimit kpmunist. Edhe ne ate kohe kendohej : Osman Haxhi efendi,/ Te ishin dy a tri si ti,/ Do te behej Shqiperi.Ata qe u arrstisen pas clirimit ishin djemte e ti, Galipi dhe Muhedini. Ky i fundit ishte nje nga naziskinet e Vlores ku me firmen e tij iken ne kampet nsziste 400 bij te Vlores. Ky e turperoi bsbain, i cili ka vdekur ne 1937. 0sman Haxhiu, Ahmet Lepenica, Halim Xhelo, Sheme Sadiku, Sali Vranishti, Rrapo Celua, Kanan Mazja, Zigur Lelua, Isuf Rystemi, Toto Hosi, Memo Mete Brati, Selman Gjondeda, Thanas Beni, Beqir Velo e plote trima te tjere jani balli i krenarise vlonjate ne Luften e 1920_ es. Prandaj O Demo kerrici mos ha mut kot.

      • Patriot, je i sakte vella, edhe per Osmen Haxhiun qe vdiq ne 37-en, por ka disa pasaktesi nga regjimi komunist kur vjen puna te vleresimi i patrioteve.

  • Ja te tregoj une per Udheheqesit e Luftes se Vlores qe nuk i dini:
    C`i hypi Osmeni kalit
    Beri poshte buzes se malit
    Dergon karte Xheneralit
    “Dil Sterese e jo Limanit
    Breshkamadhi i breshkamadjit
    Te shohc te zot e vatanit
    Trimkat e Smail Qemalit.

  • Te thac per ata qe nuk i permendet kurre pas 1944 se i bete me biografi te keqe ballin e parise vlonjate.
    Ata komunistet qe u derguan ne kampet naziste mos ja ler si kopili ne dere djemve te Osmen Haxhiut,se LISTAT E KOMUNISTEVE I KISHTE ENVER HOXHA,
    Ky erdhi ne Vlore dhe ndezi gjakderdhjen,pritat dhe atentatet ne Vlore.Me pusullat e enver hoxhes u vrane 150 djem te Vlores dhe Laberise,qe shkoi atentatori i fundit Rrahman Parllaku ne rivarrimin e Pali Teroves pas 70 vjeteve dhe kerkoi falje.

  • Te thac per ata qe nuk i permendet kurre pas 1944 se i bete me biografi te keqe ballin e parise vlonjate.
    Ata komunistet qe u derguan ne kampet naziste mos ja ler si kopili ne dere djemve te Osmen Haxhiut,se LISTAT E KOMUNISTEVE I KISHTE ENVER HOXHA,
    Ky erdhi ne Vlore dhe ndezi gjakderdhjen,pritat dhe atentatet ne Vlore.Me pusullat e enver hoxhes u vrane 150 djem te Vlores dhe Laberise,qe shkoi atentatori i fundit Rrahman Parllaku ne rivarrimin e Pali Teroves pas 70 vjeteve dhe kerkoi falje..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *