Entela Resuli
Në vendin tonë, vera është stina që vendos më tepër në lëvizje njerëzit. Bregdeti është një nga zonat më të frekuentuara, por lumenjtë e liqenet nuk mbeten pas.
Ajo çka bën përshtypje, për vite me radhë është ndotja. Duket se e kemi shumë të vështirë të mbajmë një ambient të pastër jashtë shtëpisë.
Turistët e huaj na e vënë shumë në dukje këtë pjesë. Ata befasohen nga bukuritë natyrore e mikpritja dhe nuk kuptojnë se pse i hedhim plehrat gjithandej.
Por çka bën përshtypje gjithashtu është edhe ajo që ndodh sapo lë derën e shtëpisë. Ka lagje në Tiranë ku apartamenti kushton më shumë se sa 1 mijë euro metri katrorë dhe ata që banojnë në të plehrat i lënë në korridor!
Ditët e fundit është vendosur në qendër të vëmendjes qyteti i Durrësit, ku mbetjet kanë pushtuar atë, një situatë kjo e papranueshme në çdo kohë, aq më tepër në sezon turistik.
Për të komentuar këtë fenomen, por edhe për faktin se pse jemi kaq të pakujdesshëm ndaj natyrës në këtë drejtim, sot në Dita po sjellim një bisedë me ambientalistin, Lavdosh Ferruni.
-Z. Ferruni, ju keni vite që shfaqeni dhe denonconi ndotjen mjedisore në vendin tonë. A ka ndryshuar diçka kohët e fundit, apo kemi mbetur aty ku jemi në këtë aspekt?
Kemi bërë hap mbrapa.
-Sezonië është hapur dhe buzë rrugëve nacionale na shfaqen male me inerte, në bregdet për shkak të prishjeve të ndërtimeve pa leje, po ashtu, a është kjo një panoramë e denjë për pushuesit?
Është e pashpjegueshme dhe e papranueshme që prishjet e ndërtimeve pa leje bëhen në fillim të sezonit turistik.
-Turistët e huaj, sa herë që vijnë në Shqipëri, vlerësojnë bukurit natyrore të vendit tonë, por nuk e perceptojnë dot këtë aftësi që kemi për të ndotur gjithandej. Ju si e shpjegoni?
Kjo ka ndodhur qysh kur Shqipëria është hapur për turistët dhe vazhdon edhe më problematike sot, për shkak se mbetjet janë shtresëzuar kudo ku janë hedhur e hidhen cdo vit. Personalisht për arësye të angazhimit tim kam intervistuar qindra turistë në 20 vitet e fundit dhe nuk mbaj mend ndonjerin prej tyre që të mos kenë rrudhur buzët për peisazhin e ndotur me plehra, sic të gjithë kanë vlerësuar bukuritë natyrore dhe ushqimin lokal .
-Sipas jush, cilat janë zonat me të ndotura në Shqipëri?
Për mbetjet industriale Shqipëria ka pasur dhe ka gangrenë mbetjet e naftës, kryesisht në zonën që menaxhon kompania Bankers petrolium. Kurse për mbetjet urbane mund të bëj diferencë vetëm Bashkia Korçë, që ka pasur një vëmëndje më të madhe për menaxhimin e mbetjeve, ndërsa i gjithë territori tjetër i vendit është i ndotur, dhe ka ndotje të akumuluar në gropa ilegale plehrash e buzë lumenjve e përrenjve të vendit.
-Një nga problemet që po haset këto ditë është edhe çështja e mbetjeve në Durrës. Qyteti bregdetar që po përgatitet të pres turist është i mbushur nga plehra, si e vlerësoni këtë gjendje?
Pamja e shëmtuar e qytetit të Durrësit nga dëngjet e plehrave rrugëve të tij ishte vetëm për pak ditë sa për ti dhënë kredite Qeverisë se ajo është e aftë të zgjidhë situata, që për qytetarin janë shumë të ndjeshme dhe që zgjidhja e Qeverisë të jetë sa më pak e kontestueshme.
-Çfarë do të thotë për ju, ajo gjendje, ku koshat e plehrave janë të mbushura plot dhe aroma e tyre po e bën të vështirë jetesën në lagjet e Durrësit dhe fshatrat përreth?
Për mua koshat e mbushur plot e plehrat rrugëve nuk ishte shqetësuese, pasi ishte pjesë e kuptueshme e skemës, për të pranuar publiku zgjidhjen e paramenduar prej Qeverisë, skemë që do zgjaste vetëm pak ditë. E pa pranueshme ishte djegja e plehrave tek hidheshin jashtë qytetit për shkak të ndotjes kancerogjene që shkakton djegja e mbetjeve.
-Qëndrimi i tyre për disa ditë më radhe në kosha, çfarë sjell?
Veç aromës së keqe, duke ndenjur aty më shumë se 24 orë kthehen në toksike dhe mund të aktivizohen shumë infeksione, nga kalbëzimi dhe lëngjet që mund të rridhnin rrugëve.
-Si mund të zgjidhet sa më shpejt kjo situatë me Durrësin dhe rrethinat e tij?
Zgjidhja e shpejtë është dërgimi në një landfill tjetër, që mund të jetë i Shkodrës, Elbasanit e Tiranës
-A është Sharra një zgjidhje?
Sharra nuk është një zgjidhje. Në rastin më të keq Sharra mund të shërbej si landfill deri në ndërtimin e një landfilli të ri për Durrësin, 1-2 vjet.
-Për momentin, duket se Sharra është i vetmi Landfill në vend që i plotëson kushtet teknike për e depozitimin e mbetjeve, apo jo?
Siç përmenda janë edhe landfill i Shkodrës e i Elbasanit, por ky i Tiranës është më i afërt.
-Sipas jush, kur do të marr fund kjo historia e mbetjeve në vendin tonë?
Këtu tek kjo pyetje do ndalem pak më gjatë. Në gjithë këto ditë të shëmtisë së plehrave në Durrës nuk u përmend as nga ndonjë autoritet, as nga media fjala “riciklim”, fjalë shumë e lakuar para se të merreshin vendimet për 3 inceneratorët. Në Shqipëri me skemën e re të inceneratorëve industria e riciklimit është drejt zhdukjes. Por riciklimi do të thotë kthimi në produkt të së paku 50% të mbetjeve, që është e shkruar edhe në strategji, ndërkohë kur ka shtete që po i afrohen 80% riciklimit, si Sllovenia në rajonin tonë. Skema me inceneratorë është që mbetjet do grumbullohen me një rrymë, pra është harruar ndarja në burim, që gjoja nisi Ecotirana dhe rryma e mbetjeve do shkoj në incenerator dhe inceneratori do ti djeg mbetjet e do prodhoj energji elektrike. Kështu është e shkruar në letër dhe për këtë jane dhënë e vazhdojnë të jepen miliona euro. Fakti në incenerator në Elbasan tregon se inceneratori është aty një grumbull hekurash të blerë lirë e montuar si një fasadë që nuk prodhon energji elektrike, e që me gjasa merr energji elektrike pa pagesë nga OSHEE. Ky gjoja incenerator edhe mund të djegë disa mbetje, por nga djegja dalin shumë mbetje, ndoshta 30-40 % që shkojnë përsëri në landfill, por tashmë të konvertuara në mbetje të rrezikshme. Për këtë në incenerator të Elbasanit merren e shiten cmund të merren materiale të riciklueshme dhe pjesa tjetër shkon në landfill. E njëjta skemë po aplikohet në Fier. Inceneratori i Fierit në tregun dhe standartet europiane kushton 60 milion euro, ndersa kontrata per ta blere ate eshte deklaruar 15 milion euro, por mund te jete edhe me pak, me heqjen e disa milionave për tja kaluar fondit per rikuperimin e pandemisë, pra do kemi një fasadë të dytë. Më “spektakolar’ është inceneratori i Tiranës, që nuk egziston fare, por quhet incenerator. Në Sharrë është thjesht një landfill i zakonshëm, por që nuk grumbullon gazin që clirohet nga procesi i dekompozimit te mbetjeve. Skema është që edhe në Sharrë të kemi një incenerator të tretë fasadë, që nuk do të guxoj të djegë mbetje, pasi edhe nëse do të guxoj të djegë plehrat e Tiranës e të Durrësit, rreth 1000 ton në ditë, ndotja që do të emetoj, sic dihet ndër ndotjet më të rrezikshme të emetuara në planet, banorët e Tiranës duhet të migrojnë ku të munden. A ka zgjidhje? Akoma mund të ketë një zgjidhje. Zgjidhja duhet të ndodhë sot. Nesër do jetë vonë. Ndalimi ose rishikimi në themel i koncesioneve të 3 inceneratorëve dhe me fondet e caktuara për to të ngrihen kudo në bashkitë apo grupbshkishë të vendit “stacionet e transferimit të mbetjeve” dhe landfillet sic po bëhen në Korcë, Berat, Vlorë, por me standarte edhe më të avancuara, që të mund të grumbullohet gazi i dalë nga dekompozimi i mbetjeve. Dhe mos të harrojmë parandalimin e mbetjeve, sic harroi ministri Klosi, që pat thënë se më 1 Qershor do ndodhte ndalimi i qeseve plastike.

Fytyra e Rilindjes