Opozita parlamentare t’i mbajë sytë tek “çmimi” i madh i referendumit!

Ornela

Artan Xh. DUKA Prof.As.Dr.

Buzëkuq kalit të ngordhur!

Opozita në Kuvënd gjëndet sot para një zgjedhjeje. Të këmbëngulë deri në fund për ndryshime parimore në marrëveshjen e Këshillit Politik që pati “mbles” perëndimin apo të shohë përtej kësaj ujdie duke mbajtur sytë tek “trofeu” i madh që mbetet referendumi për sistemin zgjedhor?

Koha nxorri në pah shumë probleme me ligjin aktual zgjedhor dhe ndryshimet parimore që kërkon sot opozita parlamentare meritojnë debat por, edhe nëse gjëndet vullneti e koha për to, sërisht nuk prekin statukuonë e ligjit “spanjoll” dhe debati do vazhdojë. Nga listat e hapura që sërisht do serviren nga kryetarët, rishikimi koalicioneve dhe raporti me lirinë, depolitizimi në një shoqëri të politizuar në palcë, vota e emigrantëve që tashmë janë turistë etj.

Ndaj zgjidhja afatgjatë është një sistem i ri zgjedhor me referendumin si “kapak” dhe sot, pavarësisht farsës me Këshillin Politik, opozita dhe reformatorët në Kuvënd, kanë shansin historik ta fusin referendumin në axhendë. Nuk mblidhet mëndja duke i bërë buzëkuq “kalit të ngordhur” por duke hapur fletë të re e mos ia ndarë sytë “trofeu” të madh të referendumit për ligjin zgjedhor.

Vendosmëri por dhe urtësi njëkohësisht

 

Nisur nga konteksti ditës dhe koha në dispozicion, ultimatumet e sotme të opozitës parlamentare mund të komplikojnë më shumë sesa llagarojnë gjërat në vend.

Për dyshen PS-PD, ligji “spanjoll” mbetet tabu. Në një mënyrë apo tjetër, ato do ruajnë statukuonë dhe firmatarët e ndryshimeve në parlament do të ballafaqohen me intimidimin e rradhës duke rrezikuar jo vetëm fatin e amendamenteve por dhe kauzën madhore të referendumit më tej.

Edhe nëse pranohen ato, koha deri në zgjedhjet e rradhë, nuk është në favor të materializimit të ndryshimeve dhe kjo rrezikon të ngusë e nxjerrë gjërat çyryk duke provokuar paragjykime, tension e konfuzion në politikë e elektorat dhe pezulli me ndikim tek negociatat me BE e bashkëpunimin me partnerët etj.

Edhe pas ndryshimeve, problemet nuk do të shuheshin sa kohë mbetet ligji problematik “spanjoll” që në vetevete është produkt “nate” që nuk u “bekua” asnjëherë në referendum. Do u vihej “kapaku” për ca kohë por prapë do të rishfaqen një ditë.

Nga ana tjetër, marrëveshja e Këshillit Politik, u përshëndet de-facto nga perëndimi që ka “çelsat” e negociatave me BE dhe avancimin me reforma jetike siç është dhe ajo në drejtësi që në vetvete ka ndikim tek vetë respektimi votës në vënd.

Në këtë kontekst, opozita parlamentare nuk duhet t’i futë të gjitha vezët në një shportë dhe nëse aspiron reformë reale zgjedhore dhe faktorizim në politikë, duhet të përgatitet t’i japë prioritet mundësisë së votimit të kësaj marrëveshje duke shtuar kushtin e referendumit pas-zgjedhor.

 

Me referendumin, opozita parlamentare i bën nder demokracisë dhe vetes!

 

Nëse ka gjëra në dorë, opozita parlamentare nuk duhet të humbë mundësinë historike për referendum. Insistimi për lista të hapura, vota emigrantësh etj mund t’u dalë edhe huq ndaj referendumi duhet të jetë prioritar.

Opozita parlamentare as ka pse bën stoikun apo kokëfortin në politikë duke provokuar tymnaja si vegla të këtij apo atij, as ka pse ngre zërin se do gjuajë “topin” jashtë fushe e do prishi lojën krejt, as ka pse kuturiset me lista firmëtarësh dhe zhgënjime nga kush ndërron mëndje më pas etj. Ashtu siç politika e kulisave luajti tinëzisht duke ua bërë fakt të kryer ujdinë e saj, të bëjë dhe opozita “lojën” e saj në Kuvënd dhe pa lëshuar pe, “topin” e reformës që Këshilli Politik ua pasoi në Kuvënd, të kërkojnë t’i “pasohet” popullit në referendum!

Një miratim i marrëveshjes së Këshillit Politik, me kushtin bashkangjitur të referendumit pas zgjedhjeve 2021, nuk do të ishte kapitullim për opozitën në Kuvënd. Përkundrazi, do të ishte sjellje prej burri shteti e shënjë e emancipimit dhe tolerancës në politikë duke ia kaluar pastaj presionin PS për të miratuar edhe referendumin bashkë me të. Dhe në finale, materializimi e triumfi i referendumit do të ishte shënjë e urtësisë dhe pragmatizmit politik të opozitës parlamentare me mbresa e faktorizim afatgjatë në elektorat.

 

T’ia dalësh politikave të kulisave në “fushën” e tyre

 

Kushtëzimi i miratimit të marrëveshjes me referendum do digjte “kartat” e politikës së kulisave që ndoshta e shpresojnë një ngërç në parlament dhe lënien e fajit tjetërkujt për dështimin e marrëveshjes në fjalë.

Fundja, politika e kulisave e ka tabu ligjin “spanjoll” dhe nëse marrëveshja dështon të kalojë në parlament dhe ka ndikim negativ në rrugën drejt BE apo reformat në vënd, asaj aq i bën! Qoftë integrimi në BE apo bashkëpunimi me SHBA për reforma bien ndesh me mbijetesën e statukuonë e privilegjeve të politikës së përfolur për abuzim 30 vjeçar ndaj dhe rroftë sebepi me këtë rast!

Një miratim e kushtëzim i tillë i marrëveshjes do i dilte përpara bllofit të politikës së kulisave. Nëse refuzojnë referendumin, kanë punë me qytetarin. Nëse refuzojnë marrëveshjen për shkak të referendumit, kanë punë me SHBA, BE e qytetarin njëkohësisht. E vetmja hamëndje në këtë rast do të ishte pozicionimi i PS!

Miratimi i marrëveshjes me këtë kusht jo vetëm do të ruante “erzin” e marrëveshjes PS e PD por dhe do të shmangte presionin eventual ndaj opozitës parlamentare dhe tentativat për klientelizëm politik ndaj saj.

Një kusht si referendumi pas zgjedhjeve nuk do të kundërshtohej në parim as nga miqtë e partnerët ndërkombëtarë që i zuri fruthi me politikanët e kulisave dhe kanë hallin e reforma të tjera në vënd. Ata dëshirojnë një ligj zgjedhor që garanton stabilitet qeverisës si premisë për reforma pakthim por sa kohë stabiliteti garantohet, gjithshka tjetër është vlerë e shtuar për demokracinë.

 

Referendumi, ofertë që nuk refuzohet dot!

 

Nëse opozita parlamentare lëshon pe dhe në emër të interesit të vëndit dhe zgjidhjes afatgjatë, shpreh gadishmërinë për të votuar këtë marrëveshje, “topi” kalon tek PS e PD të mos refuzojnë kërkesën demokratike e të arsyeshme në kohë, siç është referendumi për ligjin zgjedhor pas zgjedhjeve të 2021.

Sa kohë fiton të drejtën e referendumit, opozita parlamentare ka fituar gjithshka.

Kur do duroi kaq gjatë, do duroi edhe katër vjet. Dhe nëse referendumi ndryshon ligjin zgjedhor, Kuvëndi do të ndryshojnë që të nesërmen teksa vetë deputetët e listave të mbyllura do dalin nga rreshti se e dinë që katër vjet ikin shpejt.

Dikur në Kuvënd, mes debateve pafund rreth tekstit të ligjit për median me preokupim rregullimin ligjor të lirisë së fjalës, një deputet propozoi (pak a shumë) një ligj-fjali “media është e lirë”. Një parim ky thelbësor demokratik që u mbylli gojën dhe pajtoi të gjithë.

E njëjta gjë me referendumin. Mes zallamahisë dhe akuzave reciproke rreth marrëveshjes PS-PD, të bien të gjithë dakort për miratimin e saj me kushtin e një referendumi më pas që si standart thelbësor demokratik mbyll gojën dhe pajton të gjithë. Një ofertë që nuk mund të refuzohet përveçse duke marrë përsipër kosto politike në elektorat.

Opozita parlamentare nuk ka pse driblon gjatë me “topin”e votës me amendime pafund. Mund të ngatërrohet me këmbët e veta, mund të cënojë predispozicionin për referendum, mund të humbë kohë të vyer boll! Nëse nuk ka hall karriken në Kuvënd por do “gol” për votën, të insistojë që “topi” t’i pasohet popullit në referendum.

Sepse çdo gjë ha debat por jo referendumi në parim! Ai mbetet “trofeu” i madh dhe opozita në Kuvënd bën mirë të mos ia ndajë sytë! Dhe nëse ia del mbanë e qytetari thirret në referendum, të shpalosë kauzën e votës së lirë e bëjë sytë katër sa kohë politika e kulisave mbetet nëpër këmbë.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *