Botërori, gati shorti i finaleve

anazapta

Të premten në 17:00 sipas orës së Shqipërisë do të hidhet shorti i fazës finale për Kupën e Botës Brazil 2014. Ndeshja e parë do të jetë më 12 qershor, ndërsa finalja më 13 korrik. Shorti do të hidhet në kompleksin Costa da Sauipe, në shtetin e Bahias. Spektakli do të prezantohet nga modelja bukuroshe Fernanda Lima dhe partneri i saj Rodrigo Hilbert. Do të jenë të ftuar ish-futbollistë legjendarë brazilianë si Pele, Romario, Ronaldo e Bebeto, me Fenomenin që do të ketë rol kryesor në short. Gjithashtu, do të jenë të pranishëm edhe ish-fitues të Kupës së Botës si Ghiggia, Zidane, Mateus, Kempes, Kafu, Kanavaro e Hërst. Për sa i përket skuadrave në short, Brazili si vend organizator do të jetë në vazon e parë, së bashku me shtatë skuadrat e para në renditjen e FIFA-s për muajin tetor: Spanja, Gjermania, Argjentina, Kolumbia, Belgjika, Uruguai e Zvicra. Në vazon e dytë do të jenë katër skuadra nga Amerika e veriut dhe katër nga zona aziatike: SHBA, Meksikë, Kosta Rika, Honduras, Japoni, Iran, Koreja e Jugut dhe Australia. Në vazon e tretë janë pesë skuadrat afrikane (Bregu i Fildishtë, Gana, Algjeria, Nigeria, Kameruni), dy nga Amerika e Jugut (Kili, Ekuador) dhe Franca, si skuadra evropiane me renditjen më të ulët. Në vazon e katërt do të jenë tetë skuadrat e tjera evropiane: Holanda, Italia, Anglia, Portugalia, Greqia, Bosnja, Kroacia dhe Rusia. Në grup mund të ketë maksimumi dy skuadra nga Evropa.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *