Këshilli i Lartë i Drejtësisë pritet të zhvillojë sot pasdite një mbledhje lidhur me skandalin e fundit në drejtësi. Mësohet se në rendin e ditës të kësaj mbledhjeje është parashikuar shkarkimi i kryetarit të Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, pas publikimit të videos në emisionin “Fiks Fare”.
Shkarkimi i Lleshit do ta çojë në katër numrin e personave të përfshirë në skandal, ndaj të cilëve merren masa.
Pak ditë më parë u publikuan regjistrimet, ku sekretarja Liliana Shkjau dhe kancelarja e Gjykatës së Pukës, Meliha Kuka, marrin në emër të gjyqtarit të çështjes, Shtjefën Lleshi, dhe prokurorit, Pëllumb Prençi, 5 milionë e gjysmë për të ndryshuar masën e sigurisë për të pandehurin, nga “arrest në burg pa afat”, në “detyrim për paraqitje”.
Transmetimin e pamjeve e pasoi shkarkimi i Shkjaut dhe Kukës, ndërsa një ditë më pas u shkarkua edhe juristi i burgut të Shënkollit.
Ndërkohë, i ftuar mbërë në emisionin “Shqip”, Pal Ndoka, personi që inicioi dhe bëri të mundura regjistrimet, rrëfeu se kishte paguar 45 milionë lekë të vjetra në total, për të shpëtuar nga burgu familjarët. Ndoka sqaroi rrethanat në të cilat kanë ndodhur arrestimet dhe kalvarin e gjatë me sekserët e zyrtarëve të drejtësisë në Pukë.
“Ne u arrestuam në datën 15 prill se bëmë një protestë kundër firmës “Beralt SH.A”. U arrestova unë si fëmilje, me vëllezër, djemtë dhe nipi, bashkë me tre banorë të tjerë të lagjes. Kjo firmë bëri një gabim të madh, bashkë me shtetin. E para që çdo lloj firme që do të hyjë në Shqipëri, duhet të ketë një marrëveshje akt-shpronësimi me shtetin. Firma mori tokën dhe shteti nuk na shpronësoi”, tha Ndoka.
“Në protestë kemi qenë 50 vetë. Erdhi policia e Pukës, pastaj e Shkodrës dhe pastaj RENEA. Policia në fillim mbajti qëndrim të mirë, por shefi policisë hyri në turmë dhe nisi përplasja, e aty ai qëlloi me armë. Plasi xhurma, na morën na rrahën aty brenda në makina, më goditën përtokë. Vajza e vëllai më ndihmuan. Mbaj mend që ka qenë edhe prokurori prezent edhe këtë nuk e fal. Pastaj përfundova në spital në Shkodër dhe ia kam borxh spitalit sepse më trajtuan në mënyrë të përsosur”.
Ndoka rrëfen se si nisi përpjekjet për të siguruar paratë që do t’u rikthenin lirinë familjarëve të tij.
“Më vunë në arrest shtëpie, e pjesa tjetër e familjes në arrest me burg. Nxora dhëndrin në fillim e me vëllain kontaktuam me telefon me Shtjefën Lleshin, gjyqtar edhe kryetar i gjykatës Pukë. Ai propozoi arrest shtëpie kundrejt 1 mijë dollarë e 1 milionë lekëve të drejta që ia dhamë djalit të tij. Çfarë u kërkua për të tjerët? Unë i kam dhënë 2 mln tek “Vizion +”, aty ka shtëpinë. Unë isha i sëmurë, mora leje erdha në Tiranë, u vizitova në Tiranë e në këtë moment e marr më thotë jam tek shpia. i them a mund të dalësh? Doli Shtjefni, e bëri pazar si me qenë pazar për bagëti. Për mua kërkoi 4 milionë për lirimin e plotë, për të tjerët histori e gjatë. Në fund e çova pazarin me djalin dhe vëllanë tim, 3 mijë euro për njeri për të dalë në detyrim paraqitje. Mbasi dolën në arrest shtëpie u çua pazari dhe kaloi 5.5 mln lekë. Unë paguaja ata dilnin një nga një. Kam paguar në total 45 milionë lekë”.

KLD,si gjithmon institucioni me i vonuar si ne emrimet e heqjet e gjyqtareve ashtu edhe ne luften ndaj korrupsionit, aty jane mbledhur se fundmi gjyqtaret me te korruptuar(me ndonje perjashtim), nga ata nuk ke se cfare pret per te bere e per te dhene drejtesi.
Ketij institucioni qe mbahet me litar ne qafe nga Presidenti N…(“S.Berisha”) dhe nje “kone” si E.Cefai i duhet treguar vendi me 85 votat e mazhorances ne parlament, boll me keta kameleon pushtetesh.Ky sistem drejtesie duhet cmontuar i gjithe ne kupole dhe pjeserisht ne baze ndryshe as mos mendoni se do te goditet ndonjehere korrupsioni ose t’i themi me mire “vjedhjet qe bejne ata me kostum e kollare”.