Vdeksha, vetëm për përsosjen tënde!

redaktor

 

Nga Bedri Islami

 

Në njërën nga poezitë e tij të hershme, “Padrejtësitë”, viti 1996, atëherë kur largimi, qoftë si mendim ishte i largët, Moikomi do të shpallte kredon e poetit dhe të Njeriut,

Jeta ime,

Jeta ime,

Vdeksha

Vetëm

për përsosjen

Tënde!

Tani Ai, i palodhuri i Madh, nuk është më dhe dhimbja njerëzore, kurdoherë e pranishme, si ndodh në rastet e largimeve të mëdha, nuk mund të shmangë pyetjen e së ardhmes: do të jetë vdekja e tij përsosja e jetës?

Dëshira e poetit është si agimet që mërgojnë ashtu si dallëndyshet. Çdo gjë e vdekur drithëron hapësirat, por ikja e Poetit është ndryshe, aq më tepër kur janë plagosur imazhet e fëminisë.

 

Njeriu që gjithë jetën synoi përsosjen e saj ikën duke bartur me vete pyetjen: Kush i dha kaq liri mendimi ndërgjegjes së tij endacake? Bota e tij ishte e pazakontë, ishte prej uji, nuk e digjte dot zjarri; prej qelqi shumëngjyrësh, kaleidoskop ku depërton e vërteta; fjalët e pathëna ishin mrekullia e të gjithë të dashuruarve të shekujve, i ideve të mëdha dhe të pellshme, ishte një ecje pambarim, deri aty ku i del e Përjetshmja e habitur, plot mall drite!

 

Do e përsosë Jetën vdekja e tij?

Në fakt ka ndodhur diçka tjetër, ai ka ndikuar në përsosjen e jetës. Ai, shpirt sfilitur, ka bërë të pamundurën që nata e tmerrshme në pragun e mëngjesit të jetë sa më e shkurtër, të rrokullisen orët e mallkimit dhe të rivijë drita, ashtu si ai e përceptonte, një pjesë të shpirtit të Shqipërisë.

***

Ai është poeti që hapi dyert e së ardhmes, duke sjellë një botë, e cila, nga e përmbysur u bë shkrepëtuese, në të cilën shqetësimi ishte njerëzor, aq sa ishte edhe fjala; ku klithma e Ajkiunës kishte ndalur hënën në qiell dhe ujvarat e rreshpeve mbetin pezull; poeti që trishtohej se gemat e degëve kishin mbetur pa dalë dhe ku vaji i Ajkunës, dhembja e saj bëhej muzg, pastaj vetë era bëhej kristal i çuditshëm me peisazhet përbrenda.

Poeti më i çuditshëm i Letrave Shqipe nuk priti vdekjen për të përsosur jetën, ai e ndjente atë në çdo varg që shkroi, në çdo mendim, përsiatje dhe filozofi autoktone, e ndjeu dhe e ndolli atë, ashtu si mbin nerënxa, me rrënjët në kaltërsinë e kripës dhe degët në kaltërsinë e Diellit, e risolli Jetën si një Statujë të gjelbër mbi piedestalin e shkumës.

Shpesh herë shihja tek Ai imazhin e De Radës, mbanë detit, i thinjur, i mbushur me jetë dhe dashuri, i gjithëditur dhe serioz, duke kërkuar në fundin e xhepave të zbrazët kotheren e fundit të bukës magjike, për t’ua dhënë njerëzve.

I tejmbushur me jetë, ai arrin nganjëherë në gjetje të pazakonta, të cilat të sjellin ndër mend Borgesin dhe Garsia Lorkën, por thellësisht shqiptar, i veçantë, i palodhur duke bartur mirësinë si Gurin e Sizifit, njeri i detit, pasioni i tij erri në mbylljen e paimagjinueshme të syve, detin –ëndërr, i cili na ndan, detin e lotëve të kripur të arbëreshëve, që i mbante të gozhduar larg vendlindjes si Prometeun dënimi i perëndive dhe, megjithëse thellësisht i lidhur me të, ishte gati të jepte zemrën, si diell në duar për të avulluar ujrat, vetë detin – që të vraponin tek brigjet e origjinës.

***

Shumë e shumë muaj përpara se të më vinte në një mëngjes herët, ora 5 e 9 minuta, mesazhi kob i Lidës, besnikes së përjetshme të Moikomit se, “ E paimagjinueshme, Moikomi na la”, kam menduar për vendin e tij në botës e së ardhmes.

Nuk e kisha menduar largimin e tij, të paktën kaq herët. Në vitet e fundit u mësuam me hyrje-daljet e tij në spital, por edhe me forcën e tij njerëzore për të përballuar të keqen.

Një vit më parë, kështu si tani, në spitalin ku i bënin kujdeset e duhura, por që nuk mund të besohej se aty qëndronte Gjeniu i njohur i Letrave Shqipe, ministri i dikurshëm i kulturës dhe Eruditi i përmasave europiane, ishim së bashku me dy nga miqtë e tij më të mirë, Arta Dade dhe Namik Dokle. Arta e kishte bërë të zakonshke të shkonte mëngjeseve me lëngun e sapo shtrydhur të frutave, Namiku të hapte shpirtin.

Katër miq të vjetër që dikur kishim qenë pjesë e asaj që quhej ngritja e së majtës. E pra, mjerisht, e majta e dikurshme, ajo që në strukturën më të lartë drejtuese kishte më shumë doktorë shkencash dhe figura të qëmtuara, dukej se e kishte harruar. E megjithatë ai mbeti njeri i së majtës deri në fund, si kishte ndodhur me shumë nga poetët e mëdhenj, me të cilët është bashkuar tani, jo vetëm në botën e përtejshme, por edhe në botën e artit. Në fund të fundit ai është me sivllezërit e tij, Neruda, Aragon, Pol Eluar, Garsia Lorkes, Borges.

Harresa politike nuk ka të bëjë me kujtesën e kombit. E para është meskine, e dyta është madhështore.

E vërtet, cili do të jetë vendi i Moikomit në të kujtesën e së ardhmes së kombit?

Shkrimtarë të shquar kanë pasur çastin e tyre të harresës.

Do e ketë Moikomi këtë çast?

Kur i mendoja të gjitha këto mezi prisja të isha në Tiranë, tek vendi i zakonshëm ku ai pinte kafenë dhe të takoja mikun dhe Poetin.

Në njërën nga këto ditë ai pyeti , ashtu qetësisht dhe i menduar, nëse në të ardhmen poezia e tij do të jetë e kuptuar nga njerëzit.

Si kam shkruar disa herë, nuk është një poezi e zakonshme, e çastit, e kësaj dite apo e një muaji tjetër. Ajo është tingëlluese, u tejmbushur me mendimin filozofik të një Poeti që e përceptonte botën ndryshe nga vdekatarët e tjerë dhe ku donte të ishte pjesë e tjetërsimit poetik të saj. Poezi e dashuruar marrëzisht me njerëzit.

Ajo është një Poezi si Llampa e Aladinit që nuk njeh difekte elektrike të kohës!

***

Në vitet e fundit ka pasur një simbiozë – Moikomi dhe gazeta DITA.

Dita nuk mund të përceptohej pa Moikomin dhe vetë Moikomi ishte i lidhur me gazetën DITA.

Kanë pasur diçka të përbashkët, apo, më saktë, shumë gjëra të përbashkëta!

Ai nuk e zgjodhi rastësisht atë për të bërë të njohur universin e tij!

Si duket ai e kishte pritur për të plotësuar atë që u mungonte njerëzve, të paduruar nga malli dhe dashuria për të zakonshmit, pikërisht për ata që, më shumë se sa politika, e quanin Moikomin njeriun e tyre, e përshendetnin në rrugë si të njohurin e domosdoshëm.

Në DITA  ai shkroi fjalë memoriale, që nuk i fshin askush nga tërë fjalorët e botës, fjalë të fillimit, si vetë gjeneza!

Moikomi ishte Poeti që ëndërronte edhe kur nuk flinte – fluturën e Ëndrrës së tij e ktheu në një zhgabonjë të ardhur nga planeti i pafund i dashurisë njerëzore!

Nuk e di se si do të bëjë DITA tani nga mungesa e tij, por, sikur asgjë tjetër të mos ketë bërë në të gjithë këto vite ajo, është e lumtur pasi shpërndau tek njerëzit një pjesë të Universit Moikomian!

“Sytë e të mirëve janë tunele madhështorë që depërtojnë malet për të bashkuar të dashurit – kohërat”, ka shkruar ai dhe DITA u bë pjesë e depërtimit të syve të Njerëzve të mirë!

***

Dialogjet me Moikomin ishin ujvarat e shpirtit!

Ai e respektonte fjalën dhe vetë përdorimi i saj si pak kush në botën e letrave shqipe është dëshmia e sjellë nga Poeti.

Fjala ishte për të Fillimi dhe Mbarimi i gjuhës, njësi e emërtimit, e kuptimit të parë dhe e shumësisë së emërtimeve.

Fjala ishte për të një lëvizje e brendshme, e vrullshme, herë – herë e përshfaqur si një uragan dhe herë të tjera si puhizë e pandjeshme, ajo ishte thebi i kuptimit, ndonjëherë edhe tjetërsimit, bumerang tingëllor, por edhe gurosje shekullore, muzeum i vetvetes, por edhe tempull ku falej poeti, ishte kod, boshllëk i pandjeshëm, humnerë që mbushet nga mirësia, Atlantida e përfytrimit që ende nuk është ngritur mbi det, është Ekzistenca e paraekzistencës, lum nëntokësor i pazbuluar dhe mendim i padukshëm.

Gjithë jetën ai e qëmtoi fjalën si pak kush tjetër, e bëri më të pasur, më tingëlluese, i dha të drejtën e shtetësisë të padukshmes, të harruarës, të larguarës, e bëri qytetare të botës fjalën shqipe, me të drejta të plota në familjen e madhe.

Fjala poetike e Moikomit nuk ka kohë dhe hapësirë, sepse është mishërimi i Kohës dhe i Hapësirës.

Asnjëherë nuk dëgjova nga ai fjalët mosdashëse dhe të përbuzura, që ndoshta i kishte në librat e tij në kontekstin e përdallimit, por kurrë në dialogjet e pafund, të cilat përherë kanë mrekulluar bashkëbiseduesit e tij.

Askush tjetër nuk ka një fjalor kaq të pasur, të shumëllojshëm, mesianik, të ndjeshme, të bollshme, fërgëlluese dhe universale në veprën e tij.

***

Grishja për të shkruar një libër për universin moikomian është e herëshme, e ngulitur, gjithnjë e perceptuar si një udhëtim nga e Panjohura dhe Verbuesja; një ide që ka qenë përherë e pranishme tek unë, duke përfytyruar atë koleksion të gjallë, të larmishëm, unitar dhe diabolik njëkohësisht; mesazh që më shumë më ka shpënë tek e ardhmja se tek e shkuara, përplasje Mendimi dhe Vizioni si ndodh me dallgët në koralet e gjelbëra; një ngarendje e çuditshme, përmes kohës, hapësirës dhe perceptimit; një dalldi shpesh e egër dhe më tej se kaq, kujtesë zjarrpërtëritëse dhe shpërthyese , e hapur dhe, në të njëjtën kohë, misterioze.

Ky – poet filozof dhe filozof poet –  nuk më ka lënë asnjëherë të sodis, të qëndroj i huaj apo i jashtëm, ftohtësirë akullnajore; në të kundërtën, si është pritur, ai të sjell momentet shpërthyese, drithëruese, më shpesh kryengritëse dhe djallëzore; ngre krye përmes përplasjeve, dialog i pafund me kohën e shkuar dhe parathënës i kohës së ardhshme, i pakufizuar, pasi kufizimi është marrëzi; i pathyeshëm sepse thyerja është nënshtrim; kërkues pasi kërkimi është etja e tij e pashuar; kryengritës sepse e urren përuljen, skeptik pasi dashuron marrëzisht të pazakontën, njeriu që nuk hesht sepse është në të drejtën e tij për të mos heshtur; përmbysës i normave dhe strikteve galaktike, në fund të fundit, arsyeja për të besuar në mitin sizifian të poezisë, prozës, meditimit, esesë, shkencës, politikës, filozofisë,artit, miqësisë.

I veçantë në llojin e tij, ai është i paimitueshëm, megjithëse idetë e tij, pasi marrin fillesën – bulojnë tek të tjerët. I dëshpëruar dhe i gëzuar njëkohësisht, i dashuruar marrëzisht dhe krijues i një perandorie të pashoqe, që nuk gardhohet dot dhe as nuk mund të ishte e sajuar, përtëritës migjenian i një bote tjetërlloj dhe risjellës i kumtit të Gjon Buzukut, De Radës, Mjedës, Poradecit, njëjtë si sjell ankthet e pa-uruara të Apolinerit, të Hajnes, Erazmit të Roterdamit, i lidhur me magjitë e poezisë së tij – nga hutimi i së bukurës – zërat që i dëgjon nëpër shkulmimin e detrave – balladat që kumbojnë nëpër tisin e natës – brengën e varrit të Buzukut – si një kumtesë e përshpirtshme jashtë kambanareve – surealizimin e çuditshëm si mjellmë e përgjakur – gëzimin e jetës të Horacit – gjurmët si ecja e ngadaltë në rërën e Currilave – poezinë hebraike dhe vrapimet e gazelës në brigjet e Nilit – një stil deri në çmenduri lakonik dhe kumbimi i ecjes së Hygoit nëpër natën e kishës së Zonjës Tonë parisiane – imazhet që vezullojnë dhe, në fund, vdekja, si substancë e filozofisë me përsiatjet për qenien apo mosqenien.

Poezia është ekzistenciale deri në thelbin e Mosqënies dhe të Verbimit, nëse filozofia ideon, poezia jetëson.

Përtej tyre nuk ka më asgjë tjetër thelbësore, janë lëvozhgët që bien nga kumti i moteve, përplasjet ballshëm me njëra tjetrën në këtë ankth diellor, ekstazë të pafund, diell dhe shpresë.

Shpesh herë poezia moikomiane të duket se është shkëputur nga traditat hebraike të Dhiatës së vjetër, herë tjetër është si rrjedhje burimore nga himnet fetare të Asirianëve dhe Egjiptianëve të Vjetër, më pas përplasen me poezitë e dashurisë së këtij trualli të habitshëm deri në Mosbesim se mund të ketë qenë, zanafillë e kohës në Fillimin e ngritjes së gjërave, kthjelltësim i dashurisë, Pasjetë e panjohur dhe enigmë danteske – ku, në cilin rreth të ferrit do të jenë poetët apo e Nëndheshmja ka përgatitur një parajsë të veçantë për to, zbërthim i kodeve të lashtë si në papiruset egjiptiane, hyrja triumfuese e Jezu Krishtit në Jeruzalem, endja mosiane e çifutëve nëpër shkretëtirë pa e ditur as-herë cakun ku do të ishin një ditë dhe shpërndarjen si kokrrat e orizit nëpër botën e gjithandejshme…dhe çuditërisht , një dituri që dikur është quajtur “dituria solomonike”.

Kufiri mes poetikes së madhërishme dhe konkretes së habitshme bëhet herë – herë i padukshëm, por nuk është vetëm kjo. Poezia e Moikomit të çon, me hir a me pahir, tek ideja e Ekzistencës apo e Mosekzistencës në raport me vetveten, me dëshirën, në raportet midis sendeve dhe pamjeve, dëshirës së hershme dhe mosarritjes së Ëndrrës – sa ëndrra kemi humbur në këtë rrugëtim të pashoq; në fund të fundit ai, si ndoshta askush tjetër në poezinë shqipe ka bërë Riformatimin e saj.

Për Moikomin, si për Çomskin, nuk është e rëndësishme se çfarë mbulojmë, por se çfarë zbulojmë. Duke mos e njohur kufizimin, nuk e tjetërson hapësirën; duke u endur në hapësirë – krijon përmasën e tij të veçantë – i egërsuar me vetveten – qetëson të tjerët – tiraninë e fjalës e vë në përmbysjen e tiranisë së kufizimit, marramendës si pak kush ka gjithnjë mendimin se fjalët nuk duhen mbajtur brenda vetes, por duhen shpërthyer; poezia e tij ka bërë ridimensionimin e saj. Eksplorues – që nga një reliev babilonas deri tek e kuqja e ndezur e Onufrit –  poezi tunduese në lëmin e fjalës – hutues i të papriturës.

Nëse ai ka mendimin se “secili njeri ka disa statuja brenda vetes, ato të paraardhësve të vet”, nuk e di se çfarë fshihet në brendësinë e tij; të shkuarit e shumtë janë të plotfuqishëm, tiranë në shpirtin e tij dhe nga kjo tirani e përbotshme ka lindur një poezi sui generis.

Dikur filozofi i vjetër grek Taleti ka thënë se të gjitha gjërat janë të mbushura me hyjni: enigma ime është se ku qëndron hyjnia e Moikomit.

Poezia është thelbi i tij. Ai është i mbushur me një hy të tillë.

Në fund të fundit ai është poeti që nuk i ka interesuar kurrë vetvetja, por e vërteta. Ka qenë princ dhe Skllav i të Vërtetës. Profet dhe shërbëtor i saj. Kryengritës dhe i Përulur. Mendim i saj dhe Fjalë Masakruese. Atlantida e dalë nga humbësira e ujrave dhe i Rebeluari i fjalës.

Nga të gjitha këto ka dalë poezia e tij.

Hyrja në në këtë botë të veçantë, shpesh herë përrallore e tronditëse, ka shkuar nëpër vramendjet e habitshme për gjuhën shqipe, me gjoksin e kthyer nga e kaluara dhe shikimin drejt ftillëzimeve që nuk përfundojnë asnjëherë. Ka ecur drejt origjinës për të shkuar drejt së ardhmes. Ka lëvizur në njërin kah dhe ka mbërritur në një kah tjetër.

Këmbëngulja e tij për të ecur nëpër skajëzimet nuk ka përfunduar asnjëherë. Ajo ka qenë një pasion dhe njëkohësisht një heroizëm i fshehur.

Ai thuri ngadalë, në më shumë se një gjysmë shekulli , në avlëmendin e tryezës së tij, atë shtrojë dhe mbulesë të panjohur në poezinë tonë, që nuk imitohet substancialisht, por përhap idetë nëpër detarinë tragjike të poezisë.

Poezia e tij të trishton e të gëzon në të njëjtën kohë, të përmbys mendimin dhe të ngjall dëshirën e rebelimit, të bën të padurueshëm nga etja për dashuri dhe të ngjall tragjiken nga mungesa e njeriut që do, që, duke e dashur në një gjysëm shekulli, e ndjen se mungesa e saj, një mungesë poetike është gjithnjë e më tragjike me kalimin e viteve.

Poezia është katharsisi i tij. Tentimi drejt së Panjohurës dhe Misterit është rendja e tij.

Ka kërkuar atë që nuk e ka gjetur dot dhe befas ka gjetur atë që nuk e kishte kërkuar kurrë, as ai vetë dhe as të tjerët përpara tij. I drobitur dhe i stërlodhur, ndryshe nga Sizifi në legjendën e tij, ai arriti që të lartojë gurin e madh në majën e lartësisë ku kishte synuar.

Poshtë tij shtrihet kontinenti i ideve, ishujt mes hapësirës së tij janë poezitë që kanë lidhur librat e tjerë.

Fjalët, idetë dhe liria kanë sjellë mbijetesën; më së shumti ka ndjerë disfatat e paturpëta se sa gëzimin e fitores – i ringritur – nga lënda e shqetësimeve të prushta dhe prometike  – nuk qetësohet dot dhe , si duket, qetësimi i tij do të jetë një tjetër ngjarje e largët – pasi ende nuk e ka shtjelluar gjithë atë që e ka formësuar – në fund të fundit , ai është poeti që është rebeluar gjithnjë, por që nuk e ka ndër mend, nga lodhjet dhe stërmundimi – të bëjë harakiri në poezinë e tij.

Diku, në librat e tij, Moikomi, duke shkruar për traditën e Buzmit bujar, domethënë të Kërcurit të posaçëm të zgjedhur dhe prerë me anë të një rituali në pyll për ta vënë në zjarr të vatrës në kullë për Natën e Solsticit të dimrit se , “Është e habitshme që kulti i një druri të thjeshtë si ai i Buzmit triumfonte ndaj pishës së krishtlindjeve që u bë një traditë universale në pragun e festës së Vitit të Ri”.

Më ka tërhequr gjithnjë ky mendim i mëvetshëm, nuk e di përse e kam përceptuar atë gjithnjë si një gjë e pangjashme me poetët, por e kam ditur që në Fillimin e Gjërave se poezia e Moikomit është si ai Buzmi pagan, i shfaqur sot në tjetërsime poetike, të pamundura në pamjen e parë, por të jetësuara mrekullisht.

Nuk mund të kuptohet arti kinez pa trinitetin, poezi, kulturë, filozofi, ka shkruar Moikomi.

Arti i Moikomit, po ashtu, nuk mund të perceptohet pa poezinë, kulturën dhe filozofinë.

Trinia e shenjtë e Moikomit shpesh herë ka thirrur në ndihmë  domosdoshmërinë e raportit mes Ngjashmërisë dhe Pangjashmërisë, praninë e Zërit apo të Heshtjes, Brendësinë dhe të Jashtmen, qytetërimin e Lashtë pellazgjik dhe enigmën e lashtësisë së misterit të largët të qytetërimit marramendës  kinez.

Poezia është rrënja e tij. Degët e tjera u kacavarën nëpër degët e saj dhe, nëse disa herë ia kaluan asaj, kjo nuk e përul pemën e ngritur me mund, përkundrazi shton ngjyrat, e bën me ekzistenciale botën moikomiane dhe përmbys përdallimet e rënies.

Njëri ndër librat e tij të fundit, mrekullisht befasues dhe ornament i mendimit është “Grifonë në shishe”.

Në fakt, Grifonët kanë dalë nga shishja.

Ndryshe nga Frederik Reshpja, i larguari i madh i poezisë shqipe, unë hyj tek ata që ende mendojnë se Moikom Zeqo është një poet i çuditshëm. Sikur asnjë shenjë tjetër të mos kisha, do ishte krejt i mjaftueshëm ky libër poetik, “Grifonë në shishe”, si një ardhje tjetër e beftë, trazuese dhe joshëse e poezisë sonë, dëshmi e vetvetes, krejtësisht i veçantë, ndërthurje e fjalës dhe e muzikës, me një mister procesor të tingujve, që në linguistikë janë zanore dhe bashkëtingëllore, në fund të fundit shpallja e një zhanri të ri të poezisë dhe të partiturave transcendentale të Scriabinit.

Te këndi i Mosgjësë ka veç pluhur

Ç’fuqi okulte i shndron pamjet, që shoh

E ardhmja ime është në qiell,si shiu,që s’guxon të bjerë?

 

Më tej….

 

Shtatë era më thërrasin

Por unë s’ju përgjigjem

 

Dhe dhimbjet e botës

S’kanë kujtesë..

 

..

 

Altarët janë,

Por mesha s’ka!

 

 

Më tej…

 

Vjen çasti i hidhur, kur unë në tërë pakohësinë e Vdekjes kërkoj brigjet dhe shtigjet, që shfaqen dhe zhduken, për t’u shfaqur dhe zhdukur përsëri, kërkoj portokajtë dhe statujat digjitale, që më rrëshqasin mes gishtave, – s’i kap dot, – kërkoj Qytetet e Lulekuqeve dhe shijen e opiumit, për prehjen e paskaj dhe dashuritë e Ëndrrës!

 

Trazimi i tij fillestar në këtë libër të madh është si të gjejë në këtë vorbull ekulibrin e ankthshëm, ku shegët e vetmuara në mal , – që nuk i pa askush, – janë si Kishat ku mungon Zoti përgjithmonë!,  mes thyerjes dhe harmonisë,ku synon ngritjen e një kontimenti që nuk ekziston;  mes muzikës dhe klithmës,  ku fara e Utopisë krijon argjëndin për Hënën e re; mes hirit dhe yllit të ndezur, ku jargavanët lëshojnë tërë aromën e tepërt të Ëndrrave të Dikurshme!

Jam krejt i një mendje me Frederikun e Madh të letrave shqipe, Reshpjen, se “ Moikom Zeqo njihet si një ndër shqiptarët më të kulturuar të të gjitha kohërave” dhe se “ nga një poezi e Zeqos mund të nxjerrësh 100 vjersha”.

Në përceptimin tim për poezinë moikomiane unë shkoj edhe më tej. Jam i bindur se ai është poeti më i çuditshëm i letrave shqipe. Por jam i një mendje me Reshpjen se, ndryshe nga mendimi i Skender Drinit, një tjetër i larguar i madh verior, ai është thellësisht i kuptueshëm; i kuptueshëm tani e ndoshta edhe më i kuptueshëm për brezat që vijnë. E di fare mirë përse më është ngulitur që kjo poezi do të jetë Grali i shenjtë ku brezat do të shohin fluturimin e ringjalljeve tona.

Do të ndodhë kjo sepse, më shumë se i ditës së tashme, ai është poet i së ardhmes. Kur mendja të jetë primare dhe shijet konceptuale. Kur thirrja poetike , Jepmë urdhër-të fluturoj –me të gjitha tufat e dallëndysheve të botës – është e sigurtë – se rrugën e kthimit do ta di – me siguri! do të jetë e kuptueshme jo më si një metaforë, dhe ai është mjeshtri i madh i tyre – por si një grumbull vetëtimash që shndritin në mesditën e Vjeshtës.

Moikomi është në fakt një poet i veçantë; ndër të veçantët e letrave shqipe – ai është më i veçanti; ndër ata që bëjnë udhën e kësaj poezie është i papërsëritshëm, zë unitar, i gjithë-çastshëm, depërtues dhe i pandalshëm, që, ndërsa ka thyer disa mure hapësinorë, është i gatshëm, që, duke bredhur jo nëpër majat e gishtërinjve, por me shakullimë, të sjellë dimensionet e zhuritura të mallit, të hapësirës, Zotat e rastësisë që janë të panumurt, Vizionin e Pamasë, ku ndërthuren dhe mpleksen Jeta dhe Vekja, Fati dhe Zotrat, Universi që lëviz dhe rrjedh përmes syve dhe Asgjësë, shkëlqimet e fjalëve plot dyshime brenda, shpejtësia e Ëndrrës përtej Ekzistencës, klithma në trojet e Heshtjes , dhe, përtej tyre dhe sëbashku me to, krijon një Religjion të ri poetik në nënfatin e poezisë shqipe, që të kapërthen, të rrëmben e të shqetëson përmes njëmijë vjeshtash njëkohësisht.

Të futesh në këtë Religjion të hapur poetik, ku portat janë shkallmuer prej kohësh dhe dekadatkanë ngritur sipëroret e ngjitjes, mund të të duket lehtësisht e arritshme, por dalja nuk është po ashtu. Në ujërat e detrave jugorë ku plakat e Dhërmiut kanë profile shekujsh dhe vetë Dhermiu të ngjan si Ëhitmani, me kapele resh në duart e rreshkura, atë e zë gjumi tek një univers, që vdes, kur zgjohet.

Dhe njëqind jetët e mia të dikurshme

I fal veç për një ditë mrekullish!

 

Për një ditë , – jashtë kohës, –

Të Vetmisë, që urtëson stuhitë!

 

Të futesh në këtë religjion të madh poetik që është krijuar jo nga Mosgjëja por nga Gjithëdija, fillimisht duhet ta përceptosh qartas se në këtë botë të plakur e njëkohësisht në Fillimin e Ngjizjes, nuk ka libra të rinj, por vetëm libra pa moshë dhe ky, “Grifonë në shishe”, si duket do të jetë i pamotshëm dhe i gjithëkohëshëm.

 

Si befasisht, pa e ndjerë, kohë mitike apo reflektim i së nesërmes, vjen çasti i mahnitshëm i ujrave poetikë, të cilat shndrohen në kopështet e ngazëllimit; vjen çasti i pabesueshëm, por, përmes poezisë njeh dhe prek Apostujt e vegimeve, si tek Ekzikieli ( 6:16), kur një fjalë e vetme të duket si zjarret e vegjël ndezur në kujtesën njerëzore dhe pakohësia e vdekjes kërkon brigjet dhe shtigjet, që shfaqen dhe zhduken, për t’u shfaqur dhe zhdukur përsëri, dhe, krejt në çastin e mbramë, sëbashku me të shenjtët e poezisë shqipe, vjen zëri i poetit, si një nimfë vetëtimore, me petka lulesh veshur, ndërsa kuajt jeshilë hingëllijnë nën pjergullat e stërkalave të dallgëve.

“Grifonë në shishe” të afrojnë gjithçka mund të të sjellë një libër poetik, një zhanër të ri të poezisë moderne dhe , për më tepër, postmoderniste; një libër të Reales – e cila kërkon të shfaqë përherë pamjen tjetër të saj në një Univers të ri, qoftë i mrekullueshëm a i tmerrshëm; të të afrojë paradokset e metaforave sublime, me të cilat ndërton një kozmologji të intimiteteve efemere, dhe, si ndodh gjithnjë në librat e tij, të Përjetësisë, e cila reflekton po aq Fundin sa edhe Fillimin.

Ëahtë një erë e çuditshme që sjell një stuhi madhështore.

Kur ai ka hyrë në rrugën e poezisë, student, është menduar se mund të ishte një dallgë e oqeanit poetik.

Nëse aso kohe ishte e vërtetë, tani është e mangët. Ai vë në lëvizje dallgët, forca e shtytjes vjen nga mendimi dhe lirshmëria e vargut vjen nga shpirti.

Është demon që qetësohet pasi ka hedhur zjarrin e tij dhe është ide që nuk zaptohet lehtësisht.

Fuqia e Njeriut rritet – dhe mbrin tek yllësitë!

Dhe hapat – e një Pasardhësi,-që tani –ndihen-në sallonin-e shtëpisë time-të vjetër- në Durrës.

 

Si quhet ai?

Nëse ka ardhur – nga e Ardhmja- me sytë e mjegullt,-s’ia shoh-dot fytyrën.

Dhe ai – vazhdon të ecë, – mes librave,- dhe pikturave,-sheh foton në mur,-ku  unë kam dalë,- me nënën dhe babanë,-dhe mendon,- për t’u rikthyer – tek yjet!

 

Besoj se kjo ide, rrënjë budiste e vazhdimit të jetës dhe e përsëritjes së saj, e ka ditur gjithëherë e nga do të shkonte, herë pas here të shtyn drejt humnerës poetike, herë të tjera drejt së Panjohurës.

Atij i shndrit në duar, si një grumbull vetëtimash, mesdita e Vjeshtës, duke sjellë ndër mend Buzukun, njërin nga të përkdhelurit e tij të mëdhenj, që ka lëshuar hijen e tij si anije zbulimtare e kontinenteve. Është i njëjtë me stërgjyshërit e tij piratë, njëkohësisht flakërim i madh i tribunës.

Të duket sikur Moikomi, përmes këtij libri, ka kaluar njëherësh, nëntë rradhët sketerrorë të Dantes dhe botën e dhunshme, të përgjakur e plot muzikë të Shekspirit; labirinthet plot enigma të Kafkës dhe rikthehet në Gralin e tij të Shenjtë; ka shkuar në të djeshmen e lemeritur dhe në të Ardhmen qiellore; ai, ashtu si shiu që nuk guxon të bjerë, është kapluar në fantazitë e Edgar Allen Po-së, por nuk i ngjan atij, sepse ndryshe nga shumë të tjerë, mundimshëm ai ka ngritur në këtë libër Babiloninë e Ëndrrave.

Përse është kaq i veçantë libri poetik “Grifonë në shishe”, çfarë sjell ai në botën e madhe të poezisë që i mungon asaj dhe që ishte e vështirë, peshë e rëndë të sillej?

Mendoj se mbi të gjitha është Ëndrra poetike.

I gjithë libri është përshfaqje ëndrre në një tru të nxehur nga flaka e mendimit, metaforës, dijes, shkëlqimit, enigmës, imagjinatës substanciale, fatit, humnerave yjësore, krijimit të një bote subreale përmes mendjes, endjes së rrokupujshme të historisë, Virtytit dhe Lemerisë, e gjitha përmes fjalës dhe muzikës së heshtur, si paradhoma e heshtur e një salle të stërmadhe të koncerteve simfonikë.

Ai ka krijuar botën e tij, gjysëm parajsore, gjysëm thellësisht njerëzore, ngre tempujt nga asgjëja dhe Asgjënë vetë e kthen në qiejt mbi Klepsidrën prej rërë të Ëndrrës; kërkon ekuilibrin e ankthshëm, mes thyerjes dhe harmonisë, mes muzikës , hirit dhe yllit të ndezur; rikthen Profetët dhe asgjëson Apostujt, dhe, të gjithë këtë, duke vërshëllyer mbi kaçubën e Kohës një testament shumë të vjetër.

Shumë kohë më parë, persiani i ditur Omar Khayyam pat shkruar se historia e botës është një shfaqje që Zoti, Zoti i shumëfishtë i panteistëve, projekton, vë në skenë dhe sheh, për me kënaqë përjetësinë e tij.

Kësaj here Moikomi bën shfaqjen e tij për me kënaqë hyjnitë e tij demoniakë dhe të urtë, shejtorët e fjalës shqipe dhe të dërguarit fuqiplotë të fjalës së mënçur.

Nuk e di se cila është ëndra e tij, në këtë libër, nga më të çuditshmit e poezisë së tij të çuditshme, por kam krijuar bindjen se misteri është njëra prej tyre; universi ka vendin e tij domosdo, pastaj, si nga një zgafellë humnerike, vijnë shumë të tjera, që, duke u përplasur me njëra tjetrën, krijojnë vorbullën e pashmangshme, përmes të cilave, ëndra, si autor shfaqjesh, krijon atë që, dy shekuj më parë, Addison-i e ka thënë me shumë saktësi, se “Shpirti kur ëndërron, është teatër, aktor dhe auditor”.

I gjithë ky libër është një ëndërr poetike, e mahnitshme dhe e krijuar përmes një poezie erudite deri në kufijtë e së pamundurës, por thellësisht një ëndërrr, dhe, si i tillë, ai të shfaq vegimin para dritës e më pas, dritën para territ, duke ecur në mbrëmjen e gjatë përmes një shumësie metaforash poetike, të cilat të ndalojnë, të bëjnë të mendohesh dhe , në fund, të përkulesh.

Unë i përkulem këtij libri!

***

Në çastet e para të dhëmbjes njeriu, ashtu si gjaku i ngrohtë nuk beson tek ndarja dhe i thotë vetes , “Bëje Zot ëndërr”.

Këtë i thashë vetes kur më erdhi mesazhi i Lidia e që në pak fjalë përmblidhte dhëmbjen një përmasë homerike.

Është nga ato ndarjet që nuk i ke besuar kurrë dhe nuk guxon ende as sot t’i besosh! Të duken të pamundura, aq të pamundura , sa që herë herë më shpien këmbët tek vendi ku takoheshim mëngjeseve dhe më bëhet se dëgjoj fjalët ngashëruese, “Erdhe , Bedriu im”!

Pak vetë, jam i bindur, besojnë se vërtet ka pasur një ndarje.

E aq më pak një vdekje.

Moikomi, shumë kohë më parë ka shkruar, “ E kam magjepsur vdekjen – nga shtrigë në nimfë e kthej!

Ai e ka populluar veten në mijra imazhe, të cilët më shumë ngjajnë me diej të vegjëj, pikërisht nga ata që vetë Ai dëshironte t’i mbante në duar si zemrën!

Përmes këtyre diejve ai ka bërë botën e tij!

Dhe, si ai vetë ka shkruar:

“Para botës rri,

I hapur

Pa të fshehta”

*****

Botuar në DITA. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

Share This Article
9 Comments
  • KUJT I DUHET DHE PERSE VLEN KJO DACIBAO E GJATE, PA FUND DHE KAQ MALLENGJYESE?

    sepse:

    Pervec se te ngreje frymen revolucionare te fanatikeve te Enverit qe jane depresionuar jo vetem nga vdekja e Moikom Enveristit te Partise, por edhe nga ngordhja apo shuarja e Komunizmit Bolshevik dhe nganjedhimi i Imperializmit Boteror kudo ne Rruzullin Tokesor qe i ka detyruar enveristet fanatike te Shqypnise te zbathin breket, te nderin bythen dhe te qisin llapen komuniste per t’i kerkuar ndihma Botes Demokratike dhe te luten papushim per antarsim ne BE, une per vete si intelektual properendimor jam i bindur se kjo dacibao e gjate dhe mallengjyese e enveristit fanatik Bedri Islami, nuk vlen per asgje tjeter, vecse:

    PER LETER BYTHE

  • Moikomi ; i thjeshti dhe i palodhuri edhe pse i tha vdekjes disa here “prit..”sic thoshte Dritero Agolli,nuk eshte me midis nesh,,por na la vepren e tij qe e ben te pavdekshem!
    Prehu ne paq Moikom i dashur per njerzit e thjeshte!
    Fatmir Xhamallati

  • Moikomi ; i thjeshti dhe i palodhuri edhe pse i tha vdekjes disa here “prit..”sic thoshte Dritero Agolli,nuk eshte me midis nesh,,por na la vepren e tij qe e ben te pavdekshem!
    Prehu ne paqe, Moikom i dashur per njerzit e thjeshte!
    Fatmir Xhamallati

  • Ti Intelektuali me letren qe permend ne fund te komentit ,nuk mund te fshish dot as syte,as mendjen e fytyres tende pasi nuk mund te ndyhet ne ate mase se bllokohen WC!Ti je nje pleh qe as dreqit nuk i duhesh,jo me njerzimit

  • Shpetuam nga fjalet merimanga,nga fjalet akrepa,si i quan Ismail Kadare orientalizmat dhe turqizmat,qe i kishin zene frymen gjuhes shqipe.
    Shpetuam nga Synopset,nga Palimpsesti.
    Keto merimanga te haureve byzantine nuk e nderojne Zeqon.
    Bijte e partizaneve xhahile ju versulen fjaleve te huaja per tu dukur te kulturuar.
    Pse?
    Sepse u mungon kultura ne thelb,,E KERKOJNE ATE NE SIPERFAQE.

  • Amam, ne qofte se doni qe moikomi te lexohet neser, aman hiqni dore nga kjo diarrhée verbale bedrijane !
    Perndryshe jo, dhimbjet e botes kane kujtese!
    Sidomos dhimbjet e botes Shqiptare, te asaj pjese te shqiptarise qe vuajti aq shume prej regjimit fanatik qe ngritet! Aq kujtese ka bile kjo bote e ajo bote sa kur rahat shpirti juaj nuk mundet me qene se ndergjegjia e juaj e di sa kriminel ishte ai regjim!
    Dhimbja kur nuk harrohet edhe po te fuam se ajo le vuajtjen edhe ne qelisat tona, per disa breza!

  • INTELEKTUALI i nevojtoreve,byth shpartalluar(GAY),qelbanik,i pafytyre,qe shet robt e shpis ,antishqiptar i felliqur,SHKERDHATE!!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *