“Nëpër udhët e dashurisë”– himn për dashurinë

J L

Nga Majlinda Rama

 

I pandalur dhe kërkues, studiuesi Nasho Jorgaqi, vijon të eksplorojë në fusha të ndyshme të krijimit letrar. Pas studimeve, prozës së gjatë apo prozës poetike, hajku ka qenë një ndër format e përzgjedhura prej tij për të komunikuar me lexuesin e vet dhe ia ka dalë për mrekulli. Me profesorin flasim rregullisht dhenë komunikimet tona për letërsi, autorë dhe tekste, kemi folur edhe për haikun si gjini letare, por edhe si një përvojë pak e ushtruar nga autorët shqiptarë. Jorgaqi, prej më shumë se një dekade, është marrë me këtë shkrim letrar, i cili nën forcën gjykuese të tij, rezonon si mesazh gjithëkohorë e i mençur.

Libri “Nëpër udhën e dashurisë” është botimi më i fundit i Nasho Jorgaqit, sjellë para pak muajsh për lexuesin. Janë tercina të një viti, 2018 – 2019, thuhet në hapje të librit, ndërsa autori sqaron se këtë botim ia kushton brezit letrar të viteve ‘60 të shekullit XX, për zërat solistikë dhe kontributet e çmuara që sollën në letërsinë shqipe.

Duket një nga ato shënimet që të ngjallë respekt dhe të kujton se, autorët e këtij brezi, jo vetëm që nuk reshtën së qeni të talentuar, por nuk kanë reshtur së respektuari njëri – tjetrin, si profesionistë të së njëjtës llogore.

Në këtë fazë të jetës, Nasho Jorgaqi na rrëfen udhët e dashurive, që, ashtu sikurse do ta përtheksonte thirrja aq njerëzore e Dante Aligeri “O voi che per la via d”Amor passate” (O ju që nëpër udhën e dashurisë kaloni),është një libër që të fton t’i shkelësh këto udhë emocionuese të autorit.

Po cilat janë rrugët e shkelura, pash më pash, të dashurisë së Nasho Jorgaqit? A janë vallë ato rrugë të cilat ai (autori) po kërkon të na i dëshmojë si të vërteta të historisë jetësore të tij, apo janë krijime letrare që zgjojnë vatrat e kuqe të lexuesit.

Tek e fundit, kur flitet për dashurinë, pak mendohet për rrethana reale apo insinuata imagjinative, mendja e parë të shkon në dashurinë universale, si ndjenjë, si proces, si kapje në çark e zemrës a mendimit.

Dhe, Jorgaqi nuk i ka shpëtuar kësaj, kur, që në fillim, thotë:

Nga dashuria dhe bukuria

Rrezikohemi përngaherë

S’jemi zot të vetes!

Edhe në këtë libër, autori vjen lakonik, siç e imponon hajku, por edhe lirik e urtak. Sikurse në librat e mëparshëm me hajku, “Nën hiret e bukurisë”, “Pëshpëritje”, “Zgjime shpirtërore”, apo edhe krijimet në prozë poetike, “Manastiri i dashurisë”, “Net të bardha të dashurisë”, “Dashuria nën qerpikë”, autori ka ditur të na rrëfejë pjesë nga shpirti i paanë i krijuesit gati shekullor. Janë krijime të mbushura me ndjenjë, shpirt rinor, shpresë, gjallëri, ngazëllim e nostalgji, dhimbje e jetë. Edhe ky libër tregon shpirtin e gjallë të njeriut, i cili nuk resht së qeni i dashuruar dhe nuk resht, po ashtu së kërkuari ta dashurojnë. Sepse, kjo ndjenjë është mrekullia dhe mëkati më i madh i njeriut mbi tokë. Por, në fakt, duket sikur një mesazh i qartë stampohet tej-e-tej zemrës së këtij libri, që tregon se dashuritë e vogla ta mpijnë ekzistencën, ato s’të lënë, as të ndërtosh një gjë madhe dhe as të mjaftojnë kurrë… dhe ti (njeriu) mbetesh pezull, në mjerimin iluziv të ndërmjetëm. Prandaj, Jorgaqi bën thirrje për dashurinë e madhe, për atë që mbijeton, atë që është pak më shumë sesa vetë njeriu.

Kur gjenden në shoqërinë e tyre

Gruaja heton sytë e të shoqit

Tek lëvizin, nga njëra vajzë tek tjetra.

 

Dhe tjetra:

 

Vetëm kur të humba ty

U ndjeva rrëzuar në humnerë

Gjysma e botës më mungonte.

 

Ose:

Si po më ikën vetja prej qenies sime

Nga një dekadë tek tjetra

Dhe s’do ç’do të mbetet nga unë.

Ndërsa për të vlerësuar kohën, si një rendje në vrapim pa fre, autori thotë se ajo duhet mirëmbajtur e mirëmenaxhuar.

S’je në vete, o miku im

Ç’po bën ashtu me ditët e tua

I shkel me këmbë e s’i përfill.

Dhe pastaj vjen pleqëria… ajo vjen tek secili. Siç e thotë Macuo Basio “Përse kaq fort,/ kësaj vjeshte e ndjeva pleqërinë,/ re dhe zogj” edhe Jorgaqi ia sheh asaj (pleqërisë) rrugët kryq e tërthor të mbyllura, teksa “asnjë rrugë në botë s’e qaste”… (natyrisht, s’e qaste as rruga e Asaj)…

Erdhi një ditë dhe pleqëria

E mbylli mes katër mureve

Asnjë rrugë në botë nuk e qaste.

Duket sikur gjithë ai vrulltim gjaku, ëndrre, shprese, kthehet në një relike e mbyllur atje, ndën katër mure, ku s’e sheh njeri, kus’e pret njeri, dhe imagjino se çfarë ndodh me trupin e  shpirtin njerëzor kur ndjen se nuk e pret askush, kur nuk gjendet as edhe edhe rrahje zemre për të matanë atyre mureve të ftohtë akull që mosha i vë secilit prej nesh. Dhe kjo gjendje, siç duket, e bën autorin të shpërthejë:

Ashtu si pleqëria s’të mbron nga dashuria, ashtu edhe dashuria s’të mbron nga pleqëria…”, duke hedhur poshtë atë shprehjen me të cilën, ne të vdekshmit, jemi mësuar të ngushëllohemi se, dashuria na mban të rinj.

Dhe vrapon autori, në humbje, në fitore, në triumfe, pra ecën me të gjithë komponentët e jetës njerëzore, me ditët e ngrohta e të ftohta, me netët e bardha e ditët gri, sepse, fuqia e shpirtit krijues di t’i kapërcejë çastet e privimit, i kthen ato në të zakonshme dhe thërret të pakapshmen, të përtejmen, atë që nuk nuk vdes edhe kur kthehet në një kujtim, edhe kur i përket përjetësisë.

 

Duhej të vinte pleqëria

Që ai dhe ajo pas shumë viteve të flisnin

Për dashurinë e madhe të fshehtë të rinisë së tyre.

 

Dhe, në një tjetër hajku, më tej:

 

Dashuritë e përjetshme, ku tjetër

Bëjnë jetën e tyre të vërtetë

Veç në manastire sipër qiellit.

 

Në mbyllje, desha të them se kjo formë krijimi e shkurtër, te ky libër vjen esencial, lexohet me sqimë, më tepër nga lexues të kultivuar dhe elitarë që e kërkojnë krijimin. Këto vargje mbeten dëshmia më e mirë e shpërthimeve të shpirtit, të cilat vijnë të shpejta, precize, si aksioma që të bëjnë t’i pranosh ashtu si vijnë. Jeta është e tillë, me të gjitha nuancat e ngjyrave, ajo mban pranë e pranë gëzimin dhe hidhërimin, betejat e kuqe, të bardha e të zeza, me të tjerët e me veten, ja, pra, njësoj si tek ky libër i Nasho Jorgaqit, i cili duhet lexuar si i tillë, sepse nuk bën kompromise me sipërfaqësoren, me lëmimin e relievit për të nxjerrë sipërfaqe të bukura…jo, ai është libër i jetës.

 

*

Nasho Jorgaqi, shkrimtar dhe studiues, doktor i shkencave dhe profesor, lindi në Ballsh, në vitin 1931, në familjen e një juristi. Pasi kreu studimet e larta për letërsi dhe gjuhë shqipe, punoi në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve, në Ministrinë e Kulturës, për disa dekada pedagog dhe shef departamenti. Është nderuar me urdhrin “Mjeshtër i Madh” dhe urdhra të tjerë vlerësues. Është nderuar me Çmimin e Republikës, Klasi I dhe çmime kombëtare e ndërkombëtare, është Qytetar Nderi i Qarkut të Fierit, Elbasanit dhe Dropullit, si dhe doktor “Honoris Causa” i Universitetit “Fan Noli” etj.Gjithashtu, Instituti Amerikan i Biografive e ka nderuar me medaljen e  Artë të Nderit, kurse Qendra Ndërkombëtare e Kembrixhit në Angli e ka përfshirë në librin “Njerëz të shquar të shekullit XX”. Ka botuar me dhjetëra libra në gjini të ndryshme letrare dhe shkencore, si dhe është përkthyer në gjuhë të ndryshme, si: frëngjisht, rusisht, italisht, greqisht, në gjuhën kineze.

Share This Article
2 Comments
  • nje shkrim i kendshem dhe nje vlersim i bukur sidomos ne mbyllje me … ky libër i Nasho Jorgaqit, i cili duhet lexuar si i tillë, sepse nuk bën kompromise me sipërfaqësoren, me lëmimin e relievit për të nxjerrë sipërfaqe të bukura…jo, ai është libër i jetës
    respekte per profesorin qe nuk ndal se habituri me thellesine e mendimeve qe shpreh e te duket vetja si midis dy boteve apo dy jeteve

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *