Policia austriake ka zbuluar se “porositë” për trukimin e ndeshjeve në kampionatin e Austrisë vinin nga Tirana dhe lojtarët e korruptuar merrnin si shpërblim nga 25 mijë euro, ndërkohë që bastet shkonin deri në 300 mijë euro për çdo ndeshje. Këtë e ka zbuluar agjencia austriake e lajmeve, APA, e cila u referohet raporteve të policisë së vendit të saj. Andreas Hercog, hetues federal, deklaroi në një konferencë për shtyp se 30 lojtarëve të përfshirë në operacionin “Rinas” u janë kontrolluar shtëpitë në Vjenë, Salcburg, në provincën Karinthia dhe Austrinë e Poshtme. Hetuesi tha se investigimet në rang ndërkombëtar janë shumë të komplikuara.
Lojtarët i merrnin shpërblimet për ndeshjet e trukuara në autostrada apo parkingje të ndryshme, por në raste të veçanta kanë ardhur edhe në Tiranë për të tërhequr paratë. Kapfenberg akuzohet për humbje të qëllimshme më 2008 e 2010, por ka pasur edhe raste kur nuk lojtarët kanë mundur të bënin detyrën, si në një ndeshje kundër Rapidit të Vjenës dy vjet më parë. Duhej që miqtë të shënon dy gola, por me gjithë rastet e shumta të krijuara Rapidi shënoi vetëm një gol. Për këtë arsye, një nga futbollistët ka pasur probleme serioze. Në Tiranë, atij i është marrë pasaporta dhe gjithë natën e ka kaluar i mbyllur në një dhomë hoteli.
“Ditën tjetër më kanë dërguar te një noter, ku kam nënshkruar një letër, në të cilin shkruhej se kam marr borxh 200 mijë euro, të cilat duhet t’i ktheja për 2-3 muaj”, ka thënë në dëshminë e tij futbollisti. Pas kësaj ngjarje, janë manipuluar me sukses disa ndeshje, si Kapfenberg-Insbruck 0-1 dhe Kapfenberg-Salzburg 0-1. Në verën e vitit 2012, Kapfenberg, ekip i dyshuar për nëntë ndeshje të manipuluara, ra në ligën e dytë, ndërsa fiksuesit e rezultateve un kthyen nga një skuadër tjetër, Grodig, por një numër ndeshjesh ka rezultuar i pasuksesshëm dhe shumë shpejt janë zbuluar. Lojtarët e marrë në pyetje kanë treguar se kanë pranuar ryshfetet nga 25 mijë euro për shkak se kjo shifër është sa dhjetëfishi i pagës mujore, 2500 euro, ndërkohë që në ligën e dytë paga mujore është edhe më e ulët, 1500 euro.
Dy shqiptarë në burg
Prokuroria e Salzburgut preu para disa ditësh urdhër-arrestet për gjashtë persona të implikuar drejtpërdrejt në skandalin e basteve, dhe midis tyre janë edhe dy shqiptarë, të identifikuar me emrat Ilir N. (51 vjeç) dhe Arben T. (42 vjeç). Ata akuzohen për manipulimin e 17-19 ndeshjeve, duke filluar nga viti 2004, në të cilat janë përfshirë 30 lojtarë aktivë apo ish-lojtarë, ku për të paktën 20 prej tyre është provuar tashmë fajësia. Vendimi për gjashtë të ndaluarit duhet të jepet ne një afat prej tri javësh. Dy shqiptarët u arrestuan në operacionin me emrin e koduar “Rinas”.
