“Topi i Artë”, Platini: Një garë si kurrë më parë

redaktor

Mishel Platini, tri herë fitues i “Topit të Artë” në ditët si lojtar, thotë se gara e këtij viti është më e forta në historinë e këtij trofeu. Pretendentët e mëdhenj janë tre: Leo Mesi, Kristiano Ronaldo dhe Frank Riberi. Platini, tani president i UEFA-s, flet për favoritët, ndërkohë që nuk e sheh si problem vendimin e FIFA-s për të shtyrë afatin e votimit. “Favoritë mbeten Mesi, Kristiano Ronaldo dhe Riberi. Dy të parët janë lojtarë shumë të mirë, por Riberi ka fituar gjithçka. Tre lojtarë të mëdhenj dhe në këtë aspekt mendoj se vendimi i këtij sezoni është edhe më i paparashikueshmi”, thotë Platini. Francezi kthehet tre vjet pas në kohë, duke thënë se më 2010 trofeun e meritonte Ksavi ose Iniesta, megjithatë e mori Mesi, që gjithsesi mbetet një lojtar shumë i madh për të. Duke qenë vetë tri herë fitues, Platini e pranon se “Topi i Artë” është vërtet emocionues, edhe pse një lojtar kurrë nuk e fiton i vetëm. “Ky trofe të jep një krenari të madhe personale. Gjithsesi, bëhet fjalë për një çmim që e meritojnë të gjithë shokët e skuadrës, me të cilët ke luajtur, sepse në futboll mund të fitosh vetëm falë lojës së grupit. Për të tre trofetë kam ndjerë të njëjtin emocion. Në shtëpi kam vetëm dy prej tyre sepse njërin ia dhurova presidentit Xhani Anjelit, për muzeun e Juventusit”. Më pas, Platini përqendrohet te Fair Play financiar që synon frenimin e investimeve të çmendura që prishin tregun e futbollit, por edhe tek çështja e trukimeve. “Në UEFA kemi ngritur një institucion të pavarur që studion deri në detaj çdo rast. Të gjithë po monitorohen dhe duhet të respektojnë Fair Play financiar. Trukimet janë një problem real, sepse nëse një ndeshje vendoset përpara se të luhet, atëherë futbolli ka vdekur. Duhet të punojmë të gjithë së bashku për të denoncuar dhe hetuar çdo rast të dyshimtë. Racizmi është një tjetër gjë, sepse manifestohet nëpër stadiume. Gjithsesi, mendoj se këto janë dy probleme të cilat mund të luftohen në bashkëpunim mes shteteve përkatëse dhe UEFA-s”.

 

 

Share This Article
1 Comment
  • MESSI ,eshte me i madhi i te gjitha koherave ,sepse te jep kenaqesine qe KURRE futbolli nuk Na ka dhene perpara se te cfaqej GJENIU MESSI .
    MESSIT i takon prape ky Trofe .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *