Rënia e temperaturave, dhe nisja e dimrit shton edhe infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, të cilat përbëjnë problemet më të zakonshme për gjithë jetën e njeriut, në mënyrë të veçantë për fëmijët dhe të moshuarit. I ftohti luan rol në uljen e rezistencës së përgjithshme të organizmit, duke u bërë kështu më të ndjeshëm ndaj infeksioneve respiratore, sidomos moshat që përmendëm më sipër, të cilat janë edhe më delikate. Një faktor tjetër mjaft i rëndësishëm për këto infeksione janë edhe kontaktet më të ngushta jetësore me njëri-tjetrin dhe grumbullimet masive (kopshtet, çerdhet, shkollat, konviktet, repartet ushtarake apo edhe kafenetë e tejmbushura në stinën e ftohtë dhe të ndotura me tym duhani). Sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes ndryshojnë shumë për nga simptomatologjia (klinika), duke filluar që nga gjendja asimptomatike (pa shenja klinike), e deri te pneumonitë e rënda, ndonjëherë edhe vdekjeprurëse. Në foshnjat dhe fëmijët e vegjël vërehen forma të rënda dhe përsëritëse. Me rritjen e moshës kemi edhe forcimin e imunitetit të organizmit, kështu që edhe këto infeksione bëhen më të lehta dhe më të rralla. Këto sëmundje përbëjnë edhe shkakun kryesor të mungesave në punë e në shkolla, por gjithashtu këto përbëjnë edhe një nja shkaqet kryesore të abuzimit me antibiotikët. Mjekia infeksioniste Ilda Xhelili tregon për lexuesit e gazetës “Dita”, format se si shfaqen këto infeksione dhe këshillat që nuk duhen neglizhuar për të shmangur sa më herët ndërlikimet që vijnë prej tyre
Por, cilët janë shkaktarët kryesorë të këtyre infeksioneve?
Njihen më shumë se 200 lloje virusesh që shkaktojnë infeksione respiratore akute. Pjesa më e madhe e tyre janë të aftë të japin atë që në gjuhën e përgjithshme njihet me emrin “rrufa stinore”, ose ‘’katarri stinor”. Ky term është përdorur për të përshkruar këtë sindromë përpara se të zbuloheshin shkaktarët e ndryshëm të tij. Me termin “rrufë”, përshkruhet një gjendje që karakterizohet nga zënia e hundëve dhe shtim i sekrecioneve të tyre, teshtima të shumta, djegie të fytit e të kraharorit, si edhe një diskomfort (parehati) të përgjithshëm të organizmit, shoqëruar me temperatura jo shumë të larta. Shumica e infeksioneve virale të rrugëve respiratore mund të japin një klinikë të tillë. Sidoqoftë, ndër shkaktarët më të shpeshtë renditet të jenë grupi i rinoviruseve, virusi sincicial i rrugëve respiratore, viruset e paragripit. Kurse viruset herpetike lokalizohen më tepër në faring dhe në bajamet.
Si përhapet sëmundja dhe cila është klinika e saj?
Rrufa është e pranishme në të gjithë botën, sidomos në stinën e dimrit kur ulen temperaturat. Transmetimi i sëmundjes bëhet nga personi te personi me kontaktet e ngushta nga spërklat e pështymës dhe të teshtitjes, por edhe nga duart e palara, kur takojmë personat e infektuar. Infeksioni në këtë rast përhapet duke fërkuar sytë ose duke futur gishtat në hundë. Prandaj edhe higjiena e lartë personale përbën një hallkë të rëndësishme në profilaksinë e këtyre sëmundjeve. Kjo rrufë zhvillohet pa temperature, por rrallë mund të ketë temperaturë me shifra të ulëta. Sëmundja shkon deri në shtatë ditë, por kur shkon më tepër, lind dyshimi për komplikacione. Komplikacionet mund të jenë :”Infeksioni i veshit të mesëm ose sinusitet”.
Çfarë rekomandohet në rastet kur jemi me rrufë?
Terapia është kryesisht simptomatike. Mund të përdorim paracetamol, ponstan, ibuprofen për uljen e temperaturës dhe qetësimin e dhimbjes së kockave e të muskujve, vitaminë C. Gjithashtu, përdorimi i avullit të nxehtë luan rol pozitiv në lirimin dhe rrjedhjen e sekrecioneve të hundëve. Antibiotikët nuk luajnë rol mbi viruset, por në rastin e mbi-infeksioneve që përmendëm, ata përdoren në bazë të gjykimit të mjekut.
Cili është trajtimi që duhet të ndiqet për të shmangur komplikacionet që vijnë nga këto lloje infeksionesh?
Ashtu siç e theksova edhe më sipër, përveç terapisë specifike që përcaktohet nga mjeku sipas rastit, kanë rëndësi të madhe edhe përkujdesjet e përgjithshme. Përdoren barnat për uljen e temperaturës, lëngje e çajra të ngrohtë, ushqime të lëngëta, regjim shtrati sipas rastit. Përsa i përket profilaksisë, rëndësi ka higjiena e lartë personale e sidomos larja e shpeshtë e duarve, shmangia sa më shumë të jetë e mundur e grumbullimeve, sidomos në kafenetë e ndotura me tym duhani që nuk bëjnë ajrosje të rregullt apo nuk u funksionon sistemi i aspirimit. Infeksionet virale respiratore mund të bëhen faktorë favorizues për infeksionet bakteriale respiratore, sidomos tek ata që vuajnë nga sëmundje kronike. Në këtë rast mund të përdoren çdo dimër ato që quhen vaksina antibakteriale e që përshkruhen nga mjeku.
Komplikacionet nga bajamet e infektuara
Përveç rrufës stinore, mjaft të shpeshta në stinën e ftohtë janë faringitet dhe tonsilitet akute (infeksioni i bajameve). Në këto lloj infeksionesh viruset ndikojnë më pak dhe shkaktarët më të shpeshtë të tyre janë streptokoku A dhe B, stafilokoku dhe mycoplasma. Më i shpeshti ndër këta është sterptokoku, qoftë i grupit A apo B. Në këto raste është i domosdoshëm përdorimi i antibiotikëve por e theksoj përsëri, gjithmonë me udhëzimin e mjekëve. Përsa i përket klinikës së këtyre infeksioneve, kryesore është dhimbja e fytit, vështirësia në gëlltitje, temperatura e cila mund të shkojë në shifra të larta, diskomfort i gjendjes së përgjithshme të organizmit, dhimbje muskujsh e kockash. Përveç mjekimit specifik rekomandohen edhe këshillat e përgjithshme, si për shembull përdorimi i lëngjeve dhe i ushqimeve të lëngëta (sepse kanë vështirësi në gëlltitje), çajra të ngrohta dhe në varësi të gjendjes së përgjithshme regjim shtrati.
Infeksionet nga viruset paragripale
Tjetër nozologji e shpeshtë në këtë stinë janë infeksionet nga viruset e paragripit të cilët ndahen në katër tipa, e në shumë nëntipa. Në të gjitha grupmoshat që prek, periudha e inkubacionit shkon 5-6 ditë. Më rëndë e kalojnë foshnjet dhe fëmijët. Këto infeksione kanë të përbashkët trakeobronkitin, bronkiolitin (fëmijët deri në 1 vjeç) dhe bronkopneumoninë. Në fëmijët më të rritur sëmundja kalon më lehtë, zakonisht ajo nuk i prek mushkëritë. Kurse te të rriturit këto viruse shkaktojnë “katarr stinor” me kollë, rrufë e ngjirje zëri. Por, të rriturit mund të kalojnë dhe trakeobronkite të rënda me ethe dhe temperaturë. Si ndërlikim i shpeshtë i këtyre virozave, sidomos te fëmijët e vegjël, është otitis media (infeksioni i veshit të mesit).
Kush duhet të tregojë kujdes !
Infeksionet nga viruset e paragripit kanë të veçantë se rikuperimi është i ngadalshëm, kolla vazhdon më gjatë si edhe shenjat e tjera. Kujdes duhet të tregojnë edhe të sëmurët me sëmundje kronike, sidomos ato të mushkërive, zemrës dhe veshkave. Mjaft të shpeshta janë edhe sinusitet si komplikacion. Prandaj është e këshillueshme që përveç trajtimit të përgjithshëm në shtëpitë tona, kur pacientët vënë re një zgjatje tej të zakonshmes të ‘’rrufës stinore”, si edhe kur kemi dhimbje veshi apo sinuesh (në zonën e mollëzave të faqeve ose dhimbje koke në zonën e vetullave) nuk duhet të hezitojnë për t’u paraqitur te mjeku, i cili përcakton edhe terapinë specifike në këto raste.
Bronkitet e bronkopneumonitë
Një ndërlikim mjaft i shpeshtë dhe ndaj të cilit duhet treguar mjaft kujdes janë bronkitet dhe bronkopneumonitë. Theksoj edhe një here që kur ‘’katarri stinor” shkon më tepër se ajo e zakonshmja (5-7 ditë) e sidomos kur kolla nuk shkon drejt qetësimit, por drejt ashpërsimit dhe shtimit të gëlbazës dhe temperatura bëhet rezistente, atëherë jemi përpara ndërlikimeve serioze që kanë infeksionet virale, siç mund të jenë bronkiti dhe bronkopneumonia. Mjaft delikatë ndaj këtyre komplikacioneve janë fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.

flm per keshillat a mund te me ndihmoni menje numer te dok ila xhelili ose ku viziton pasi duhet te coj babin pa tjeter ju faleminderut