Lufta e Vlorës dhe shpartallimi i garnizonit të Kotës

Ornela

Me rastin e 100 vjetorit të Luftës së Vlorës

Agim Jazaj

Vlorë, një emër paskëtaj, me historinë e Shqipërisë; me lidhje të zgjidhshme. Dy data: 1912 dhe 1920, dy ngjarje, dy flakë. E dyta plotësoi të parën, e mbaroi, e forcoi, i dha shkëlqim, e bëri të vërtetë, reale, e shpëtoi prej mjegullës dhe dyshimit. E para i hapi udhë të dytës, po e dyta i dha trup së parës, e bëri më të pashme, të gjallë, me shpirt, me frymë”…Edhe pas 100 viteve, vargjet e këngës, kanë skalitur fortë: ngjarje dhe data, akte dhe heronj kumbojnë në vite, vijnë me klithmat e ditës, në ditët e sotme, pas viteve, duke na kujtuar Luftën e Vlorës, të 1920-s:

“Vlorë copëza stërralli,

Të ndrin shtati, të qesh balli”…

Dhe këngët derdhen nëpër vite, këndohen në brezat, ruhen në sepetet e moçme, hapen në përvjetorët dhe shpërndahen në gjithë krahinat e Vlorës- Legjendare, në gjithë vendin, dhe për gjithë kombin…

*Lufta e Vlorës, e vitit 1920 kulmon në historin e popullit shqiptar, e organizuar dhe të bashkuar nga patriotët më në zë të kohës, njerëzit e dijes, të pushkës dhe të haberit, u mblodhën dhe vendosën në Beun të Vajzës:

“Në Beun kur u mlodh,

Dymbëdhjetë komision…

Dhe morën vendime të rëndësishme për të çliruar vatanin, nga pushtuesit fashistë. Komitetit Kombëtar nën drejtimin e patriotit të shquar Kryetarit të këtij Kuvendi Osmën Haxhiu, dhe nën komandën e komandatit të Luftës Ahmet Cane Lepenica dhe Komiteti Kombëtar i përbërë nga trimat, luftëtarët dhe dijetarët, nga gjithë treva e Labërisë, Vlorës dhe jo vetëm, por dhe nga Tepelena, po vendosnin fatet e vendit. Kudo, bijtë e shquar që nga Rrapo Çelo, e Kanan Maze, Sado Koshena e Hysni Shehu, Sali Murati e Zigur Lelo, Selam Musai etj, vendosën dhe u hodhën në Luftën e Vlorës, në vitin 1920, e cila zgjati për 3 muaj luftime të ashpra, dhe shënohet në gjerdanin e artë të historisë si: Ndër epopetë më të lavdishme, pjesëza të asaj Lufte i këndohet dhe sot pas 100 viteve:

Ranë komita në Kotë,

Komita në Kotë ra,

Si në Kotë edhe më poshtë,

Majë vreshtave të mëdha,

Çeta Kudhës po luftonte,

Me drejtim për në Kala,

Vallë kush i komandonte,

Rrapo Çelua nëpër ta…

Përpara portës me bojë,

Vritet Zigur Leloja

Bravo djemtë e smokthinjote,

U vranë u bënë lakëra,

Bolenës hallall i qoftë,

Për ata trima që dha!

Vargjet na çojnë largë dhe na sjellin të afërt figurat e patriotëve, të atyre burrave që e donin vatanin, shitën pasurinë për të bërë Shqipërinë, antitezë e këtyre që: Grabisën Shqipërinë, për të vënë pasurinë…Vargjet e poetit Ali Asllani, më thotë miku im i pendës Kristo Mërtiri, utromaksin gjumin mëkatarëve, i ndjekin pas, edhe në botën tjetër…

Koha dridhet e përdridhet,

Prej gradimit katër shkallë,

Nuk do mbetet gjë në dorë,

Vëçse vul’ë e zezë në ballë…

Një ndër Patriotët, udhëheqësit dhe luftëtarët e kësaj Lufte: Rrapo Çelo Kudhësioti, me çetën e tij të Kudhësit, në këtë epope, la pas për brezat, epopenë….Jeta e tij, nëpërmjet veprës, i kapërceu kufijtë e fshatit, krahinës duke u bërë një figurë e madhe e kazasë, krahinës së “Kudhës Grehotit”, të Labërisë, Vlorës, dhe të vendit, duke i rezistuar dhe apeluar kohës… Në moshën 24 vjeçare, në momentet më të vështira të atdheut, kur plaku i mençur, diplomati i Vlorës, Ismail Qemali, luftonte nëpër Europë, për të ngritur shtetin shqiptar, për të njohur kufijtë e Shqipërisë, Rrapo Çelua ndiqte me shumë vëmëndje, gjithë evenimentet historike, reagimin e shteteve të mëdhej dhe përkrahjen që i jepnin prijsit të Pavarësisë Kombëtare. Rrapo Çelua sqaronte: “Së shpejti do të vij dita të njihen kufijtë e vendit tonë. Edhe ne do të kemi shtetin tonë, Flamurin Kombëtar, që mbajti Skënderbeu lartë për 25 vjet luftë”. Në ditët e para të Nëntorit të vitit 1912, me 300 djem e burra të krahinës së Kudhësit, të organizuar në repartin luftarak, nën komandën e tij, mbërrijnë në Vlorë, për t’i dalë përpara ç’do të pa priture, në mbrojtje të Qeverisë të sa po krijuar të Ismail Qemalit. Bashkë me popullin e Vlorës, dhe të krahinave të tjera të vëndit, pritën me gëzim e krenari ardhjen e Ismail Qemalit, nga Durrësi. Me shpalljen e pavarësisë, ngritjen e flamurit në Vlorë dhe krjimin e qeverisë provizore, Rrapo Çelo dhe trimat e tij, kudhësiot u vunë në mbrojtje të kësaj qeverie të brishtë, qëndronin në gatishmëri për të bërë çdo sakrificë. Rrapo Çelua dhe shumë burra të tjerë të krahinës, u ngritën më këmbë, rrëmbyen dyfekët, kur forcat greke zaptuan pabesisht Korçën dhe Gjirokastrën dhe mbërritën në Tepelenë e Kurveleshin e Poshtëm. Ushtria greke masakroi barbarisht 40 e ca burra në Hormovë më 1914, i cili hedh dhe lë si testament në faqet e librit të vet, edhe veterani i njohur Manxhar Binaj. Fundi i luftës së Parë Botërore, e gjeti Shqipërinë, pothuaj të coptuar. Rreziku i ndarjes së saj ndërmjet Serbisë, Malit të Zi, në veri, Italisë dhe Greqisë në Jug, ende ishte kërcënues. Pas pazarllëqeve që bën grekët e italianët në kurriz të Shqipërisë, këta të fundit, u ngulën këmbëkryq në ishullin e Sazanit, në gjirin e Vlorës, në Himarë, Kotë e deri në Tepelenë. Për të bërë të përjetshëm sundimin e tyre në këto zona, ndërtuan garnizone të fortifikuara me bunker, tela me gjemba e llogore. Në këto kushte populli i këtyre trevave, mbeti i robëruar, i nënshtrohej shtypjes së egër, barabare. Në këto rrethana përfaqsuesit më të mirë, trimat dhe atdhetarët e popullit të Vlorës, Tepelenës e Mallakastrës, duke pasur dhe përkrahjen e gjithë popullit shqiptar, u mblodhën në Baçardha, më 3 qershor të vitit 1920, nga ku u morën vendime të rëndësishme, përballë gjeneralëve me spaleta, u ngritën gjeneralët, atdhetarë nga e gjithë treva e Labërisë, Vlorës dhe jo vetëm, me “diplomën” e atdhedashurisë dhe të së vërtetës, për të mbrojtur nderin, dinjitetin, truallin amatar. Në atë kuvend burrash, atdhetarësh, u zgjodh një këshill prej 35 anëtar, nga i cili u zgjodh dhe komandant i Luftës: Ahmet Lepenica, i cili pas 6 dtësh dha dorëheqjen dhe vendin e tij e zuri Qazim Koculi. Shtabi gjithashtu zgjodhi edhe komandantët e luftës, i përbërë prej 12 anëtarësh:

1-Osman Haxhiu, Vlorë

2-Qazim Kokoshi, Vlorë

3-Azbi Cano, Mavrovë

4-Alem Mehmeti, Tragjas

5-Hamit Selmani, Dukat

6-Beqir Agalliu, Vlorë

7-Duro Shaska , Kocul

8-Murat Miftari, Tërbaç

9-Ali Beqiri, Velçë

10-Hysni Shehu, Sevaster

11-Myqerem Hamzaraj, Kaninë

12-Sali Bedini, Armen

Dhe kuvendi i BEUNIT, nën kryesimin e patriotit të shquar Osman Haxhiu, vendosën njëzëri për t’u ngritur në luftë gjithë populli, për të hedhur në det okupatorin, për të çliruar Vlorën. Në të dy këto Kuvende u përcaktuan detyrat për ç’do fshat e krahinë. Aty u zgjodhën dhe drejtuesit kryesor, komandantët që do të organizonin e drejtonin veprimet luftarake, në çdo zonë, në luftën çlirimatare, të pa barabartë. Në krye të krahinës së Kudhësit, si udhëheqës e komandant, u caktua Rrapo Çelua. Thirrjes patriotike të Rrapo Çelos, për t’u ngritur në luftë kundër pushtuesit i’u përgjigjën, i pari: Kanan Maze me burrrat e djemtë e fshatit Shkozë, Murat Xhelili me ata të Dushkarakut, Rexhep Sulejmëni, me ata të Vajzës, e me radhë, nga gjithë krahina e Kudhës Grehotit. Më 2 qershor të vitit 1920, batalioni i Kudhësit, nën komandën e Rrapo Çelos, u nis për në Beun. Në këtë mbledhje historike, ku foli kryetari i Mbrojtjes, Osmën Haxhiu, i cili i’u drejtua vlonjave dhe jo vetëm me thirrjen: “Duke filluar nga ky moment, ne i shpallim Luftë pushtuesit italian, që na ka zaptuar me forcë Vlorën, Sazanin, trojet tjera nga: Tepelena, Kota, e Himara”. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë kuvend u betuan: “Të vdesim për dhenë e shtrenjtë, të vdesim për Mëmëdhenë”! Komiteti i Mbrojtjes në Beun, të Vajzës dha objektivat dhe objektet e sulmit për çdo çetë, fshat e krahinë. Për Çetën e Kudhësit u caktuan si objekte: Garnizoni i përforcuar i Kotës, si një rajon i rëndësishëm që lidhte, Vlorën me Tepelenën dhe grykën e Mesaplikut, i cili mbrohej me një regjiment fanterie, nga 150-200 trupa. Komanda e garnizonit armik të Kotës, e përfshirë në panik i përgjigjet dhe kënga e gdhendur:

“Telatë po ven e vinë,

Punon Kota me Kaninë,

Gjenerali me Zabinë,

Se shqiptarët errinë…

Më 4 qershor të vitit 1920, pas organizimit të forcave të krahinës së Kudhësit, ku u përfshinë djemtë trima të Sevasterit, Shkozës, Golimbasit, Dushkarakut, Mazharit, Ploçës e Amonicës, u grumbulluan në qafën e Ploçës dhe nisën marshimin nëpërmjet Dorbërit, Harvalasë, Brusnje e Belik-Hysoverdhit, në bashkëveprim me çetat e Smokthinës, Mavrovës, për të sulmuar e shpartalluar garnizonin e Kotës. Në orën 03 të natës, luftëtarët trima të Kudhësit, nën drejtimin e Rrapo Çelos dhe heroit Kanan Maze, u hodhën në sulëm. Në këtë përleshje, për mungesë të armëve dhe monicioneve, u përdorën edhe sopata, hanxharë, kosa, madje edhe sfurqet… Për të përmendur është rasti i luftëtarit; Zyber Bejto Kudhësiotit, nga Dushkaraku, i cili me një sfurk në dorë, me zvarritje, i shkoi ushtarit italian në llogore, i vuri sfurkun në fyt… Dhe kënga legjendë i thuret legjendarit:

Luftoi Zyber Bejtua,

Me shkopin në dorë,

I shtriu të vdekur,

Pushtuesit, një taborr…

Më 5 qershor të vitit 1920, forcat e krahinës së Kudhësit, Mesaplikut dhe të fshatrave për rreth, shpartalluan plotësisht garnizonin e Kotës. Në këtë betejë, u plagos edhe Kanan Maze, nga Shkoza, Hero i Popullit. Pas marrjes së garnizonit të Kotës, forcat e Kudhësit, nën komandën e Rrapo Çelos, në bashkëpunim me forcat e Mesaplikut, të komanduara nga Sali Murati dhe ato të Selam Musait, ndoqën këmba-këmbës, deri në qafën e Sherishtës, në Kalanë e Kaninës, në qafën e Koçiut, deri sa hodhën në det zaptuesit italian. Aksionet për marjen e qëndrave të fortifikuara dhe beteja për çlirimin e Vlorës, u realizua me një përleshje të përgjakshme. Jehona e kësaj lufte u dëgjua dhe u përhap si rrufe, jo vetëm brenda Shqipërisë, fqinjve, por edhe në kancelaritë europiane. Populli i vogël shqiptar, pa përkrahjen e askujt, u ndesh me një armik të pa barabartë, si në numër, ashtu dhe në armatim. Në këtë luftë frontale, që zgjati gati tre muaj, u derdh gjak me okë, për të lulëzuar kjo tokë…Vlora u çlirua, zaptuesit u hodhën në det. Këtë betejë e gjejmë të gdhëndur në vargjet e rapsodit, në këngë e përjetësuar, skalitur në mëndjen dhe shpirtin e popullit:

“Qaf’e Koçiut moj grykë,

Ç’hata bëre atë ditë,

Me topa me alitrik,

Katërqindë e ca shehit…

Katërqindë e ca të vrarë,

 

Vallë qysh e dhanë xhanë?

Pa bukë e pa njeri pranë…

400 luftëtarë ranë për çlirimin e Vlorës, në Luftën e 1920-s, dhe mbeten në përjetësi, në memorien e kombit…

 

Share This Article
3 Comments
  • Mirenjoihje per Autorin e Njohur Vlonjat z. Jazaj i njohur qe pasqyron me vertetesi dhe profesionalizem ngjarjet e djeshme te sotmet, gjithashtu penda e Tij eshte edhe nje Udherrefim per te nesermen!

  • Ore, Bravo e madhe autorit Agim Jazaj.
    Burrat e Vlores kane ndritur Kombin. Eshte koha qe te mblidhemi perseri se po na shet Rama si delet Jugun, detin te greket dhe Veriun te serbet.
    Lavdi luftetareve te Vlores!
    Vlora Vlora, beja forra, bjeru mor ju lumte dora

  • Ka nje foto qe vlen sa.1000 fjale.Kolonel Kasem.Sejdini me.luftetaret elbasanas gati per tu nisur.ne Vlore.per the.luftuar italianet.Pse nuk.e.permend historija jone kete.fakt ? More.me.things.nje.site.nje.mik:/Ku kemi ne histori? Nje nje.foto tjeter.me Vlore Luftetari kombtar kol.Kasem.Sejdini.eshte.me.Qazim.Koculin,kryekomand.e Luftes. Se Vlores.Respekt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *