Kur nuk ke tjetër çfarë të thuash

redaktor

Kremtimet ndaras të festave të nëntorit, përveç diskutimeve të pashmangshme, që tashmë na janë bërë të neveritshme, pasi ata që nuk duan ta dinë nuk “po e gjejnë” dot se “kur iku gjermani i fundit nga Shkodra”, kështu që ne populli, si më të pafuqishmit e Europës që jemi, si robotë të telekomanduar, kthejmë kokën sa në një anë, në tjetrën, për të dëgjuar çfarë thonë “baballarët” e kombit nëpër daljet e tyre publike.

Në morinë e katrahurave që sjell kjo mospërputhje pikëpamjesh, paçka se ka një nen kushtetues, i cili e quan 29 Nëntorin Festë të Çlirimit, gjë që bëri edhe presidentin ta shkelë vendimin e partisë së tij, pra në këtë kakofoni, u gjet edhe një sebep për të shtuar decibalët e zhurmës së zakonshme. Kjo qe dalja e disa fotografive të diktatorit tek varrezat e dëshmorëve, të mbajtura nga disa nostalgjikë, të cilët prisnin radhën që, pas ceremonisë zyrtare, të shkonin të bënin “adetin” e tyre dhe sipas tyre.

Mirëpo kjo lëvizje spontane e disa veteranëve të luftës, të cilët, ashtu si kushdo tjetër, kanë të drejtën e tyre të mendojnë si të duan dhe të mbajnë në duar e në shtëpi fotografinë e kujtdo që e shohin të arsyeshme, ka prekur kundërshtarët politikë të shumicës parlamentare, të cilëve u janë bashkangjitur edhe ish-të përndjekurit politikë, duke e quajtur, madje, “të organizuar nga qeveria”, e cila “po na kthen në kohën e diktaturës” etj, etj.

PD arriti deri atje sa t’i kërkojë kryeministrit “t’u kërkojë falje shqiptarëve për fyerjen e madhe”, e ku ta di unë çfarë mbroçkulla të tjera. Partia Demokratike është katandisur aq keq sa, meqenëse nuk ka argumente të forta, bindëse për publikun, për t’iu kundërvënë shumicës qeverisëse, merret me çikërrima, të cilat, siç do ta shohim më poshtë, kthehen kundër vetë asaj.

Së pari. PD, gjatë trembëdhjetë vjetëve në pushtet, nuk nxori ndonjë ligj që të ndalonte veprimtarinë e Partisë Komuniste Shqiptare, e cila e ka Hoxhën idhull të vetin. Dhe për sa kohë ajo, apo ato parti të ekstremit të majtë janë të ligjshme, madje marrin pjesë edhe në zgjedhje, pse nuk paskan të drejtë të mbajnë në duar portretin e idhullit të tyre? Në qoftë se PD-ja do ta kishte me seriozitet atë që po thotë tani, kur pa portretin e diktatorit, pse nuk e nxorri jashtë ligjit partinë e tij që me kohë e me vakt? Atë që thotë z.Ngjela se mbajtja e portretit të Hoxhës nga ndjekësit e ideve të tij është e jashtëligjshme, duhet ta vërtetojë me ligjet dhe me nenet përkatëse dhe të mos flasë në erë. Prandaj, përsa kohë “protestat” për portretin nuk bazohen në ligj kanë vetëm qëllim propagandistik, për të nxjerrë sadopak “dhjamë nga pleshti”.

Së dyti. Të gjithëve na kujtohet kur, në zgjedhjet vendore të vitit 2011, Partia Komuniste iu ofrua Partisë Socialiste për koalicion dhe Edi Rama nuk e pranoi. Atëherë ajo iu drejtua PD-së, e cila e futi në koalicionin e vet. Ajo parti mori në zgjedhje rreth 1300 vota, të cilat iu hoqën të majtës dhe i shkuan Lulëzim Bashës, që u “zgjodh” edhe kryetar bashkie. A nuk e kishte edhe atëherë portretin e E.Hoxhës në duar Partia Komuniste si edhe tani? Apo e kishte lënë përkohësisht mënjanë, sepse ashtu e kishte porositur Berisha? Pse atëherë u pëlqyen votat e E.Hoxhës, ndërsa tani, nuk u pëlqen ta shohin portretin e tij në duart e disa ish-partizanëve?

E them me keqardhje që, në këtë kurth, të ngritur nga Berisha, ranë edhe një pjesë e ish-të përndjekurve politikë, madje ndonjëri prej tyre, që hiqet si më i persekutuari, duke marrë poza që nuk i shkojnë fare, kërcënon se “do të ngrejë shqiptarët” (siç) kundër qeverisë që lejoi një veprim të tillë.

Po çfarë duhej të bënte qeveria (policia) kundër dhjetë pleqve atje që mbanin portretet në duar, mos duhej t’i rrihte, apo duhej t’i vriste fare, siç bëri Berisha më 21 Janar me protestuesit me duar në xhepa? Qeveria bëri atë që bëhet në një vend demokratik. Përsa kohë Partitë e Punës e Komuniste, që vegjetojnë ende në Shqipëri, janë të ligjshme, qeveria i la të ushtronin të drejtën e tyre ligjore. Jam i bindur se, sikur policia t’i kishte përzënë me dhunë komunistët nga varrezat e dëshmorëve, kasnecët e PD-së do të ngriheshin të kërkonin dorëheqjen e qeverisë pasi “nuk i lë njerëzit të shprehin vullnetin e tyre të ligjshëm”.

Të them të drejtën, në të gjithë këtë mesele, më vjen keq vetëm keqpërdorimi i ish-të përndjekurve politikë. Madje, sikur të pyetesha unë, do ta hiqja edhe parashtesën “ish”, pasi ata, përsa kohë nuk kanë marrë shpërblimet e merituara, përsa kohë në qeverisjen e vendit nuk kanë pasur dhe nuk kanë asnjë përfaqësues, nuk janë “ish”, por janë ende të përndjekur politikë. Sali Berisha kërkon sebepe për të diskredituar qeverinë, e pse jo edhe për ta rrëzuar atë, që në muajt e parë të punës, pra, është i kapur nga sindromi i dhelprës që shkon pas dashit, prandaj do t’u lutesha të përndjekurve të vërtetë (e jo ish-të burgosurve ordinerë që hiqen si të përndjekur), të cilët kanë gjithë respektin tim, të mos i shkojnë pas Saliut.

 

Letër e nënshkruar

Guri Shyti

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *