OHAJO – Një grua është dënuar nga gjykata që të mbajë parullën “idiote” ndërsa udhëton. Kjo për faktin se si pasojë e drejtimit në mënyrë të gabuar të automjetit të saj “Suv”, vuri në rrezik një autobus shkolle të mbushur me fëmijë.
Sipas “New York Daily News” vendimi i gjykatës për të dënuar një shofere amerikane për ngarje të gabuar dhe të rrezikshme të makinës së saj, ka qenë disi i pazakontë. Sipas këtij vendimi, gruaja duhet të mbajë të ngjitur në veshjet e saj një karton, në të cilin shkruhet “idiote”. Urdhri është lëshuar kundrejt 32-vjeçares amerikane, Shena Hardin.
Motivi? Ajo e kishte ngarë makinën e saj ‘gjigante’ Suv mbi një trotuar këmbësorësh, për të shmangur pritjen disaminutëshe mbrapa një autobusi nxënësish. Shoferi i autobusit u detyrua të futej në drejtimin e gabuar të rrugës për të shmangur kështu shoferen e “çmendur” që për pak vuri në rrezik jetën e fëmijëve.
Ngjarja, që ndodhi pak kohë më parë në Klivlend të Ohajos, u filmua nga aparati celular i vetë shoferit, ndërsa zonja Hardin po drejtonte automjetin e saj të madh gri mbi trotuarin përbri rrugës. Autobusi i nxënësve në momentin e ndodhisë së pazakontë, kishte ndaluar në stacion për të zbritur nxënësit.