Kryeprokurori i vendit në një intervistë për VOA-n ofron disa përgjigje “të çuditshme” për skandalet që kanë tronditur opinionin publik kohët e fundit.
Zëri i Amerikës intervistoi dje Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla. I pyetur për skandalin e korrupsionit në gjyqësor me rastin e kryetarit të gjykatës së Pukës dhe një rrjeti zyrtarësh të përfshirë në të, kryeprokurori ka vijuar përgjigjen e tij me një gjuhë viskoze aspak konkrete duke folur për ‘perceptimet e publikut’ apo dhe për ‘vullnete politike’ apo dhe bashkëpunimin e qytetarëve. Pak më poshtë në intervistë kryeprokurori ofron të njëjtën përgjigje edhe sa i takon dosjes së hetimit për privatizimin e kompanisë strategjike Albpetrol, e cila është dosje që implikon ish-zyrtarë shumë të lartë shtetërorë.
Zoti Llalla, faleminderit për këtë intervistë e cila koinçidon dhe me një vit që nga koha kur ju keni marrë detyrën si Prokuror i Përgjithshëm. Me lejoni ta nis me një çështje e cila është e ditës. Sot Transparency International prezantoi raportin e ri vjetor për korrupsionin, ku pozicioni i Shqipërisë është përkeqësuar. Sa e ndjen vetën përgjegjëse prokuroria në këtë situatë korrupsioni kaq të përhapur, të paktën siç është perceptimi i publikut?
“Faleminderit për ftesën në emisionin tuaj, dhe për urimin me rastin e 1 vjetorit tim në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Problemi i korrupsionit është një ndër çështjet kyç për integrimin e Shqipërisë në BE dhe është një ndër kriteret kryesore që partnerët tanë kanë vendosur për integrimin e vendit në këtë strukturë. Lufta ndaj korrupsionit ka qenë një ndër prioritetet e punës time me marrjen e detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Prioritet të cilin jam përpjekur ta realizoj duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat ligjore, duke vënë në punë të gjithë sistemin e prokurorisë për të luftuar këtë gangrenë të shoqërisë shqiptare”.
Zoti Llalla, duke mbetur te korrupsioni. Pak ditë më parë emisioni Fiks Fare, pas një hetimi të tij, nxori në pah një zinxhir korrupsioni, pagesash për gjyqtarë, prokurorë e avokatë. Ju reaguat për pjesën që ju takon, lidhur me prokurorët e përfshirë. Por kam përshtypjen se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar. Duket se sistemi i Drejtësisë, siç është dhe perceptimi i publikut, ka një korrupsion mjaft të gjerë. Si mund të dilet nga kjo situatë?
“Perceptimi i publikut lidhet me rastet me të cilat qytetarët ndeshen nëpër dyert e sistemit të Drejtësisë. Kjo situatë mendoj se është e kapërcyeshme, por duhet një bashkërendim i punës mes gjithë institucioneve ligj-zbatuese në Shqipëri. Tek ne ekzistojnë të gjithë mekanizmat e duhur ligjor që ky fenomen të ndëshkohet. Por duhet vullneti i të gjithë faktorëve politik, social, medies e qytetarëve që të vëmë përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë zyrtarët që abuzojnë me funksionet e tyre”.
Zoti Llalla, pati një proces të gjatë privatizimi për Albpetrolin, i cili në të vërtetë dështoi dhe shteti sot e kësaj dite nuk ka marrë 85 milion euro, siç përcaktonin rregullat e kontratës. Edhe për këtë rast me sa di, Prokuroria ka nisur hetimet. A ka ndonjë zhvillim se cilët janë personat përgjegjës për këtë situatë?
“Në mjaft raste i kërkohet organit të prokurorisë për cdo debat apo problem mes palëve në Shqipëri. Por institucioni i prokurorisë nuk ka në të gjithë rastet ekspertët e specialistët e duhur për të hetuar çështje të kësaj natyre. Prokuroria ka nisur hetimet për rastin e Albpetrolit. Janë caktuar ekspertët që po merren me shqyrtimin e dokumentacionit për mënyrën se si është realizuar privatizimi i kësaj pasurie dhe pritet konkluzioni i tyre”. (Marrë me shkurtime nga VOA)
Zagari i saliut esht e ky.me keta pret rama te luftoj korupsjonin.