Si Mona Liza

Ornela

Të zbehta si yje të largët
janë fjalët për ty, o moj mike,
sepse ti je si Mona Liza,
krijesa më enigmatike.

Njerëzit kanë shkuar në Hënë
dhe përsëri në Tokë janë kthyer,
po bukuri e Mona Lizës
mbetet mister i parrëfyer.

Mister’ i madh i bukurisë
të flakërin në frymëzim,
nëse të thonë: “Je Mona Lizë!”
Mos prit më tjetër krahasim!

Një tjetër mos prit më kot,
sepse ky është më i miri,
një më të mirë s’do gjente dot
një jetë të tërë as dhe Shekspiri!…

03 korrik 2014

Ne dhe balta…

Kemi dalë nga balta,
nga barku i sajë
na nxori-na rriti
që prapë të na hajë…

E ushqejmë baltën
miliarda vjet,
ajo pa kursyer
ha gjithë bijtë e vet…

Mbi këtë mënxyrë
s’lozim dot as gishtin,
balta na ha kurmin,
ndofta dhe shpirtin…

Ne pa baltën s’gdhijmë
dot asnjë mëngjes,
dhe ajo pa ne
thahet edhe vdes!…

Ato që na jep
balta prapë i merr,
porse ne me të
kurrë s’hymë në sherr.

Kurrë s’hymë në sherr,
shekuj të pasosur,
sepse këto punë
kështu janë vulosur!…

20 dhjetor 2009

Si ikona!…

Në çdo frymëmarrje ndiej aromën
e trupit tënd prej trëndafili,
të mbaj në zemër si ikonën,
që nuk i shuhet kurrë kandili!

Kaluan nuk e di sa vite
kur kemi dhënë puthjen e fundit,
s’ia mbaj mend emrin asaj dite,
s’e mbaj mend çastin që na humbi!

S’e di ku ike Amazonë,
s’e di në më kujtove më,
po unë të mbajta si ikonë,
krejt të ndriçuar përgjithnjë!…

Nuk rroj në jetë veç me kujtime,
sepse kështu do isha tretur,
po shpesh qëllon që ora ime
në dorën tënde më ka mbetur!…

Unë atë orë s’e lëviz dot,
është koha vetë që ka ndaluar,
por ende jemi ne në botë
yje me dritë, por të larguar!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *