Letra nga Moikomi

Ornela

Enver Kushi

Javën e katërt të karantinës së plotë, pasi përfundova së shkruari ditarin, që kisha mbajtur për Moikomin në spital,  gjeta në arkivin tim modest letrat, që më ka dërguar Moikomi. U gëzova si fëmijë dhe pata ndjesinë e zbulimit të diçkaje shumë të çmuar… Kisha kohë që i kërkoja ato letra dhe ja, më në fund, kur kisha humbur çdo shpresë, duke menduar se mund t’i kisha humbur, i gjeta ato… Ato ishin atje, në një dosje të vjetër ngjyrë gri të hapur. E hapa dosjen dhe nisa t’i lexoj një nga një ato letra, shkruar nga miku im në muaj, stinë dhe vite të ndryshme, duke filluar nga 25 janari i vitit 1972, kur Moikomi kishte nisur punën si gazetar te “Drita” e deri te ato të fundit të dërguar nga Uashington D.C., kur ai, bashkë me Lidën, Arnisën, Kleitën dhe Epidamnin, në vitet 1996-1997, ishin në SHBA. Natyrë e ndjeshme dhe emocionale, siç kam qenë dhe kam mbetur, edhe në këtë moshë, vështrimi m’u mjegullua nga lotët… Dhe kur dola në ballkon, dita me diell të plotë fundmarsi, m’u duk gri. Edhe qielli kështu m’u duk, i mjegullt dhe gri… Ndoshta edhe zëri im, kur i telefonova Tovit, i tillë ishte. Dhe përmes këtyre emocioneve dhe zërit që më dridhej, i thashë atij se kisha gjetur letrat dhe se… Edhe ato që të kam shkruar kur isha në Amerikë, më ndërpreu Tovi. Të gjitha. Të gjitha, thashë unë me të njëjtin zë… Mendoj se ato letra duhen botuar, tha ai. Le të jenë pjesë e ditarit që ke shkruar, shtoi pastaj.

Ishte një ide shumë e mirë e Moikomit. Tashmë këto letra janë përfshirë në këtë libër dhe lexuesit, miqtë tanë të përbashkët, kanë mundësi të njihen me to. Le t’i bëjnë ata komentet dhe vlerësimet. Është rasti, t’i shpreh mirënjohjen mikut tim të shtrenjtë e të paharruar për gjithçka që ai ka bërë për formimin tim si prozator, shumë këshilla të cilat do i gjeni edhe në këto letra. Në këtë numër të gazetës “Dita” po publikoj disa prej tyre, të shkruara që nga janari i vitit 1972.

 

Enver Kushi

25 janar. Tiranë 1972

I dashur Enver!

S’di asgjë më rreth teje. Ku je? S’më ke lajmëruar për asgjë. Pse vallë? Këto ditë ka qenë në Tiranë dhe Tomori. Dhe ai ishte i shqetësuar. Të kujtoj shpesh. Gjithmonë do të më kujtohet koha studentore, aksionet, zboret që kemi kaluar bashkë.

Enver! Ç’ke bërë për punë, ke filluar punë? Ku?

S’di a do të bjerë kjo letër në duar, sepse s’di adresën tënde të plotë. Kam shpresë se do të bjerë në dorë. Me largimin tënd nga Tirana s’ke humbur vetëm ti, por edhe unë. Kam humbur pikërisht shoqërinë dhe miqësinë tënde, të cilën dhe kështu e kam (sepse unë besoj shpejt do të takohemi dhe do meremi vesh me letra), por s’e kam të drejtëpërdrejtë ashtu siç do të kisha po të ishe dhe në Tiranë.

Punë dreqi! Por ti mos u mërzit! Kurrë mos u mërzit! Kurrë! Asnjëherë! S’po bëj moral, por po të them diçka logjike.

Unë këto ditët e para në punë, po ndjej pak vështirësi. Kam sektor të vështirë. Lodhem shumë, por kam pas rezultat. S’kam ç’bëj. Jam revoltuar nga artikulli i Filip Ndocaj tek “Nëndori” nr. 1 i këtij viti, ku ai mua më kritikon (poezinë time). Por unë kam mendimin tim për të. Ai është një njeri i dështuar në letërsi dhe këtë dështim si duket ja dëshiron dhe të tjerëve.

Në këtë numër, “Nëndori” ka dy tregime të bukura të Thanasit.

Enver! Mos e harro këtë që po të them: mos rri pa shkruar tregime. Bile tani të shkruash më tepër. Shkruaj! S’është nevoja ta them se ti je i talentuar. Më dërgo dhe mua t’i shoh tregimet.

Ke shumë të fala nga Tomori (vëllai i tij shkoi në Kinë me volejbollin), Thanasi, Shefkiu

 

Të përqafoj

Tovi

P.S. Sa më shpejt përgjigje!

 

 

28 janar e premte. Tiranë 1972

I dashur Enver!

Në kohën që po mendoja të të dërgoja letrën time të parë (e kam futur edhe atë në zarf), më erdhi letra jote. Më në fund erdhi. Natyrisht një ditë do të vinte. Isha i sigurtë.

Për vehten s’kam ç’të them. Akoma s’jam stabilizuar. Sidomos fjetja është bërë për mua enigma e sfinksit. Jeta e restoranteve dhe rrugëve është një rreth vicioz i mërzitshëm. Koha për mua është flori, por shpesh ajo merr vlerën e gurit. Sidomos mbas orarit të punës koha më humbet me sorollatje. Bile as filma s’kam parë. Eh, koha studenteske!

“Çdo gjë do të qetësohet”. Mendoj që jo çdo gjë të qetësohet. Unë për vehte jam për të kundërtën e qetësisë në çdo pikëpamje.

– Ti mendon se s’ke ç’të lexosh? Unë mendoj se ne s’kemi kohë për të lexuar. Mund të lexosh çdo gjë. Qoftë dhe disa nga dispencat e fakultetit – për të sintetizuar disa ide, qoftë dhe literaturë të ndryshme profesionale (jo të bëhesh burokrat) dhe më e rëndësishmja gjuha e huaj.

Shkruaj! E lexova fragmentin që më dërgove. Shkruar shumë bukur, por diçka pa dimensione, as fund, as fillim. Mungesa e një subjekti më solid. Mendoj se ke kaq tema për të shkruar: me mijra – sidomos shfrytëzo jetën studenteske!

Duket sikur po jap këshilla, por unë s’kam aspak dëshirë të jap këshilla. Më kupto drejt.

Bëj një përmbledhje të tregimeve që ke shkruar – të gjitha – ato që ke shkruar dhe po shkruan – t’ia jap ndonjë shkrimtari, fjala vjen Kadaresë për t’i lexuar dhe për të dhënë një mendim. – I ke dërguar letër Tomorit?

Ke të fala nga Thanasi, Shefkiu

Të puth nga larg

Tovi

 

 

28 shkurt. Tiranë 1972

Veri! I dashur Veri!

O i shqetësuari i të shqetësuarve!Mos harro se dhe unë jam i shqetësuar. Kështu dua ta hap letrën.

Besoj se je mirë. Gjithashtu dhe familja tënde është mirë. Punoj. Gazeta ka shumë punë. Jashtëzakonisht. S’jam stabilizuar akoma. Fjetja është ende problem. Tashmë jam bërë i njohur me gjithë kamarierët e restoranteve. Kjo eksperiencë e re është një lloj kulture. Si ta marrësh!

Kam qenë disa herë në shërbim. Më pëlqejnë më shumë shërbimet se zyra. Kam qenë në Fierzë! Besoj se do shkruaj diçka. S’lexoj pothuaj asgjë. Për të shkruar gjithashtu. Kam një farë depresioni. Pse? Shpesh mund të mërzitesh dhe nga një gjë shumë e vogël. Një gjë mikroskopike të ketë dimensionet e një mali. Duket si lojë fjalësh (urpa arob!). Nganjëherë është e vërtetë. Por në përgjithësi jam shumë mirë. Puna më pëlqen dhe besoj se punoj mirë. Kam marë letër nga Niko Kacalidha. I shkrova dhe unë letër. I dhashë adresën tënde.

Tregimet dërgomi! Shkruaj! Besoj se ke një farë kohe të lirë relativisht, sa mund të quhet e lirë. Unë kam filluar rusishten. S’di a të kam shkruar për këtë. Rusishtja është një golgotha e vërtetë. Por s’ke ç’i bën. Natyrisht s’ke ç’i bën. Gjithmonë kam menduar se në vitet studentore duhet të kishim përfituar, të mësonim më tepër dhe më kryesoren të dinim të paktën një gjuhë të huaj! Boshllëqe! Vaakuum! Puna është që të mos zmadhohen boshllëqet. S’di ç’të shkruaj tjetër! E beson se s’kam asgjë për të të shkruar!

 

Zëri im ka mbirë si një pemë me gjethe të gjelbra fjalësh,

Në bregun më të lartë të këngës.

Me zërin tim lëvizin gjithë stinët,

Erërat dhe dielli.

 

Bije përmbys mbi tokën,

Dublohem nga gurët, relievi i saj gjigand.

Tek formula e elementeve kërkomëni,

Në ajër, në ujë dhe në diell dua të më gjeni.

 

Ja, nja 2 strofa që i shkrova tani.

 

Të përqafoj

Tovi

Ke të fala nga Thanasi, Shefkiu, Llazari!

 

 

E shtunë 19 mars 1972

Tiranë

Enver!

I mora tregimet e tua. I lexova. Janë të mirë. I kam dërguar tek “Zëri i Rinisë”. Besoj se do të botojnë njërin prej tyre (cilin akoma s’e di). Kam biseduar me Vath Koreshin për ty.

Tregimet janë shkruar me ndjenjë. Ndjenja është elementi i tyre kryesor. Ritmi i tyre është pikërisht funksion i ndjenjës, përsëritja e vazhdueshme është ndjeshmëri. Si vërejtje kam atë që ta kam thënë dhe më parë. Duhet piketuar më tepër subjekti.

Dërgomë tregime të tjera.

Sefedin Çelën e tërhoqën në Skrapar (do hapet një gazetë lokale dhe e tërhoqën për dy vjet).

Për vehte kam shkruar vjersha. A e lexove ciklin që botova tek “Zëri i Rinisë”? Cikli bëri një farë jehone. Më shkruaj përshtypjet e tua për të.

Besoj se vetë je mirë dhe se i ke mirë nga familja.

Unë punoj, lexoj dhe vras mendjen çdo mbasdite se në ç’shtrat të konvikteve do fle. Në përgjithësi jam njeri i ambjentueshëm.

Lexova një shkrim tëndin tek “Adriatiku”. Bashkëpuno me “Adriatikun”. Në provincë i shohin shumë këto gjëra. Do të ndihmojë për të forcuar pozitën tënde më tepër.

Çfarë lexon?

Ke të fala nga Niko Kacalidha.

Adresa e tij: Cerkovicë – Shkolla e mesme, Sarandë.

Dërgoji letër

S’kam lajme nga Tomori. Po ti?

Ke të fala nga Thanasi, Shefkiu.

 

Të fala Tovi

 

 

15 maj 1972 Tiranë

 

I dashur Veri!

 

Gjithmonë i kam pritur letrat e tua.

Pse ka diçka të veçantë kjo pritje? S’di si je? Mendoj se je pak i trishtuar. E vërteta është se edhe unë sot jam pak i trishtuar (vë re se ç’kuptim fiton fjala “pak” në këtë rast!). Tani është pranverë. Studentët ikin, ikin. Qyteti i studentëve boshatiset. Tani hapat në këtë qytet tingëllojnë të çuditshme në vetminë e tyre. O ç’qytet, ç’qytet!

Kam mbetur student dhe në mënyrën e jetesës. Por kjo më pengon. Mora letër nga Nikoja. Ai është poet i vërtetë lirik. Ka shkruar vjersha. Po ti ç’ke shkruar? Njëri nga tregimet (ajo e plazhit), do të botohet tek “Zëri i Rinisë”. Tregimin tjetër e çova edhe tek “Nëndori”, por s’e botuan. Shkruaj! Dhe unë kam shkruar pak. Më torturojnë të metat e vjershave të mija.

Gjithmonë më ka tronditur mendimi se arti është një “golgotha”. E kisha parashikuar se shumë gjëra harrohen. Kjo është e natyrshme. Vitet e kaluara i kujtoj vetëm në vijat kryesore. Ato i shoh ashtu si radiografinë e një trupi, d.m.th skeletin e çveshur nga mishi i ngjarjeve të vogla. (Megjithatë s’mund të them se edhe shumë gjëra të vogla i kam harruar). Duhet të punojmë më shumë, më shumë. S’kemi ditur të punojmë kurrë si duhet dhe sa duhet. (të paktën flas për vehten time)

Ç’bën me gjuhën e huaj?

Pse vallë pranverën këtë herë e kam ndjerë ndryshe, krejt ndryshe! Vitet e kaluara edhe unë isha një nga studentët që ikin këto ditë, kurse sivjet jo. I shoh të gjitha. S’kam qënë kurrë nostalgjik dhe romantizant. Por sidoqoftë kam një farë vetmie sado të vogël.

Lexoja një ditë vargje nga folklori (shpesh folklori është si ato gurët që të duken të zakonshëm por që kanë minerale të jashtëzakonshëm).

Aty letrat krahasohen me pëllumbat. Mendoj se populli s’ka patur parasysh vetëm ngjyrën e bardhë.

Më shkruaj për hallet dhe shqetësimet e tua.

Më shkruaj për jetën (sa pak akoma unë e njoh atë).

Më shkruaj për njerëzit (provinca s’është tmer vetëm – kjo s’duhet harruar). Më shkruaj gjëra lirike, copra tregimesh, gjithçka.

Më shkruaj gjëra interesante.

 

Të përqafoj

Tovi

Nga Tomori s’kam asnjë lajm. Llazi të bën të fala. Gjithashtu dhe Thanasi dhe Shefkiu. Ti ke korespondencë me Tomorin?

 

 

1.6.72

Veri!

Të përshëndes!

Letrat e tua gjithmonë më gëzojnë. Sot dielli ka mbushur ajrin dhe është shpërndarë kudo, kudo. Ç’është kjo vapë e padurueshme? Po në Rogozhinë si është koha? Tirana s’përfytyrohet dot pa vapën.

Akullore, vajza, plazhi, trenat, mungesa e bashkëpunëtorëve të gazetës (ata ikin me pushime etj.) dhe një lloj boshllëku, një lloj vetmie e çuditshme e qytetit. Tani më duket se akrepat e orëve i zë gjumi shpesh si ato njerëzit që i zë gjumi nga monotonia e udhëtimit në automjet.

Në redaksi pothuaj s’ka njeri. Dikush ka marrë lejen, dikush bën punën prodhuese, dikush meret me krijimtari.Kam mbetur vetëm unë si më i përherëshmi.

Qytet prej dielli. Ç’është ky tropik? Mos janë ngatëruar meridianet? Mos drurët e mbjellë në rrugët e Tiranës do çelin banane ose arra kokosi? Duhet shkuar në breg të detit dhe të shohim ashtu si plaku i Hemingueit në ëndërr luanë. Krifat e luanëve janë ndoshta retë, që vërtiten kot në muzg. Mungesë për shi. Shi! Shi! Ujë – vetëm uji mund të krijonte legjendat e folklorit.

Enver, të përrallisa! Kur fillon pushimet? Unë s’kam pushim. Kam diçka – s’e di se ç’kam – shqetësime gati të padukshme.

I ke lexuar vjershat e mija – ciklin e madh tek “Zëri i Rinisë” para ca kohe? Të lutem më fol për përshtypjet. Sidomos vërejtjet.

Kam takuar Tomorin. Ai erdhi për dy ditë në Tiranë për punën e leksioneve. Iku. Në Tiranë kanë dalë ca filma të jashtëzakonshëm. Por unë s’kam kohë t’i shoh. Dëshira në kontradiktë me kohën. Kam marë letër nga Nikoja. A ke letërkëmbim me të?

 

Fragmentet që më ke çuar më pëlqyen shumë. Shkruaj!

 

Më shkruaj

Tovi

 

 

E enjte. 9 Tetor 1972

I dashur Veri!

Më fal se ta vonova përgjigjen. S’dua të justifikohem.

Po e filloj me frazën burokratike të gjithë letrave të botës “si je?” Njerëzit gjënë e parë që pyesin është shëndeti! Pse të ndodhë gjithmonë kështu?

Ditën që mora letrën tënde shkova në restorant dhe ndërsa prisja të më sillnin porosinë lexova tregimin tënd. Isha i lodhur dhe gjatë leximit bëja punë të dyfishtë: mendoja gjëra të tjera. Sendet i lëkundën dimensionet e tyre dhe mbulesa e bardhë e tavolinës u shndrua në një qytet të bardhë dhe të boshtë, thika, piruni dhe luga si armë të çuditshme ku shkëlqente dielli i dymijëve vjetëve më parë. Po shiu? Do të pyesësh ti. A po shiu. Ai tani ishte mbledhur si një qënie e tejdukshme dhe e plogët në broken e qelqit dhe ishte në dorën time që unë të shkaktoja rënien dhe lëvizjen e tij në gotën që kisha përpara.

Në restorant hynin dhe dilnin njerëz. Vajza bjonde (flokët bjonde më qetësojnë shpirtërisht kurse të zeztë s’di pse më shqetësojnë) (Vajza e ekspeditës! në tregim)

Hëngra shpejt. Ika në kafe. Ka një farë lidhje midis këtyre që po të them. Mendimin për tregimin do ta shkruaj herën tjetër sepse duhet ta lexoj edhe njëherë.

Në letrën tjetër.

Kam shkruar vjersha. Nëqoftëse e ke lexuar librin e fundit të R.Brahimit më shkruaj se ç’mendim ke për të.

Kam lexuar romanin e I.Kadaresë “Vitet 60” si edhe 5 tregime të tij do botohen tek “Nëndori”. S’kam fjalë. Gjithë këto ditë kam ndjerë peshën e madhe të letërsisë si kurrë ndonjëherë. S’kam fjalë.

Kam lexuar vazhdimisht. Mund të them se ky është viti më intensiv i jetës time. Mjaft fola për vehten.

Veri!

Më shkruaj më gjatë për vehten tënde. Dua të di çdo gjë që të shqetëson, sidomos mendimi për letërsinë – përshtypjet e tua.

Bleva një kopje të Ludemisit. E dija që ty të pëlqente shumë. Po ta dërgoj. Dërgomë menjëherë letër.

Të puth

Moikomi

 

Share This Article
2 Comments
  • Per mua si krijues ,jovetem qe me mrekullon kjo

    konrespondece vllazerore ,por edhe ajo gride e Moikomit

    dhe natyrishte Enver Kushit, ne kte leterkembim te mrekullueshem ,
    ku Letersia – te shkruajturit – eshte protagonisti kryesore ,i te gjitha letrave .

    Un jam nji moshe shume hume me te re se te Nderuarit

    Moikomi & Enveri ,

    por e shoh kte lidhje dhe ate pasion te forte mbi Letersine mbi Poezine e gjithcka ka te bej me

    krijimtarine ne kto Leterkembime , dicka qe i mungon
    brezave tane ,
    ai Shpirt i sinqerte shqiptari …
    Do doja te shkruaja me shume ,mbi leterkembim dhe

    te mrekullueshmen qe ka brenda ai pasion per Letersine .

    Po me bllokojne e mundet te ndodh qe komentin tim ,

    ta censurojne kta qe vezhgojne e s’duan te na lelojne

    ,por sidoqoft ,rrespekt i nderuar Enver Kushi dhe pa dashur te kopjoje Moikomin ne kto Letrat e tua ,
    do thoja Shkruaj E.V , keni vertet ate qe duhet te ket nji njeri i Letrave .
    Ju pershendes e rrofsh se na kenaqe sinqerishte me kto Letra te Mrekullushme.

  • Veri i dashur, Moikomi eshte perhere midis nesh,shokeve te tij, Sa mirë bëre që na i dhe keto letra.Në to është Tovi, gjithe energji, frymëzim, shqetesim, me dashurine per jetën, letersinë, shoket…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *