Dy drama amerikane të panjohura për Ali Pashë Tepelenën

Ornela
CIS:SP.239

Prof. Dr. (Emeritus) Refik Kadija

          Vdekja tragjike e Ali Pashë Tepelenës më 25 janar 1822 bëri jehonë në Europë dhe nxiti interesin në letërsinë e kohës, sidomos në gjininë e dramës. Brenda viteve 1822-1829 Ali Pasha u mbush me potencial dramatik dhe në teatrot e Londrëse të Parisitu shfaqën disa drama që luajtën rolin e tyre në krijimin e legjendës së tij. Por interesi për personalitetin e Ali Pashës e kapërceu edhe Atllantikun: dy drama u shkruan nga dramaturgë amerikanw, njëra prej të cilave u shfaq në Nju Jork dhe tjetra në Londër.

Në Francë u shkruan dhe u shfaqën dy drama që kishin figurë qëndrore Ali Pashën, i cili u portretizua si despot oriental. Autorët u mbështetën në shkrimet e arkeologut e diplomatit filohelen François Pouqueville.

Njëra ishte tragjedia “Martirët e Sulit, ose Epiri modern” (Paris, 1825), vepër epoetit dhe dramaturgut Népomucène-Louis Lemercier, anëtar i Akademisë Franceze. Për të shkruar këtë tragjedi në 5 akte e 153 faqe Lemercieri u frymëzua drejtpërsëdrejti nga historia mbi masakrën e suliotëve që kishte shkruar Pukvili armiqësor e kundërshtar i përbetuar i Ai Pashës dhe i shqiptarëve dhe që e kishte përfshirë si kapitull në veprën e tij në 4 vëllime “Historia e regjenerimit të Greqisë” (Paris, 1824). Ndër personazhet kryesorë të dramës, përveç suliotëve Samuel dhe Foto (‘djalit të Xhavellës dhe Moskolisë’), Zofas e Elfirës (dy‘vajzave të Xhavellës dhe Moskolisë’), një vënd të rëndësishëm në dramë zë dhe ‘Aliu i Tepelenës, pasha i Janinës, vezir’ dhe ‘Emineja, gruaja e Ali vezirit’.

Drama tjetër ishte “Youli, ose Suliotët”, një melodramë e dobët në dy akte e pesë tablo, shkruar nga Adolphe & Henri Franconi dhe botuar në Paris më 1830. Ngjarjet zhvillohen në Gjirokastër, qyteti-kështjellë ku gjëndet selia e Kapelanit, pashait të Delvinës, dhe në malësitë rreth e rrotull ku strehohen suliotët. Zeminethi e bukur është motra e Kapelanit, pashait të Delvinës dhe e veja e pashait të Beratit. Kështu nënkuptojmë se Kapelani është Ali Pashë Tepelena, por emri i tij nuk përmendet në dramë. Konflikti kryesor i dramës zhvillohet midis suliotëve të udhëhequr nga Youli dhe Boçari dhe forcave të Kapelanit që përbëhen nga jeniçerë, turq, shqiptarë e mamlukë (komandant i të cilëve është njëfarë Ali-bey).   Në fillim të dramës Youli thotë: “Kjo është foshnja e vetme që më ka mbetur…. Kam parë të masakrohen e ëma, …vëllëzrit e saj, me urdhër të pashait të Delvinës… Nuk kemi vënd tjetër ku të tërhiqemi veç në malet e Sulit, të mbrojtur nga fortesa e Shënepremtes.” Konflikti përfundon me fitoren e suliotëve.

Ndërkohë në Londër brenda dy viteve, 1822-1824, u shkruan dhe u vunë në skenë nga autorë anglezë të paktën pesë drama që kishin të bënin me figurën e Ali Pashës, si tragjedia në pesë akte “Grekët” (1824) nga Mrs. Vaughan, “Revolta e grekëve; ose, Vasha nga Athina” (1824) nga C. E. Walker; “Vasha nga Athina, ose Revolta e grekëve” (vënë në skenë në qershor 1824 dhe botuar më 1829) nga J. B. Buckstone, etj.

Përveç këtyre, poeti i madh romantik Percy Bysshe Shelley(1792-1822), mik i ngushtë i Bajronit dhe bashkëshort i romancieres Mary Shelley, autores së romanit të famshëm “Frankenstein”, në vitin 1821 shkroi dramën lirike në vargje Hellas (“Greqia”). Shelley ia kushtoi këtë dramë politikanit grek Aleksandër Mavrokordato dhe e shkroi me idenë për të kontribuar financiarisht për luftën e grekëve për pavarësi. Kjo është vepra e fundit poetike që shkroi Shelley për së gjalli, sepse ai vdiq aksidentalisht pas disa muajve, më 8 korrik 1822, gjashtë muaj pas vdekjes së Ali Pashës. Drama fousohet mbi Sulltan Mahmudin II që drejtonte sulmet turke kundër Greqisë. Në gjumë ai trazohet nga një makth dhe kërkon ndihmën e Çifutit shëtitës Ahasuerus për të interpretuar ëndrën e frikshme. Gjatë bisedës së tyre, Mahmudi zhytet gjithnjë e më shumë në dëshpërim sepse, me gjithë se i sjellin lajme për fitoret e turqve, e kupton se e ka humbur luftën. Në këtë vepër Shelley sintetizon në 16-17 vargje portretin e Ali Pashë Tepelenës, duke vënë në dukje pushtetin, trimërinë dhe rolin e tij të rëndësishëm dhe kontributin e tij në fitorën e grekëve në luftën e tyre për pavarësi.“Aliu i mplakur rri në Janinë –një metaforë mbretërie pa kurorë” dhe “pa skeptër”; vetëm “emri i tij, Ajo hije e pushtetit të tij të fishkur” mjafton për t’i kallur tmerrin ushtrisë rrethuese turke. Poeti pohon se grekët vërtet “e kanë korrur” me gjak “frutin e shtrenjtë” të lirisë, por farën e saj “Aliu e mbolli”:

Lajmëtari i Dytë. Nauplia, Tripoli, Mohtoni, Athina,

Navarini, Arta, Monembasia,

Korinthi dhe Teba po merren me sulm,

. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .

Ish-skllavi i një kryepoeti perëndimor

E mban Atikën me shtatëmijë rebelë,

Dhe e ka thyer Pashain e Negropontit:

Aliu i moshuar rri në Janinë

Një metaforë perandorie pa kurorë:

Emri i tij – ajo hije e fuqisë së tij të fishkur,

E mban ushtrinë tonë rrethuese si me magji

Që të bëhet pre e urisë, murtajës e revoltave;

Ai, i ngujuar në kështjellën e tij, hedh shikimin

Me mërzi mbi liqenin e zefirtë që pasqyron

Rrënojat e qytetit ku mbretëroi

Pa fëmijët dhe pa skeptër. Grekët kanë korrur

Të lashtat e kushtueshme të pjekura me gjakun e tij,

Jo ai që i mbolli, Aliu—i cili ka blerë një armëpushim

Nga Ipsilanti me dhjetë deve të ngarkuara

Me ar indian.                           (vargjet546-8, 563-577)

 

Kurse në letërsinë amerikane të shekullit XIX ka dy drama të cilat u shkruan dhe u vunë në skenë më 1822 respektivishtnga dy dramaturgët amerikanë, Mordecai Manuel Noah dhe John Howard Payne.

Mordecai Manuel Noah për Ali Pashën

Më 1822 Mordecai Manuel Noah shkroi dramën në tre akte“Robina greke; ose, Rënia e Athinës” e cila ishte drama e parë amerikane e frymëzuar nga Revolucioni Grek dhe me Ali Pashën si karakter.

Mordecai Manuel Noah (1875-1851) ishte një gazetar, dramaturg, diplomat e politikan amerikano-izraelit i gjysmës së parë të shekullit XIX. Ai kishte lindur në Filadelfia më 19 korrik 1785 në një familje emigrantësh sefardikë portugezë. I ati jo vetëm kishte marrë pjesë në Ushtrinë Revlucionare kundër pushtimit kolonial anglez, por ishte edhe mik i Xhorxh Vashingtonit, i cili kishte qenë i ftuar në dasmën e tij.

Mordekai ishte mason dhe proto-zionist. Ai u bë udhëheqësi çifut më i rëndësishëm në Nju Jork në fillim të shekulllit XIX. Ai jetoi në një kohë kur letërsia amerikane kishtë filluar të zhvillohej, por ende ishte nën ndikimin e fuqishëm të letërsisë europjane, sidomos të Romantizmit anglez. Vetë Mordekai kishte miqësi me shumicën e figurave letrare më të njohura të kohës, si me romancierin Xhejms Fenimor Kuper, me poetin Washington Irving dhe me një poet romantik shumë popullor të kohës që shpesh quhej “Bajroni amerikan”, por që më vonë u la në harresë – Fitz-Green Halleck (1790-1867), i cili ishte autor i një poeme me 111 vargje të titulluar “Marko Boçari”, kushtuar trimërisë dhe vdekjes heroike të komandantit suliot.

Gjatë viteve 1813-1815 M. Noah u emërua konsull në Tunis në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kishin probleme me piraterinë algjeriane në Mesdhe.

Gjatë viteve 1819-1824 Mordekai Noah, siç thotë në “Autobiografinë” e tij, shkroi dhe vuri në skenë katër drama.

Drama e parë titullohet “Ajo do të bëhej ushtare; ose Beteja e Çipevas. Premiera e saj u dha me 21 qershor 1819 në Park Theatre të Nju Jorkut dhe ishte drama e tij më e suksesshme. Që në atë kohë Mordekai Noah u konsiderua si shkrimtari i parë çifut më i rëndësishëm i Amerikës. Kjo dramë është përfshirë në antologjitë e nivelit të kolegjeve amerikane.

Drama “Ajo do të bëhej ushtare; ose Beteja e Çipevas” ka 3 akte dhe 11 tablo.Personzhet e dramës janë: Xhenkinsi, një fermer vendas; Zhasperi, fqinj i tij me origjinë franceze; Kristina, e bija e Zhasperit; Lenoksi, një oficer amerikan i plagosur në Betejën e Niagarës, i cili kurohet ng Kristina dhe bie në dashur me të; Xherri, një fermer që kërkon të martohet me Kristinën; Gjenerali amerikan; Adela, e bija e gjeneralit; Kapiteni Pendragon, officer anglez i zënë rob nga amerikanët; Laroli, adjutanti francez i Pendragonit, gjithashtu i zënë rob nga amerikanet; një prijës indian, gjithashtu i zënë rob nga amerikanët; roje, fshatarë, ushtarë, etj.

Ngjarjet zhvillohen gjatë luftës koloniale midis forcave të Shteteve të Bashkuara dhe Francës, nga njëra anë, me forcat e Britanisë së Madhe dhe fiseve indiane aleate, nga ana tjetër nw Fushat e Çipevas. Në një fshat kufitar amerikano-kanadez jeton fermeri i ve Zhasperi, me origjinë franceze, me vajzën e tij të bukur Kristina, me të cilën kërkon të martohet fermeri Xherri. Ndërkohë Kristina dashuron oficerin amerikan Lenoks, i cili është plagosur në Betejën e Niagarës dhe kurohet në shtëpinë e fermerit Zhasper nga Kristina. Lenoksi kthehet në kampin e tij pasi i premton Kristinës për t’u martuar bashkë pas mbarimit të luftës. Fermeri Xherri vjen në shtëpinë e Zhasperit për të marrë Kristinën, por ajo ikën fshehurazi në pyll dhe arrin në kampin e ushtrisë amerikane e maskuar si burrë dhe kërkon që të rekrutohet si ushtar me shpresë që të takojë Lenoksin. Mirëpo atje ajo shikon Lenoksin në shoqërinë e Adelës, vajzës së Gjeneralit me të cilin ai ka miqësi të vjetër. Kristina dëshpërohet se kujton që Lenoksi e ka mashtruar dhe dashuron Adelën. Mbas një incidenti Kristina arrestohet e burgoset dhe pret që gjyqi ushtarak ta dënojë me vdekje. Para ekzekutimit, ajo i jep rojës një varëse me miniaturën e Lenoksit që ia kishte dhuruar ai si premtim besnikërie. Miniatura bie në dorën e Lenoksit dhe zbulohet që ‘ushtari’ rebel është Kristina dhe të gjitha keqkuptimet sqarohen. Lufta mbaron me fitoren e amerikanëve. Në fund të dramës Gjenerali thotë: “Të gjitha gjërat kanë pasur fund të lumtur. Armët tona kanë qenë ngadhnjimtare dhe ushtarët tanë trima janë shpërblyer me mirënjohjen e atdheut të tyre. Dashuria ka thurur një kurorë për ballin tënd, Lenoks, dhe tani të pret paqja dhe lumturia familjare; dhe kur të vijë pleqëria dalngadalë, do t’i kujtosh Fushat e Çipevas dhe do të ndjesh për Britaninë ashtu si duhet të ndjejnë njerëzit e lirë ndaj gjithë botës: ‘Armiq në luftë—në paqe, miq.’”

Drama e dytë “Marioni; ose Heroi i Liqenit Xhorxh” u shfaq për herë të parë më 25 nëntor 1821. Autori thotë se “ishte një dramë që unë e shkrova me rastin e rihapjes së teatrit ‘Park Theatre’ dhe për të kremtuar festën e evakuimit të Nju Jorkut nga britanikët më 1783.”

Drama e tretë “Robina greke; ose Rënia e Athinës” kishte në qendër figurën e Ali Pashë Tepelenës. Për këtë dramë Mordekai shkruan: “Pjesën tjetër teatrale, besoj, e shkrova për një kushëri dhe mik timin, i cili donte diçka që të bënte bujë, kështu që, me qenë se lufta për liri në Greqi ishte në atë periudhë ngjarja emocionante dominuese, unë e përfundova melodramën e “Robinës greke”, e cila u shfaq me të gjitha përparësitë e skenës dhe muzikës së mirë me 17 qershor 1822” në teatrin ‘Park Theatre’ të Nju Jorkut.

Drama “Robina greke; ose Rënia e Athinës” në botimin original ka tre akte dhe 48 faqe. Ajo  është botuar në qershor 1822 në Nju Jork nga shtëpia botuese E. M. Murden, Circulating Library and Dramatic Repository, No. 4, Chambers-Street.

Drama u shfaq më pak se 5 muaj pasi ishte vrarë Ali Pasha. Shtysën për të shkruar këtë dramë Noah e mori, siç pohon ai vetë, “nga lufta për liri në Greqi”. Ali Pasha ishte në mënyrë të pashmangshme pjesë përbërëse e atyre ngjarjeve; ai ishte padyshim aktor i rëndësishëm në teatrin e ngjarjeve historike të kohës. Në dramë as nuk përmendet as nuk aludohet asgjë rreth origjinës shqiptare të Ali Pashë Tepelenës dhe as rreth rolit të rëndësishëm që luajtën shqiptarët në atë luftë. Përveç faktit të ditur e të padiskutueshëm të origjinës shqiptare të Ali Pashës, në dramën e Mordekai Noah-ut nuk ka asgjë shqiptare. “Robina e Athinës” nuk është dramë historike, por është një melodramë romantike e krijuar me qëllimin e vetëm për të glorifikuar Greqinë dhe ngadhnjimin e grekëve mbi otomanët.

Vendi i veprimit të dramës është pallati imagjinar i Ali Pashës në Athinë. Autori qëllimisht e ka zhvendosur sarajin e Ali Pashës nga Janina në Athinë. Në kohën e Ali Pashës qytetet më të rëndësishëm të Greqisë ishin Selaniku, Janina, Korfuzi, Preveza dhe qytete të tjera të bregdetit jonian. Athina ishte një qytet i vogël me vetëm 4 mijë banorë, por ishte i rëndësishëm sepse lidhej me nostalgjinë e grekëve dhe memorien e Europës për famën e Athinës në kohën e antikitetit, simbol i së cilës ishte Akropoli ifamshëm.Athina mori rëndësi të veçantë gjatë luftës së grekëve për pavarësi dhe u bë kryeqytet i Mbretërisë Greke më 1834.

Në parathënien e dramës autori shpjegon se si dhe pse e përdori figurën e Ali Pashës për të shkruar dramën në mbështetje të luftës së grekëve për pavarësi: “Disa pjesëteatrale janë shfaqur tashmë në Londër, të cilat lidhen me luftën e tanishme në Greqi, si dhe janë dramatizuar ngjarje që thuhet se nuk kanë ndodhur kurrë. Ky privilegj i imagjinatës është pronë e veçantë e dramaturgut, i cili nuk është i detyruar të presë për lëvizjet e ngadalshme të ushtrive, ose për përparimin e ftohtë të negociatave të kancelarive; atij i mjafton (për tëështë e mjaftueshme) të dijë se po bëhet luftë në Greqi, në djepin e Arteve, ku këndoi Homeri, ku ngadhnjeu Themistokliu, dhe imagjinata e çpikja e tij duhet ta plotësojnë pjesën tjetër. Prandaj, në qoftë se ndodh që grekët të mos e marrin Athinën, kjo nuk do të ndodhë për fajin tim (nuk do të jetë faji im). Ajo ishte e nevojshme për dramën time dhe unë bëra që ata ta marrin atë vend interesant me një të lëvizur të penës sime, ndërkohë që isha shumë larg nga skena e veprimeve dhe nuk mund të merrja pjesë në luftimet për të.I kam dhënë vetes lirinë e vogël për ta zhvendosur Ali Pashën nga Janina në Athinë me qenë se ishte një fushë veprimi më e gjërë dhe krejt e përshtatshme. Gjithashtu e kam bërë atë armik të grekëve dhe në fakt i tillë ishte, sepse mosbindja dhe armiqësia ndaj Portës së Lartë ishin të vetmet motive që e shtyn atë ta përkrahte kauzën e grekëve”. 

Qysh në fillim të dramës tregohet se Ali Pasha i Athinës kishte rënë në dashuri me robinën Zelia, të bijën e një patrioti grek të quajtur Kiminski, dhe donte ta merrte për grua. Mendoj se mbrapa Zelias mund të shohim imazhin e Vasiliqisë, grekes së bukur orthodokse me të cilën u martua Ali Pasha. Por ndryshe nga Vasiliqia, e cila u rrit në sarajet e Aliut, u martua me dëshirën e saj dhe i qëndroi besnike Aliut edhe pas vdekjes së tij, Zelia e urren Aliun aq sa është gati të vetvritet për të mos u martuar me të, dhe në fund ajo ribashkohet me Demetriusin.

Demetrius Ypsilanti, vëllai i udhëheqësi grek Aleksandër Ypsilanti, paraqitet në pallatin e Aliut në Athinë, i maskuar si piktor me emrin e rremë Karini (Carini), fiton besimin e pashait dhe ngarkohet për të bërë portretin e robinës së bukur që dashuronte Ali Pasha. Drama fillon në kopështin e sarajit me përgatitjet e nevojshme për fillimin e punës së piktorit. Ndërsa bëhet gati për të filluar punën me Akropolin në sfond, ai mediton: “Këtu duhet të ulem si piktor dhe ndërkohë që skicoj tiparet e një skllaveje, sytë më enden nëpër Athinë. . . . O Greqi! Greqi! Sa e bukur je edhe në skllavëri! Sa të mrekullueshme rrënojat e tua! Sa i butë e balsamues ajri yt! Sa të pasura dhe pjellore luginat e tua!” (2). Sërish robina dhe vendi shkrihen së bashku. Sapo shfaqet modeli që piktori duhet të pikturojë, Demetriusi shtanget nga habia kur shikon se robina është Zelia, e fejuara e tij, të cilën ai e mendonte të mbetur e vdekur nën rrënojat e kështjellës së pushtuar nga Aliu.

Jeniçerët, nën udhëheqjen e komandantit të tyre Ahmetit, revotohen kundër Ali Pashës që kërkon të martohet me një robinë të krishterë greke. Ahmeti, duke nxitur revoltën e jeniçerëve, u thotë atyre se “I vetmi qëllim që ne duhet të ndjekim është që ta detyrojmë Aliun të na dorëzojë atë robinën greke që ka uzurpuar dashurinë e Fatimas fisnike” (I, 14). Ahmeti nxitet nga xhelozia e nënës së tij, Fatimas, e cila është gruaja e preferuar e Ali Pashës. Në aktin e parë Robertoja në monologun e tij   shpjegon se “Ahmeti, agai i jeniçerëve, është i biri i Fatimas, e cila qysh nga ardhja e Zelias është braktisur ng Pashai” (Akti I, f. 13).

Jeniçerët e rrethojnë sarajin e Aliut dhe e vrasin pashain. Ahmeti jep urdhër t’ia presin kokën Ali Pashës dhe ta dërgojnë në Stamboll: “Hiqjani kokën tradhëtarit! Dërgojeni me një lajmëtar të besuar në Konstandinopojë, ta vendosin në portat e qytetit që të mund ta shohë bota kokën e tiranit Ali Pasha!” (f. 44)

Grekët, nën udhëheqjen e Aleksandër Ypsilantit dhe Kiminskit, babait të Zelias, e pushtojnë Athinën me ndihmën e frigatës amerikane të quajtur Shtetet e Bashkuara, komandanti i së cilës, Burrows, shfaqet në fund të dramës si një ‘deus ex machina’, i cili “dha kontribut thelbësor për fitoren”, ndonëse faktikisht Fllota Amerikane qëndroi neutrale gjatë konfliktit. Drama përfundon me robërit turq të lidhur me zinxhirë që shoqërohen nën Akropol të zbukururar me flamuj që mbajnë emrat e heronjve të Greqisë së lashtë (47).

Për dramën e katërt Mordekai Noah shkruan në “Autobiografinë” e tij: “Shfaqja ime e fundit si autor dramash ishte një pjesë tjetër teatrale kombëtare e quajtur “Jusef Karmati, ose rrethimi i Tripolit”, të cilën manaxherët ma mbushën mendjen ta shfaqja për përfitimin tim dhe kjo ishte përpjekja ime e parë për të nxjerrë ndonjë përfitim nga përpjekjet e mia si dramaturg. Drama u vu në skenë me elegancë—salla ishte e mbushur plot me bukuri e modë—gjithshka shkoi për mrekulli, kur, pak pasi spektatorët ishin larguar, doli se në ‘Park Theatre’ kishte rënë zjarr dhe mbrenda një kohe të shkurtër mbeti një grumbull rrënojash.”

 

John Howard Payne për Ali Pashën

Aventurieri i talentuar amerikan John Howard Payne (1791-1852) njihet në Amerikë sidomos si autor i këngës së preferuar të Presidentit Abraham Linkoln “Home, Sweet Home” (Shtëpi, e ëmbla shtëpi”). Ai e përdori këtë poemë si material muzikor në operetën e tij Clari; or the Maid of Milan(‘Klari, ose Vasha ng Milani”), e cila u shfaq në Teatrin “Covent Garden” në Londër më 1823.

Payne-i ishte një gjeni i vogël, sepse që kur ishte njëmbëdhjetë vjeç ai bënte shkrime kritike për teatrin, të cilat botoheshin për meritën e tyre, dhe në moshën 14-vjeçare u bë redaktor i revistës kritike të teatrove të Nju Jorkut “Thespian Mirror” prej tetë faqesh, e cila lexohej shumë. Kurioziteti i publikut për këtë djalë të jashtëzakonshëm u rrit aq shumë sa që një vit më vonë u shfaq në Nju Jork drama e tij e parë “Julia”.

Më 1813 ai shkoi në Angli për një vit për të provuar fatin e tij si aktor në teatrot e Londrës, por qëndroi në Europë njëzet vjet. Gjatë kësaj kohe ai shkroi, përktheu dhe përshtati për teatrot londineze më shumë se gjashtëdhjetë drama. Ai ishte amerikani i parë që tërhoqi vëmendjen në Angli si aktor e dramaturg.

Payne-i ishte aktori i parë amerikan që ka interpretuar rolin e Hamletit. Kur ishte 18 vjeç interpretoi rolin e Romeos në tragjedinë e Shekspirit, ku rolin e Xhuljetës e luante Eliza Poe, nëna e poetit Edgar Allan Poe. Gjatë qëndrimit të tij në Europë, kryesisht në Londër dhe Paris, Payne pati disa njohje e lidhje romantike. Në verën e vitit 1823 në Paris ai u njoh e ra në dashuri me të venë e re të Shelley-t, Mary Shelley-n, autoren e romanit Frankenstein. Ata u takuan në Hotelin Nelson, në Paris, ku ajo qëndroi disa ditëgjatë kthimit nga Italia në Londër pas vdekjes aksidentale të të shoqit. Percy Shelley ishte mbytur në det në gjirin e Spezias një muaj pa i mbushur të tridhjetat. Peyne dhe Mary shkëmbyen korrespondencë të dëndur ndonëse ajo asnjëherë nuk i dha shpresë Payne-it përtej caqeve të miqësisë. Ndjenjat e Payne-it u ftohën kur ai e kuptoi se ajo kishte shpresuar që nëpërmjet tij të tërhiqte vëmendjen e mikut të tij të ngushtë, poetit të famshëm amerikan Washington Irving. Payne nuk u martua kurrë. Më 1832 ai u kthye në Shtetet e Bashkuara.Në Amerikë tashmë ishte venitur emri i tij si shkrimtar e thuajse ishte harruar, por ai bashkëpunoi me mikun e tij të ngushtëWashington Irving në pesë drama. Thuhet se ai ishte babai biologjik i poetit të madh Adgar Allan Poe.

Edhe Payne, si pararendësi i tij diplomatik e dramatik M. E. Noah, ushtroi veprimtari diplomatike në Tunizi. Ai u emërua nga Presidenti Xhon Tajlër si konsull amerikan në Tunis, ku shërbeu për 10 vjet, nga viti 1842 deri sa vdiq dhe u varros atje më 10 prill 1852.

Mbrëmjen e 19 tetorit 1822, vetëm shtatë muaj pasi koka e prerë e Ali Pashës ishte ekspozuar në Stamboll, u dha premiera e dramës së tij “Ali Pacha; ose, Unaza me myhyr: Një Melodramë nëdy akte”në Teatrin Mbretëror të Londrës në Covent Garden. Payne-i e shfrytëzoi vdekjen spektakolare të Aliut për një melodramë që do t’i sillte sukses personal, kryesisht financiar, sepse ishte i zhytur në borxhe. Drama e tij u shfaq pesë muaj përpara formimit të Komitetit Grek të Londrës që e rekrutoi Bajronin për të shkuar në Mesolongj. Figura e Ali Pashës u përdor politikisht edhe në letërsi. Ali Pacha i Payne-it paraqitet në mënyrën më paradoksale të mundshme si pengesa parësore dhe njëkohësisht si shtysa kryesore për çlirimin e Greqisë. Payne-i e ka portretizuar Pashain si krye-zuzar, bandit mizor e të urryer nga grekët, vdekja tragjike e të cilit është kulmi ngadhnjyes i dramës.

Disa studjues mendojnë se kjo dramë ishte produkt i bashkautorësisë së Payne-it me dramaturgun anglez James Robinson Planché, bile disa mendojnë se ajo është vepër ekskluzive e Planché-s dhe e përfshijnë atë në listën e plotë të produksioneve të dramaturgut anglez. Meqenë se këto janë supozime, ne do ta pranojmë Payne-in si autor të kësaj drame, aq më tepër që ne kemi në dorë botimin original të tekstit të dramës, ashtu siç u shfaq në Teatrin Mbretëror në Londër, me emrin e plotë të John Howard Payne-it në kopertinë dhe me adresën e plotë të botuesit (LONDON: JOHN CUMBERLAND, 19, LUDGATE HILL),si dhe me “Shënimet kritike”, ku përmendet emri i Payne-it, të botuar nga revista e kohës ” Blackwood Magazine”, Vol. XIII, f. 529.

Payne-i e ndryshoi fundin tragjik të Ali Pashës duke i dhënë dramës një finale më spektakulare. Aliu nuk vritet duke luftuar dhe nuk i pritet koka nga Ismaili, emisari i sulltanit, siç ndodhi në të vërtetë, por Aliu hedh vehten në erë duke i vënë dinamitin kështjellës, siç bëri murgu Samuel apo heroina suliote Despo Botzi.  Pas evakuimit të Sulit, murgu Samuel u mbyll në kishën-fortesë të Ayia Paraskevit në fshatin suliot Kiungi dhe hodhi në erë kishën-kështjellë, veten e pesë suliotë. Kurse Despo Botzi, e shoqja e suliotit Georgski (Gjergj) Botzi, jetonte në Kullën e Dimulas. Ajo u mbyll në kullë me djemtë e nuset e djemve dhe kur u rrethuan nga forcat e Ali Pashës, i mblodhi ata dhe i pyeti a preferonin vdekjen apo skllavërinë dhe ata iu përgjigjën njëzëri se donin më mirë njëmijë vdekje se skllavërinë. Pastaj kjo grua trime vuri në mes të dhomës një arkë të mbushur me barut, i thirri të gjithë të mblidheshin rreth arkës, ndezi barutin dhe të gjithë, 11 vetë, u bënë shkrumb e hi.

Ngjarjet e melodramës me dy akte “Ali Pasha, ose Unaza me myhyr” zhvillohen në Janinëme Ali Pashë Tepelenën në qendër të veprimit dramatik, nëfazën e fundit të jetës dhe “në aktin e fundit” të tij. Veprimi zhvillohet në bregun shkëmbor të Liqenit të Janinës dhe në sarajin e Ali Pashës në ishullin e Liqenit. Heroi kryesor i dramës është Zenoklesi, djali i Patriarkut të Epirit të vrarë nga Aliu. Aliu, pasi i ka vënë zjarrin Janinës është mbyllur në fortesën e tij në ishull. Ai i jep porosi Selimit, nipit të tij, që kur t’i japë unazën me myhyr duhet të shkojë në qilarin e fortesës ku ka vënë fuçitë me dinamit dhe me një pishtar ta ndezë dinamitin dhe të hedhë në erë gjithshka. Selimi dashuron Helenën, një vajzë të bukur greke që mbahet në harem nga Aliu. Zenoklesi po përgatit hakmarrjen kundër Aliut, i cili i ka vrarë jo vetëm babain por dhe ka mbytur në liqen nënën e tij dhe motrën e vogël. Në fakt Helena është motra e Zenoklesit, të cilën Aliu nuk e ka mbytur, por e mban si robinë në harem. Në planin e tij për hakmarrje dhe për çlirimin nga tirania e Ali Pashës, Zenoklesi e bind Talathonin, komandantin grek që i shërben Aliut, që t’i bashkohet kauzës për çlirim. Zenoklesi merr vesh se Helena është gjallë dhe motër e vëlla bashkohen. Ndërkohë Aliut i vjen lajmi se dy djemtë janë vrarë dhe kokat e tyre janë dërguar në Stamboll. Aliut i vjen një letër nga i biri, Veliu ku i shpjegon se Selimi, nuk është biri i tij i ligjshëm, por djali i një familjeje greke. Edhe Selimi e merr vesh që nuk është nipi i Aliut. Zenoklesi arrin të hyjë deri në sarajin e Aliut dhe të takohet me Aliun i maskuar si ambasadori turk i Ismailit, të cilin e ka dërguar Sulltani për të nënshtruar Aliun. Ismaili është i etur për hakmarrje sepse Aliu mban të burgosur babain e tij, Ibrahim beun. Në fund vjen fermani me urdhërin e Sulltanit për t’i prerë kokën Aliut, i cili nuk dorëzohet por lufton dhe i jep fund jetës duke qëlluar me kobure fuçinë me barut dhe hedh në erë fortesën me gjithë thesarin e tij. Në finale Zenoklesi, i rrethuar nga Helena, Selimi e ushtarë grekë, valëvit flamurin grek mbi rrënojat në flakë të Janinës.

Më 1922 fakti historik i vdekjes së Ali Pashë Tepelenës ishte shumë i freskët në memorjen e publikut europjan, ashtu siç ishte dhe zhvillimi i lëvizjes çlirimtare të grekëve për pavarësi. Në “Shënimet kritike” të dramës dëshmohet vrasja me tradhëti e Ali Pashës dhe shpjegohet ndryshimi i fundit të tij tragjik nga fakti historik dhe arësyeja që e shtyu Payne-in ta bënte këtë ndryshim: “Vdekja e tij nuk ndodhi pikërisht ashtu si është paraqitur këtu. Në vend që ta hidhte veten në erë, ai u vra nga një officer nga Konstandinopoja me urdhër të sulltanit, pavarësisht nga një traktat solemn që e kishte bindur Aliun të dorëzohej me besë. Ky ishte një akt tradhtie aq i ulët dhe i pabesë sa ato që kishin njollosur gjithnjë jetën e tij—megjithatë Porta kishte pasur sukses në komplotin e saj dhe e kishte shpërblyer vrasësin. . . . Zoti Payne kishte përfituar nga nami i keq i përhapur në atë kohë për Ali Pashën dhe nga popullariteti i kauzës së grekëve për ta shfaqur me sukses këtë pjesë të vogël”.

Në Aktin e Parë, Aliu e djeg dhe e plaçkit Janinën përpara se Ismaili, kundërshtari i tij i vjetër, dhe ushtria e Sulltanit të mbrrijnë atje. Në skenën III të këtij akti Zenoklesi, i biri i Patriarkut të Epirit të vrarë nga Aliu, i drejtohet Talathonit, bashkatdhetarit të tij, me një apostrofë romantike për t’u ngritur kundër zgjedhës së huaj:

“Më dëgjo mua! Ti nuk je greku i vetëm i cili, i magjepsur nga gjenia e Ali Thebelenit, është bërë bashkëpjesmarrës në krimet e tij. Por një lavdi e re të pret—lavdia për ta fshirë njollën që ta ka përdhosur emrin, me anë të shkatërrimit të tiranit të vendit tënd. . . .O  burra! Burra! Bij të tokës që ka përhapur arte e sqimë në të gjithë botën; që e ka mbushur historinë me shembujt e saj të parë të mëdhenj; që u ka mësuar vendeve të palindur se kur ishte momenti më madhështor për të qenë të lirë dhe të mëdhenj—O, burra të Greqisë! Si mund ta krrusni qafën e të nënshtroheni me bindje para barbarëve? Si mund ta pranoni zgjedhën, ndërkohë që kombe të largëta revoltohen kur dëgjojnë historitë e padrejtësive që ju bëhen dhe digjen nga dëshira për të mbështetur kauzën tuaj? Ju bij të heronjve, zgjohuni nga letargjia! Shtypini ata që e kanë përdhosur tokën e lavdisë! Tregojini botës që pret shumë nga ju se Greqia nuk është shuar dhe jepini Homerëve të së ardhmes tema për një Iliadë më të fuqishme. . . .Ja, këtu në Epir, le ta vadisë keqbërësi me gjakun e tij tokën që ai vetë e ka shkretuar!” (I, iii)

Në këtë skenë Aliu e pret Zenoklesin të maskuar si emisar i Ismailit me këngë e valle. Kori interpreton 16 vargje nga kënga e famëshme “Tamburxhi! Tamburxhi!” e poemës “Çajld Haroldi” të Bajronit. Ali përpiqet t’i bindë grekët për bashkëpunim kundër armikut të përbashkët, por Zenoklesi mban qëndrim të papajtueshëm ndaj tij:

Aliu: “Dikur unë i nënshtrova grekët – atëherë ajo ishte politika ime. Tani, një rrezik i përbashkët na bashkon kundër të njëjtit armik.

Zenoklesi: “Ti aleat i grekëve!? Kujton ti se bashkatdhetarët e mi do ta turpërojnë kauzën e tyre të shenjtë duke pranuar një udhëheqës të tillë si ti? Ti je armiku i tyre i parë. “Të shfaroset Aliu!”– Kjo është thirrja e gjithë Greqisë.”

Aliu: “Çfarë? Unë i fala grekët! Unë të gënjeva. Unë jetoj që të shikoj udhëtarin që kërkon, mbi gërmadhat e Greqisë së lashtë, rrënojat e së resë.”

Zenoklesi: “Oh! Komb fatkeq!”

Siç mund të pritet, drama përfundon me fitoren e grekëve dhe vdekjen e Aliut. Drama është e shkurtër (teksti i plotë është vetëm 20 faqe), por Payne, si mjeshtër i skenës me përvojë të gjatë, e bën vdekjen e Aliut një spektakël të madh. Aliu me një kobure qëllon mbi Ismailin dhe dy oficerë të tjerë turq, kurse koburen tjetër e zbrazë mbi një fuçi baruti në të njëtën kohë që Ismaili dhe dy oficerët qëllojnë mbi të. Kështjella hidhet në erë. Zenoklesi shfaqet midis flakëve mbi gërmadha duke valëvitur një flamur grek. Pra, në fund të fundit, Aliu i jep fund jetës me një akt heroik, ashtu siç bëri murgu Samuel dhe heroina suliote Despo Botzi.

Në “Shënimet kritike” të dramës, ndër të tjera, jepet një vlerësim mjaft objektiv për personalitetin e Ali Pashës: “Ali Pasha, heroi i kësaj drame, ishte një njeri shumë i shquar. Ai kishte tërhequr vëmendjen e Europës perëndimore me qëndrimin e tij të vendosur që mbante kundër Portës, si dhe me vëmendjen e madhe që treguan ndaj tij udhëtarët europjanë, veçanërisht Lord Bajroni. Ndonëse nuk mund të thuhet në asnjë formë se ishte përkrahës i lirisë, megjithatë ai mund të konsiderohet personi që ka kontribuar kryesisht, ndonëse në fakt jo qëllimisht, në luftën që po bëjnë tani grekët për pavarësi. Karakteri i tij ishte i njollosur me çdo krim, por kjo nuk është diçka e pazakontë për një despot oriental.”

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *