Lista me 884 mësuesit që garojnë në lëndën e gjuhës shqipe

Ornela

Mbi 880 mësues të profilit të gjuhës shqipe dhe letërsisë do të garojnë përgjatë javës së ardhshme për vendet e lira të punës të raportuara në shkollat e arsimit 9-vjeçar, si dhe në shkollat e mesme publike në të gjithë vendin.

Pas vlerësimit të listave të depozituara nga strukturat rajonale të arsimit, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka shpallur gjatë ditës së djeshme listën me 884 mësuesit e gjuhës shqipe dhe letërsisë që plotësojnë kushtet për të zhvilluar testimin e informatizuar, përkatësisht në datat 20-28 korrik, sipas kalendarit të përcaktuar. Listën e plotë të kandidatëve e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit, ku për secilin prej tyre jepet e përcaktuar data dhe orari konkrete se kur duhet të paraqiteni në ambientet e kësaj qendre për të zhvilluar testin. Çka do të thotë se nuk mund të jepni provimin në një datë apo orar që nuk është përcaktuar për ju.

“Ju bëjmë me dije se në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në testim, oraret do të jenë të përcaktuara për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni”, bëjnë me dije ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.

Sikundër ka ndodhur edhe me profilet e tjera, edhe mësuesit e gjuhës shqipe duhet të bëjnë kujdes me respektimin e rregullave të paraqitjes në testim, si dhe zhvillimit të tij. Në të kundërt nuk do të lejohen që të japin përgjatë këtij sezoni provimin, duke humbur kështu edhe mundësinë për të siguruar një kontrate pune në arsimin parauniversitar me nisjen e vitit të ri mësimor.

Sipas kushteve të përcaktuara më herët, çdo kandidat duhet :“Të paraqitet pranë QSHA-së i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike, të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5-2 metër me kandidatët e tjerë, të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara dhe mjetin e identifikimit, të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të testimit, të mos ketë me vete celularë, çanta dhe sende të tjera personale, të panevojshme në zhvillimin e testimit”.

Në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 dhe në vijim të masave parandaluese të përhapjes së tij, nëpërmjet urdhrave të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, testimet do të zhvillohen duke zbatuar me përpikëri rregullat higjienës dhe distancimit fizik.

Testi është i përbërë në dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetjet në njohjen e dokumenteve zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, njohjen e programeve lëndore përkatëse, metodologjinë e mësimdhënies dhe të të nxënit, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Ndërsa pjesa e dytë përmban përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit orientues përkatës.

Pikët e siguruara nga vlerësimi i dosjes profesionale, dhe nga testimi i informatizuar përbëjnë rezultatin final të çdo kandidati të përfshirë në këtë garë. Çka do të thotë se mësuesit që kanë siguruar nivelin më të lartë pikëve të grumbulluara nga vlerësimi i këtyre dy treguesve do të jenë të parët që do të ftohen të zgjedhin vendet e punës, sipas kuotave të lira të raportuara për çdo njësi vendore të arsimit në vend.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *