Mallakastra e Tri Besëlidhjeve historike

Ornela

Gjikë Kurtiqi

Është një ngjarje që, si rrallëkund tjetër, përkujtohet çdo vit si një festë, me krenari. Dhe kjo ndodh në Mallakastër në mes të korrikut. Janë tri Besëlidhje që kujtohen në një ditë. Janë tri beslidhje historike të kësaj krahine, atë të vitit 1847, të vitit 1920 dhe të korrikut të vitit 1943. Mallakastriotët mblidhen tё kujtojnё me respekt tё thellё prijsat e shquar dhe komandantёt e lavdishёm, qё prinё Mallakastrёn nё luftё dhe u bёnё e mbenё simbole emblematike tё Besёs dhe Trimёrisё Mallakastriote. Emrat e Rrapo Hekalit, Halim Hamitit e Mehmet Shehut dhe “Beslidhja e Poçemit”, u bёjnё nder jo vetёm Mallakastrёs, Vlorёs, Tepelenёs, Myzeqesё, Beratit, Skraparit etj, por tё gjithё Shqipёrisё, si prijësa legjendarë dhe burra tё shquar, pёrfaqësues tё denjё shpirtit dhe gjenit mallakastriot, qё aq bukur e patёn dёshmuar nё betejat e luftimet e zhvilluara dhe nё fitoret e arritura. Dhe qё me “Besёn e Poçemit” hajmali, shkruan faqet mё tё ndritura tё historisё.

Kështu ndodhi edhe këtë vit.

Që herët në mëngjesin e ditës së 12 korrikut 2020, në sheshin e bukur të Poçemit, në zemër të Mallakastrës, të stolisur me flamuj të kuq dhe parulla që përkujtonin tri besëlidhjet historike të saj, nën tingujt e këngës “Për ty Atdhe”, u mblodhën shumë banorë nga 70 fshatrat e Mallakastrës, nga Fieri, Vlora, Tepelena, Berati e Skrapari. Merrnin pjesë gjithashtu edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta, drejtues të pushtetit vendorë, nga Komiteti Kombëtar i Veteranëve të LANÇ-it, deputetë të zonës etj.

Në orën 10.00 filloi ceremonia festive me vendosjen e kurorave me lule në përmendoren kushtuar beslidhjeve të Poçemit, nga Presidenti i Republikës, kryetari bashkisë, kryetarja e Këshillit të Qarkut, kryetari dhe sekretari të Komitetit të Veteranëve të LANÇ të Mallakastrës, kryetari këshillit bashkiak, deputetët e zonës etj.

Oratorët që e morën fjalën theksuan se të trija besëlidhjet e Poçemit përshkohen nga i vetmi fill: liria dhe pavarësia e atdheut. Në Besëlidhjen e parë të vitit 1847, mallakastriotët nën udhëheqjen e Rrapo Hekalit u ngritën kundër taksave të reja të administratës turke. Dhe populli këndoi për trimin Rrapo Hekali: “Hajde more Rrapo Hekali,/ Kur thërret sa tundet Mali,/ Hajde more Rrapo o lule,/ Lum si ti ç’bilbil që zure,/ Një pasha me shtatë tuje,/ Plumbat të binin mbi supe,/ As u trembe, as u tute./ Pse Lufton a derëzi?/ As për mua, as për ti,/ Po për gjithë Shqipëri.”.

Besëlidhja e korrikut të vitit 1920 u bë për Luftën e Vlorës 100-vjetorin e së cilës po e kremtojmë këtë vit.

Për Besëlidhjen e Tretë, atë të korrikut vitit 1943, kryetari Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj, midis të tjerave nënvizoi: “Besëlidhja mallakastriote e vitit 1943 ishte një ngjarje historike e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur u mblodhën në këtë shesh u mblodhën mbi 2.000 luftëtarë me në krye trimat mallakastriotë: Mehmet Shehu, Dervish Hekali, Ramiz Aranitasi, Dinjo Kalenja, Bilbil e Qemal Klosi etj. të cilët lidhën besën për luftë të vendosur kundër nazistëve gjermanë dhe bashkëpuntorëve të tyre ballisto-zogistë. Kjo besëlidhje i dha hov luftës në Mallakastër e më gjerë duke shënuar faqe të lavdishme të asaj lufte legjendare që shpëtoi Shqipërinë nga synimet grabitqare të qarqeve reaksionare të fqinjëve tanë. Nё kёtё organizim ka meritёn e vet edhe Qarkori i PK tё Vlorёs, qё drejtohej nga Hysni Kapo, i cili delegoi disa nga djemtë trima e tё vendosur (Gjon Banushi, Fejzo Gjomema, Hasan Alimerko, Mynyr Xhindi etj), qё dhanё njё ndihmesё tё çmuar pёr organizimin e luftёs nё krahinё. Aksionet e kryera deri atëherë e kishin bindur Mallakastrёn se me djem si Mehmet Shehu, Dervish Hekali e Bilbil Klosi nё krye, mund tё arrihej fitorja mbi forcat fashiste.

Mijëra djem e vajza të Mallakastrës të rreshtuar në njësitet partizane do të luftonin me vetëmohim ballëpërballë pushtuesve nazistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre ballisto-zogistë për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. 365 dëshmorë dhe tre Heroj të Popullit i dha Mallakastra Atdheut në LANÇ.

***

Më tej, para përmendores që simbolizon këtë ngjarje historike, Presidenti i Republikës i dorëzoi kryetarit të bashkisë titullin e latë: “Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut” për tre besëlidhjet e Poçemit dhe iu drejtua të pranishmëve:

“Jam i lumtur dhe i privilegjuar që të jem sot së bashku me ju në këtë vend të shenjtë, në Poçem, në këtë amfiteatër të natyrës dhe vend për liri të burrave më të shquar, jo vetëm të këtij vendi të mrekullueshëm, por edhe të mbarë kombit tonë!

Përshëndetje dhe urimet më të ngrohta për 14 korrikun – datën simbol të bashkimit dhe lidhjes së besës së mallakastriotëve brez pas brezi në luftë për liri, pavarësi dhe dinjitet kombëtar!

Kjo datë e rëndësishme ka bashkuar si rrallë herë në historinë e një vendi tre kuvende të lavdishëm burrash në të njëjtin shesh, në të njëjtin muaj dhe në të njëjtën luftë të përhershme të shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj!

Këtu, në Poçemin historik e ka burimin qëndresa mbarëpopullore dhe kombëtare kundër pushtuesit osman në vitin 1847, për të vazhduar me organizimin dhe besëlidhjen e Mallakastrës 100 vite më parë, për t’i dhënë fund atij kalvari vuajtjesh, mundimesh, sakrificash që hoqi vendi ynë nga 28 nëntori 1912 me shpalljen e Pavarësisë e deri më 3 shtator të vitit 1920 në çlirimin përfundimtar jo vetëm të Vlorës, por të gjithë vendit tonë.

Njëkohësisht jemi sot këtu për të vlerësuar me nderim të jashtëzakonshëm edhe 8 korrikun e vitit 1943, ku mbi 2.000 burra të Mallakastrës i dhanë besën njëri-tjetrit për t’u ballafaquar me një ushtri prej mijra pushtuesish, e per t’i dalë zot vendit të vet.

Vendi ynë u ka mbijetuar rrebesheve të kohërave më të vështir vetëm falë trimërisë dhe atdhetarisë së bijve më të mirë, falë vetëdijes së tyre kombëtare, si dhe krenarisë dhe për vlerat dhe identitetin tonë prej shqiptari.

Epilog

Po të mos kesh parë Bylisin antik në zemër të Mallakastrës, është sikur të mos kesh qenë në këtë trevë të mrekullueshme. Nga pllaja e Bylisit, në lartësinë 524 metra mbi nivelin e detit shfaqet një tablo madhështore dhe e mrekullueshme, ku sheh Labërinë, Sazanin, detin dhe madje Italinë (me një palë dylbi të thjeshta) në perëndim. Nga lindja ngrihet madhështor Tomorri…

Pikërish në Bylis vazhdon festa duke ritheksuar vlerat historike të kësaj krahine. Shpirti i Mallakastrёs nga Poçemi Historik na bёn thirrje tu kthehemi vlerave tona mё tё mira pёr, dije, zhvillim e demokraci tё vёrtet, pёr jetё mё tё mirё dhe pёr lulёzimin e mёtejshёm tё asaj treve dhe tё gjithё Shqipёrisё. Sepse “Besëlidhja e Poçemit” zuri vend nё kujtesën e popullit tё asaj krahine, si çast solemn betimi e angazhimi, pёr vendime tё mёdha, qё kanё nevojë pёr shpirtin kryengritёs tё  popullit dhe pёr mendimin e qartë dhe vendosmërinё e prijësve tё tij, pёr mobilizimin, organizimin dhe drejtimin e tё gjitha potencialeve njerёzore e materiale pёr luftё, tё provuar e pranuar nga tё gjithё pjesëmarrësit, tё vendosur pёr tё marrё e mbajtur pёrgjegjёsinё e madhe pёr t’i  prirë nё luftё  me zgjuarësi, me guxim e trimёri, pёr arritjen e fitores mbi armikun.

 

 

Share This Article
3 Comments
  • Ato dy marreveshjet e para mbaji me shendet,po ate memet shehun,ne historine tuaj sikur e keni POLIAGJENT,me goxha Tabllo Sinoptike.
    Ay Gjon Banushi,mos ka qene krimineli i gjyqeve te Intelektualeve Shkodrane?
    Sa nga ATA MARTYRET katolike qe u varen ne Bulevardin e Tiranes,kur erdhi PAPA,u denuan,torturuan dhe egzekutuan nga Gjon Banushi?
    Sa shkrimtare,filozofe,inxheniere,mjeke,ke denuar prokurori i gjyqeve terroriste Gjon Banushi?

  • Mallakastra eshte vertete histori por ndertimi i teqeve e shperfytyroj te gjith krahinen , ska lidhje ajo treve me dervishlleqet e iranit e irakut , eshte poshterim kur ngjiten ne malin e tomorit te uzurpuar nga teqeja e evgjitit nga iraku, pastrohuni se jeni njollosur nga islamizmi.

  • Ne artikull shkruani :”…Ne beselidhjen e v.1847 mallakastriotet u ngriten kunder taksave te reja…”.
    Pra po te mos ishin taksat e reja ,nuk do te ngriheshin.
    Gjithashtu kenga thote:”…As per mua,as per ti /Po per gjithe Shqiperi “.
    Per cfare Shqiperie u ngriten? Ata u ngriten thjesht
    sepse u vendosen taksat e reja.A ka ndonje document ajo qe ju e quani “Beselidhje e v.1847” ku te jete shkruar se u ngriten per lirine e pavaresine e Shqiperise ? Jo ! Atehere pse nje kenge ,krijim letrar,e beni document historic ? Pse luften kunder taksave e quani lufte per Shqiperi ,pra lufte per pavaresi?
    Edhe dicka ;ne v.1847 nuk ekzistonte emertimi “turk,Turqi” as si emertim populli e as si emertim shteti .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *