Rrëfimi shokues i punonjësit të “Bankers Petroleum”

anazapta

Benard Syno është rreth të 40-ve, ai është babai i dy vajzave dhe familja po pret ardhjen në jetë të një djali. Kur trokiti në redaksinë e DITA, vihej re se çalonte lehtë, u paraqit me një dosje që e mbante nën sqetull. Dukej qartë se kishte probleme shëndetësore, por  me të nisur komunikimin e parë prezantues, bëhej e qartë se kishe përballë dikë me shumë vetëbesim, dikë që ishte më se i kthjellët se ku ishte, pse ishte dhe çfarë kërkonte. Në fakt, e gjithë fabula e tij fillon dhe mbaron, pikërisht tek ai “detaji” i çalimit që vihej re në ecjen e Benard Synos. Ai dëmtim në këmbën e majtë, e ka fillin që prej vitit 2011 gjatë kohës që punonte duke ngritur pesha të rënda në korporatën naftë-nxjerrëse “Bankers Petroleum” dhe që më pas solli një zinxhir problemesh dhe tre vizita në spitale. Syno thotë se  jo vetëm rrezikoi paralizimin e plotë të tij, por hoqi në kurriz dhe shpërfilljen e përsëritur  që kompania i bënte rekomandimeve të posaçme të mjekëve mbi shëndetin e tij dhe domosdoshmërinë që Synos t’i sigurohej një vend pune i përshtatshëm për të. Shpërfillja në fund u konvertua në “pushim nga puna” ndërsa Syno, në një intervistë për DITA ka shpjeguar në mënyrë të detajuar të gjithë situatën e tij dhe ka shpalosur të gjitha pretendimet që ai ka, mbi  çfarë ka ndodhur me shëndetin e tij si punonjës dhe me mënyrën se si “Bankers Petroleum” është sjellë me pas dëmtimit që ai pësoi në punë…

 

Zoti Syno, ju pretendoni se keni aktualisht një konflikt me kompaninë e hidrokarbureve “Bankers Petroleum” dhe keni pretendime ndaj saj. Mund të na thoni konkretisht se çfarë ka ndodhur me ju?

Benard Syno
Benard Syno

Po. Unë kam filluar punë në këtë kompani më datën 7 Mars 2011. Pozicioni im i specifikuar në kontratën ligjore ka qenë i përshkruar si: “asistent tek projektet e shpimit”. Puna ime konsistonte në ndarjen e argjilës prej ujit, proces ky që realizohet me ndihmën e një centrifuge të posaçme. Si pjesë e procesit të punës që më ishte ngarkuar mua, ishte dhe ngritja e thasëve me kimikate. Gjithashtu duhej të realizoja dhe çmontimin  e më pas pastrimin e tubacioneve ku kalonte argjila, shtuar këtu dhe ngritjen e kapakut dhe pastrimin e kubaturës së brendshme të centrifugës. Përveç këtyre gjithashtu shpërndaja dalta dhe materiale nëpër sondat e shpimit. Më pas daltat më duhej t’i zhvendosja nga magazina për në karrocerinë e një automjeti për t’i shpërndarë nëpër sonda. Mund t’iu ofroj një detaj, sepse jo të gjithë punonjësit kanë të njëjtën vlerë brenda së njëjtës kompani. Për shembull supervizori Greg Savatsky, në muajin Prill 2011, pasi më ka dhënë një shpërblim për punë jashtë orarit, në shënimin e shkresës ai nënvizonte se “Benardi ka bërë një punë të shkëlqyer”.
Më datën 23 Korrik 2011, 4 muaj pasi kisha nisur punë, tubat e centrifugës u bllokuan. Pasi zbërtheva lidhëset e tubave(të cilat kanë një peshë afro 35 kg secila) ndjeva dhimbje të forta mesi dhe nuk mund të lëvizja. Kolegu im që ndodhej aty pranë, më mori me makinën e kompanisë dhe më shoqëroi për tek mjeku i kompanisë, zyra e të cilit ndodhet brenda ambienteve të kompanisë në Marinëz. Doktori pasi më bëri një injeksion qetësues dhe masazh, më këshilloi për një vizitë të mëtejshme tek mjeku i familjes. Supervizori i kompanisë, z. Wayne Gaund më tha të shkoja në shtëpi dhe të qetësohesha për disa ditë. Por pasi shkova tek mjeku i familjes, ky i fundit, por edhe vetë kompania ku punoja,  më këshilluan të bëja një rezonancë-magnetike, pranë Spitalit Amerikan të Tiranës.  Më datën 5 Gusht 2011, rezultati i rezonancës doli “hernie-diskale, në kontakt me palcën e kurrizit”.

Çfarë do të thoshte ky rezultat? Të dha sugjerime mjeku se çfarë pune nuk duhej të kryeje pas këtij konstatimi?

Mjeku më tha se e kisha të ndaluar në mënyrë absolute ngritjen e peshave të rënda dhe përkuljet e sforcuara. Unë informova kompaninë duke i dorëzuar dhe këshillën dhe direktivën e mjekut. Por më lanë në të njëjtin pozicion pune.  Pasi mora në telefon disa herë menaxheren e burimeve njerëzore të kompanisë “Bankers”, duke i thënë se dëmtimi im ishte serioz dhe se mjeku ma kishte ndaluar rreptësisht atë lloj aktiviteti pune, përgjigja e saj ishte se kishte nisur një e-mail nga zyrat qendrore drejt bazës së Marinzës dhe u kishte bërë të ditur problemin tim. Por prapë në të njëjtin vend pune më lanë.

Rekomandimin e mjekut e keni dorëzuar në mënyrë zyrtare pranë kompanisë ku punoni?

Fotot e realizuara nga ekspertët e Sigurimit Teknik të “Bankers Petroleum”, gjatë momentit kur Benard Syno pësoi paralizimin
Fotot e realizuara nga ekspertët e Sigurimit Teknik të “Bankers Petroleum”, gjatë momentit kur Benard Syno pësoi paralizimin

Po, kjo nuk ka diskutim. Edhe sikur të mos e bëja unë, Spitali Amerikan nga ana e tij ja dorëzon një kopje të rezultateve dhe rekomandimeve vetë kompanisë. Por edhe unë personalisht e fotokopjova kopjen që më dhanë dhe e dorëzova pranë zyrave. Më pas në datën 17 Gusht 2011, pra pas dy javësh nga përgjigja e rezonancës, shkova në punë si zakonisht dhe po merrja disa dalta shpimi, për t’i shpërndarë nëpër sonda. Supervizori im ndodhej aty pranë dhe i thashë: “Keni marrë një e-mail nga menaxherja e burimeve njerëzore, pasi unë kam dëmtim dhe nuk duhet të jem duke bërë këtë që po bëj?” Ai më tha vetëm dy fjalë: “Vazhdo punën”. Ky supervizor, që quhet Wayne Gaunt la turnin në orën 12:00 dhe iku, duke u zëvendësuar provizorisht nga një tjetër supervizor, që quhet Greg Savatzky. Rreth orës 12:30 të drekës, unë ngrita në krahë thesin me kimikate për ta hedhur në gropën ku ndodhet argjila me ujë. Aty ndjeva dhimbje të forta mesi, rashë shakull dhe njëra këmbë mbeti në gropën e argjilës, e cila është mbi 2.5 metra e thellë. Duke u mbajtur me dorë dhe duke u zvarritur, mora në telefon kolegun tim të punës, duke i thënë se isha i pamundur të lëvizja dhe kisha një si paralizim dhe se ndodhesha mbi gropën e argjilës. Pak kohë më vonë, se di me saktësi sa zgjati, pasi e humba sensin e kohës, aty erdhi sigurimi teknik i cili bëri dhe fotot e dokumentimit, të cilat unë po ua vë dhe juve në dispozicion. Shefi i sigurimit Teknik të “Bankers” është z. Randy Voss, gjithashtu prezent ishte dhe menaxheri i Fushës Naftëmbajtëse z.Marshall Stag, ndodhej doktori i kompanisë z. Ylli Muçeli, me ambulancë, por dhe shumë kolegë të mi të punës të cilët më morën me barelë dhe më hipën në ambulancë.  Fillimisht u zhvendosa në Spitalin Rajonal Fier. Aty më bënë ekzaminimet e para dhe më këshilluan të bëja një rezonancë-magnetike, tek Spitali Amerikan në Tiranë, që të nesërmen, pra më datën 18 Gusht 2011. Rezonanca zbuloi se përveç dëmtimit të parë, kisha dhe dëmtim të rruazave të pjesës së legenit. Pra isha përkeqësuar. Nga fillimi i muajit Tetor, u ktheva në punë, pasi deri në këtë kohë isha me regjim të detyruar nga rekomandimi dhe raporti i mjekut. Në Tetor 2011, takoj supervizorin, z. Gaund dhe e pyes se ku mund të filloja punë. Ai mu përgjigj që pozicioni im i punës ishte zënë nga dikush tjetër, gjatë periudhës që unë isha me raport dhe se duhet të shkoja tek menaxheri i Fushës Naftëmbajtëse, z. Stag. Pasi u diskutua pozicioni im, u vendos që të më kalonin me grupin e “Mbështetjes Teknike”. Që të mos zgjatem, natyra e punës në këtë pozicion më ekspozonte edhe më shumë ndaj aktiviteteve që i kisha rreptësisht të ndaluara nga mjeku. Duke vazhduar punën si mbështetës teknik, kryesisht lyerje me bojë të depozitave, tubave, platformave, herë pas here ndjeja mpirje të këmbës së majtë dhe drejtohesha tek zyra shëndetësore e kompanisë dhe merrja qetësues për dhimbjet.

Fotot e realizuara nga ekspertët e Sigurimit Teknik të “Bankers Petroleum”, gjatë momentit kur Benard Syno pësoi paralizimin
Fotot e realizuara nga ekspertët e Sigurimit Teknik të “Bankers Petroleum”, gjatë momentit kur Benard Syno pësoi paralizimin

Më datën 27 Shkurt 2012, si çdo mëngjes, paraqitem te supervizori shqiptar i mbështetjes teknike zoti Xhemal Idrizi, cili më dërgoi mua dhe një kolegun tim më pas tek supervizori kanadez, z. George. Ky i fundit më tha se duhej të merrja një kazmë dhe të pastroja mbetjet e naftës me granil, përreth depozitave naftë-mbajtëse. Unë i shpjegova z. George, problemin që kisha me hernien-diskale, i detajova rekomandimin që kisha nga mjeku dhe ai mu përgjigj: “Kazmën, ose shiko hallin”. Menjëherë kam lajmëruar në telefon supervizorin shqiptar për këtë situatë të krijuar dhe ai erdhi aty dhe i shpjegoi z.George problemin tim. Përgjigja e e z.George ishte e prerë: “Kazmën, ose hallin”. Supervizori më tha se nuk kishte më ç’të bënte. Morëm kazmë, lopatë tek magazinat e “Bankers”, filluam punën. Pas disa minutash ndjeva dhimbje të forta mezi dhe rashë shakull në tokë dhe nuk e ndjeja më këmbën e majtë.Disa kolegë më lajmëruan zyrat përkatëse për incidentin që kishte ndodhur me mua. Aty vjen infermieri i kompanisë dhe një koleg pune , i mori dhe ambulancën e kompanisë atë ditë për të më shoqëruar drejt Spitalit Amerikan, në Fier, rreth orës 09:30 të mëngjesit. Tek Spitali Amerikan, pasi kolegu më la atje, sepse i duhej barela, kam marrë në telefon disa herë menaxheren e burimeve njerëzore dhe punonjësin përgjegjës për sigurimin shëndetësor të stafit, që të lajmëronte kompaninë SIGAL, që unë ndodhesha në spital. Ato nuk u janë përgjigjur telefonatave të mia. Më pas, kam marrë në telefon administratorin e përgjithshëm të kompanisë, “madhërinë e tij” z. Leonidha Çobo, i cili gjithashtu nuk i është përgjigjur telefonatave të mia. Detyrohem t’i nis një “sms” duke i shkruar tekstualisht: “Ju kërkoj ndihmë urgjente, pasi jam dëmtuar në punë dhe askush nuk po interesohet për mua”. Ai më kthen një përgjigje në numrin tim, duke më shkruar me sms: “Zoti Benard, nga informacioni që unë kam, ju s’jeni dëmtuar në punë, por keni hernie. Keni marrë gjithë ndihmën e duhur, bile më shumë se detyrimet e kompanisë. Ju uroj shërim të shpejtë”. Kjo sms më ka ardhur në orën 13:59 të datës 27 Shkurt 2012. Nuk kaluan as 10 minuta është paraqitur doktori Roel Zoga tek Spitali  Amerikan i cili pas vizitës më jep një raport mjekësor i cili konstatonte se unë kisha pësuar një “paraplegji inferiore spastike, probabël nga komprimimi i medullës spinale në nivel D7-D8” këmbën e majtë. Pra më ishte paralizuar këmba e majtë. Më dërguan me urgjencë në Spitalin Amerikan të Tiranës, për vizita të mëtejshme. Në këtë spital u prita urgjencë nga një ekip mjekësh të cilët pas analizave më dhanë opsionin e ndërhyrjes kirurgjikale, por më parë duhej të firmosja përjashtimin nga çdo përgjegjësi të mjekëve për çdo dëmtim që mund të vinte nga operacioni, pasi operacioni konsiderohej shumë delikat, pasi kërkonte ndërhyrje në kontakt me palcën trupore. Unë e refuzova operacionin, pas tre ditësh i shtruar në këtë spital, falë Zotit, nisa të ndjeja shumë pak këmbën e majtë. Dola nga spitali dhe neurokirurgu Fatos Olldashi, më këshilloi që nuk duhej të ngrija pesha të rënda dhe nuk duhet të bëja asnjë përkulje të sforcuar, pasi ishe tërësisht i ekspozuar nga paraliza e plotë.

Selia qendrore e zyrave të kompanisë "Bankers Petroleum" në Fier
Selia qendrore e zyrave të kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier

Çfarë ndodhi pasi dolët për të tretën herë nga spitali? Si i ndatë marrëdhëniet me “Bankers”?

Tre muajt e parë kam qëndruar në karrocë paraplegjikësh, rreth 6 muaj të tjerë kam qenë me paterica, gjithmonë me raport nga mjeku. Rreth datës 1 Shkurt 2013, kontaktohem nga zyrat e kompanisë dhe më thonë të shkoja në punë në një pozicion që i përshtatej situatës sime shëndetësore, me detyrën “mbikëqyrës skaneri, për fotot dhe shenjat e gishtave të punëtorëve të kompanisë”. Por s’kaluan as 4 muaj dhe në 27 Maj 2013, më kërkojnë një takim për të parë pozicionin tim të punës, sepse nuk e shihnin më si të nevojshëm dhe do e shkurtonin tërësisht si pozicion. Të nesërmen, më kanë pushuar nga puna. Motivi ‘zyrtar’ që më dhanë ishte : “ristrukturim i brendshëm i kompanisë”
Pas pushimit nga puna ju ku keni synuar?

Fillimisht, rrugën ligjore. Aktualisht unë e kam fituar dhe në Apel, gjyqin për pushimin e paligjshëm nga puna. Por jam dhe në një tjetër gjyq aktualisht me këtë kompani, për të kërkuar dëmshpërblim si pasojë e dëmtimit që kam pësuar posaçërisht nga sjellja shpërfillëse dhe e qëllimtë e kësaj kompanie ndaj shëndetit tim të rrezikuar, për të cilin kjo kompani ka marrë në mënyrë të përsëritur dijeni nga mjekët. Jam babai i dy vajzave dhe 3 vjeçe dhe 2 vjeçe, pres fëmijën tim të tretë, por dua t’iu sqaroj diçka, pasi është shumë e rëndësishme. Jam një baba i privuar nga e drejta për të mbajtur në krahë fëmijën tim dhe të luaj me të. Jam i privuar për të pasur një punë për të ushqyer fëmijët e mi, pasi çdo tronditje apo forcë e rastësishme që mund të ushtrohet ndaj trupit tim, më rrezikon paralizën totale.

 

* * *

REDAKSIONAL

Nuk është historia e një njeriu të vetëm…

Nëse dëmtohesh gjatë punës në ndërmarrjen ku shkon si çdo ditë dhe mjeku i rekomandon ndërmarrjes kalimin tënd në një pozicion tjetër për shkak të rrezikut eminent të shëndetit, çfarë bën kompania? Në rastin e Benard Synos, përgjigja është: Bën ç’të dojë. Por a është një rast i izoluar ajo çfarë ka ndodhur me Benard Synon, është fatkeqësia dhe shansi i mbrapshtë i një punëtori mes mijërave këtu në Shqipëri? Fatkeqësisht jo. Madje edhe në media, rastet e problemeve mes punonjësve dhe korporatave të mëdha, janë shpesh histori që përjashtohen nga vëmendja publike, jetojmë në epokën e korporatave apo jo?

Të përballesh me korporatat dhe kompanitë e mëdha ndërsa je duke kërkuar të drejtën tënde, nuk është një “sport” i lehtë as në vendet me një drejtësi shoqërore të kolauduar prej kohësh.

Imagjinoni pak Shqipërinë, sistemin tonë të drejtësisë, prokurorët tanë, policët, zyrat shtetërore të ndihmës  etj?
Po në Shqipëri si janë shanset ta gjesh të drejtën tënde përballë një korporate? Rezultati krahasues nuk ka nevojë për laps e kalem.
Rastet janë të panumërta, posaçërisht gazetarët dhe avokatët e dinë mirë se si janë bërë pirg paditë civile të qindra, mijëra, punonjësve në të gjithë Shqipërinë ndaj korporatave të mëdha në të cilat punojnë, bëhet fjalë gjithnjë për padi të cilat kanë si objekt keq-shfrytëzimin dhe shkeljen me të dyja këmbët nga ana e korporatave të Kodit të Punës dhe kontratave me punonjësit.

Ndoshta shembujt më spektakolar dhe më ekstrem në abuzime janë vërejtur me shfrytëzimin si skllevër të qindra minatorëve dhe problemet që ata kishin me korporatën koncensionare ACR.

Por nuk mungojnë dhe qindra shembuj të tjerë, më pak të bujshëm, por të njëjtë në thelb. Shqipëria po hyn me zell në tregun global, ky është një treg ku korporatat “bëjnë ligjin” dhe tendenca e tyre për shfrytëzim ka ngritur pikëpyetje dhe në shtete tejet të zhvilluara me sisteme të konsoliduara për të garantuar drejtësinë shoqërore.

Shqipëria nga ana e saj, vrullin e ka të madh, por drejtësinë shoqërore e ka përtokë, pra e kemi presionin të dyanshëm, jo vetëm nga korporatizmi që vjen si presion i jashtëm, por edhe presioni që vjen si pasojë e “çorbës” që kemi mbjellë brenda nesh.

Dukemi si të kapur në një morsë që përparon për të na “shtrydhur” nga të dyja drejtimet, duke mos pasur asnjë instrument mbrojtës.
Zoti e Ndihmoftë Shqipërinë dhe tregun e saj “të lirë”. “Dhis iz NOT ë mirakëll of fridëm” dhe Benard Syno nuk është i pari dhe me ç’duket nuk ka për të qenë as i fundit që e pëson në kurriz.  

 

Share This Article
7 Comments
  • Atyre njerzve ju kane rene shtepite ne shesh .80% e grave jane me tumor ,56% jane me nje gjoks .Te lexosh analizat e gjakut te 8~ 11 vjecareve te ze terri .
    Bankersit ,sistematikisht i jane marre miliona nga ,SHSSH ,sherbimi social ..ateher ALEKSANDER SHANAJ drejtor ,nga kryetari i komunes dhe nga spitali rajonal Fier ,dhe asnjeher nuk publikohen raportet .

    Gjiknuri …e vetmja gje qe mund te verifikosh eshte atesia …injorant …Ku e keni deputetin e zones ??? Pse Subashi ,Lutaj …e di une me sa te paafte jeni …nuk i dine kto gjera ???
    Qeveri kopilash ..deri dje ulerinit se fajin e ka Saliu …sot kush jua ka fajin ???

    POPULLI ,QE NUK JU DIEG TE GJITHEVE !

    • Verejtje per gazeten
      ky koment eshte imi ,por disi i vjeter dhe per nje artikull tjeter .
      I qendroj fjalise se fundit : DUHENI CUAR TE GJITHE NE TUREN E DRUVE !

      Nqs ,ne nje vend te botes si pretendoni ju me kte shkrim ,
      do ndodhte nje gje e tille
      apo do i vinte mesazh nga menaxheri si i ka ardhur zoterise , do e kishin futur brenda dhe do hidhnin celsat poshte .

      Leonidha Cobo eshte nje gjarper ,nje Uriah Hipi i peshtire .Aferat e vjedhjeve dhe te mashtrimeve te tij nuk mbarojne ne nje artikull .
      Me njerez te vetet ne gjyqesor ,me ka thene hapur qe te shkoja ku te doja se nuk do nxirrja gje ne drite {ne fakt pagoi njerzit e demtuar ,nuk i pelqeu te me kish perballe ne gjykate}

      I uroj Bernardit sukses ne kauzen e tij , i uroj shume fat sidomos per 3 yjet e tij

      dhe ju Sklleverit e tjere ,ju qe ne heshtje kapni lopaten …dhe juve ju uroj fat
      te njejtin fat te ktij zoterise me siper ….sepse heret a vone
      JU VJEN RADHA TE GJITHVE !

      Del ne drite, 7%-shi i Ilir Metes dhe POPULLI vazhdon akoma, FLE, GERRHET, VDES…:
      Krenohen me vjedhjet e TYRE, dhe POPULLI vazhdon akoma, FLE, GERRHET, VDES…:
      Varferojne femijet e TU, dhe POPULLI vazhdon akoma, FLE, GERRHET, VDES…:
      Vjedhin Pasurite e Prinderve te tu, Pasurite e tua, Pasurite e Femijeve te tu, dhe POPULLI vazhdon akoma, FLE, GERRHET, VDES…:
      Te Perdhunojne dhe ate pak NDER qe te ka ngelur, dhe POPULLI vazhdon akoma, FLE, GERRHET, VDES…:
      Ate qe nuk arriti, Italiani Gjermani apo Turku 500 vjet, po e arrijne keta Sharlatane duke e ushqyer kete Popull me Injorance…
      Nuk eshte faji Serbit, Grekut apo Turkut, qe ti po VDES, por vetem i JOTI…
      Po, Po… Ti e ke fajin qe FLE, GERRHET dhe VDES…
      VDIS o POPULL VDIS… Ky eshte fati i BAGETIVE…

  • popull zot na ruajte mos u ndjeni se ka dhe me keqe te bene amerka si ne siri po he se keshtu vate kjo pune vidhe nafte e vidhe gjithca qe kishte dhe ka albetroli dhe tani vate ne funde po ska ky eshte fillimi amhete hajdutria ndaj ne shqiptarve po dhe kushe na pyete po na vdesine me dhune e force dhe qeveria nuk ka ka frike mendojne pere vetene dhe miliardate e vjedhura dhe pse dhe e

  • Kapitalizmi eshte i eger, e shfrytezon papunesine, per te shfrytezuar deri ne maksimum, me pushimin nga puna.
    Per kete duhet shteti i se drejtes, qe me ligje dhe kontrolle te shpeshta te firmat private, te shikohen kontratat e punes dhe aty ku gjinden punetore, pa kontrate pune, te gjobitet firme me gjoba te larta.
    Se mos pasja e nje kontrate pune, ben ate qe shume firma, mos te kene asnje pergjegjesi, per punojesit e tyre, qe kur ndodhin tragjedi aksidentesh, firma rri dhe shikon dhe familjaret e te ndjerit, apo te sakatuarit, guxojne ti luten vetem Zotit.
    Kur eshte nje kontrate pune ne mes, cdo firme, eshte e detyruar ta zbatoje.
    Punonjesit e firmave private, duhet te riorganizojne sindikatat luftarake, jo sindikata qe zevendesuan bashkimet profesionale dhe behen pale me qeverite.
    Ka ardhur koha, qe shqiptaret mos te dalin ne mitingje e protesta, kur i urdherojne partite, por te dalin e te protestojne, kur te drejtat e tyre shkelen me te dyja kembet.

  • Dhe themi ne qe nuk duhen filmat e kohes te Enverit, ku eshte ndryshimi I ketij punetorit nga ai I djalit te xha Brahos…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *