Sa më herët që të zbulohet sëmundja, aq më të lehta dhe të trajtueshme janë ndërlikimet që kanceri i gjirit mund të shkaktojë në shëndetin e çdo gruaje. Përkundrejt vështirësive që janë shfaqur në vite sa i takon diagnostikimit të vonshëm të kësaj sëmundjeje, qeveria ka miratuar tashmë edhe Programin Kombëtar që do të zbatohet në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor për zbulimin e hershëm të kësaj patologjie.
Ky program do të ofrohet si një paketë shërbimesh ndihmëse në shëndetin publik, që përfshin ekzaminimet sistematike nëpërmjet palpimit të gjirit dhe mamografisë, ekzaminimet e mëtejshme diagnostikuese dhe trajtimin për të gjitha gratë që diagnostikohen me kancer, të përfshira në program, me qëllim identifikimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe uljen e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit.
Sipas vendimit të marrë, bëhet e ditur se të gjitha shërbimet e organizuara të këshillimit, të informimit të grave mbi programin dhe ekzaminimit me palpim të gjirit do të kryhen pranë qendrave shëndetësore të shërbimeve të kujdesit parësor.
Ndërsa shërbimi i ekzaminimit me mamografi do të ofrohet në qendrat e mamografisë, pranë shërbimit spitalor publik, poliklinikave të specialiteteve dhe njësitë e lëvizshme të mamografive.
po ashtu bëhet e ditur se shërbimet e diagnozës së mëtejshme dhe të trajtimit eventual mjekësor do të ofrohen për të gjitha gratë që rezultojnë pozitive në depistim, pas kryerjes së mamografisë.
Të gjitha këto shërbime të përcaktuara në secilin nivel të kujdesit mjekësor do të ofrohen falas duke respektuar edhe sistemin e referimit. Kryerja e ekzaminimeve të mëtejshme në procesin e konfirmimit të diagnozës së kancerit të gjirit dhe trajtimi do të kryhet pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, dhe spitaleve të caktuara rajonale, të cilat sigurojnë kapacitetet e nevojshme lidhur me diagnozën.
Kanceri i gjirit është një tumor që zhvillohet nga qelizat e vete gjirit. Sëmundja zhvillohet kur ndodh rritja e këtyre qelizave jashtë kontrollit. Këto qeliza grumbullohen, formojnë një tumor i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal te gjirit. Pa mjekim këto qeliza përhapen në pjesët fqinje e më pas në të gjithë trupin. Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Përgjithësisht preken moshat mbi 50 vjeç, por kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja.
Depistimi apo kontrolli është zbulimi i hershëm i kancerit kur ju nuk keni asnjë shenjë të sëmundjes. Këto ekzaminime për kancer gjiri mund t`ju ndihmojnë ta kapni atë në faza të hershme dhe kur është shumë i trajtueshëm.
Kanceri i gjirit është ndër llojet e kancerit pothuajse tërësisht i trajtueshëm. Kanceri i gjirit trajtohet në disa mënyra si: ndërhyrjet kirurgjike, kimioterapia, terapia hormonale, terapia me rrezatim. Mënyra e trajtimit varet nga lloji i kancerit të gjirit dhe se sa është i përhapur ai. Njerëzve me kancer të gjirit shpesh u duhet të marrin më shumë se një lloj të trajtimi. Fatmirësisht, pothuajse të gjitha mënyrat e trajtimit bashkëkohor ofrohen edhe në Shqipëri. Së fundi kanë hyrë edhe preparate të cilat rrisin jetëgjatësinë për pacientët në faza të avancuara. Trajtimet e reja vonojnë progresin e sëmundjes shumë më mirë se preparatet e deritanishme, duke ofruar një mundësi të re për pacientët.
Ndër faktorët e riskut për kancer gjiri janë:
- Mosha mbi 50 vjeç.
- Pasja e një kanceri gjiri më parë.
- Histori familjare të kancerit të gjirit (vecanërisht me nënën, motrën ose vajzën) te diagnostikuara përpara menopauzës.
- Ndryshimet gjenetike prezente me genet BRCA1 ose BRCA2.
- Histori familjare me kancer të ovarit.
- Femrat që nuk kanë lindur fëmije ose lindjen e parë e kanë bërë në moshë më të madhe se 30 vjeç.
- Menstruacione në moshë shumë të herëshme, para 12 vjeç.
- Menopauzë pas moshë 50 vjeç.
- Përdorimi i mjekimit me hormone (estrogjen + progesteron) për një kohë të gjatë, më shumë se 5 vite.
- Densitet të shtuar të indeve të gjirit (e dukshme në një mamogram).
- Një histori e një biopsie gjiri që tregon një numër të rritur të qelizave jonormale që nuk janë kanceroze (hiperplazi atipike).
- Trajtimi me rreze të sipërfaqes së gjirit, veçanërisht para moshës 30 vjecare, p.sh trajtimi i limfomave Hodgkin.
- Mbipesha dhe obezitet sidomos në menopauzë.
- Përdorimi i alkoolit.
- Duhanpirja.
- Marrja e kontraceptivëve nga goja e pa kontrolluar nga mjeku.
- Dieta dhe ushqimet e pasura me yndyrna shtazore.
- Moskryerja e aktivitetit fizik.
p.k/ dita
