Përshëndetje Dita! Shumë zhurmë u bë nga shfaqja e një videoje në emisionin ‘Fiks Fare’ në Top Channel, një javë më parë, ku shihej qartë me zë e figurë, në tempullin e drejtësisë, bash në zyrë të këtij institucioni që në emër të drejtësisë, po fliste pisllëku e korrupsioni. Media, e bëri të vetën edhe kësaj here. Po natyrshëm vjen pyetja, ç’u bë më tej? Asgjë! Thuhet se kanë filluar hetimet. Po, deri tani kemi pezullim nga puna të Prokurorit, dhe të Sekretares e Kancelares në Gjykatën e Pukës. Ndërsa para tre ditësh, KLD-ja e famshme vetëm sa e shkarkoi kryetarin e gjykatës duke e lënë gjyqtar. Këto nuk mund të quhen masa apo ndëshkim. Absolutisht jo. Skandali që u konsumua nga stafi i kësaj gjykate, ndjeshmëria e sensibiliteti që përcolli në opinion, meritonte reagim tjetër, sepse e tillë ishte dhe flagranca e këtij skandali. Masat që trumbetuan autoritetet, më shumë i ngjajnë një përkëdhelje, ku krijohet përshtypja se mbas pak ditësh, sapo çudia të zvenitet, me një autokritikë bolshevike, mund të kthehen në vendin e punës, më të fortë se ç’ishin më parë.
Vite më parë, po në rrethin e Pukës, plasi një skandal i këtyre përmasave, por i pa zakontë për në atë kohë. Por, duhet thënë se reagimi i shtetit ishte i shpejtë dhe vendimtar. Po çfarë kishte ndodhur, kush ishte skandali? Dy muaj para se të mbahej Kongresi i 8-të i PPSH, Sekretari i Parë, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit, bashkë me nënkryetarin dhe shefin e bujqësisë, kishin shtuar në mënyrë fiktive shifrat për prodhimin e drithërave të bukës në shkallë rrethi. Qëllimi i tyre ishte egoja për të rritur shkallët e hierarkisë, nëpërmjet mashtrimit me shifrat e drithërave të bukës.
Ashtu siç bëri bujë pozitivisht në Kongres tejkalimi i planit të drithërave nga një rreth malor siç ishte Puka, po ashtu bëri bujë demaskimi shembullor që drejtësia e asaj kohe u bëri kuartetit mashtrues, duke i arrestuar sapo u informua për këtë skandal.
Nuk jam supersticioz, por shprehja se ‘rrufeja nuk gjuan dy herë në një vend, u përgënjeshtrua me skandalin që media na e solli këto ditë, ku me sa duket politika dhe Prokuroria e Përgjithshme, në vend të një veprimi të fuqishëm, për t’i çuar prapa hekurave autorët e skandalit në Gjykatën e Pukës, janë zënë në befasi. Me këtë qëndrim, të shushatur e të dyzuar, është mesazhi më i keq dhe i papranueshëm në sytë e opinionit brenda e jashtë vendit. Autorët e atij skandali meritojnë ndëshkim shembullor. Në të kundërtën, ata që duhet ta bëjnë këtë ndëshkim, por që nuk e bëjnë, do të thotë se janë palë me to. Rrugë të mesme s’mund të ketë. Nëpër dy pika kalon një drejtëz dhe vetëm një. Marku, Pukë.
SMS në DITA
në 0689073730
