Gjysmë shekulli dhe një vit

Ornela

Shkoi,
Që kur hapa sytë,
Gjysmë shekull
Dhe një vit.

Shkoi jeta
Si një re,
Më duket
Se linda dje.

Si një re,
Me shi ngarkuar,
Hapen rrugët
Ku kam shkuar.

Ku kam shkuar,
Ku kame cur,
Ku kam rënë
E ku kam ngecur.

Ku jam çuar
Përsëri,
Herë në diell,
Herë në shi.

Herë në vapë
E herë në borë,
Me një kandile
Në dorë.

Që më solli
Gjer këtu,
Jo për vete,
Po për ju.

Fikej filli
Nëpër det,
Kandile
E bëra vetë.

Kandile
E bëra vetë,
Veç për fjalën e vërtetë.

Në një errësirë,
Ndriçova
Rrugët, shtigjet
Ku kalova.

Ku kalova,
Zot, o Zot,
Rrofsh, që rrojta
Gjer më sot!

Rrofsh që rrojta
Gjer më sot!
Bëj të vdes
E nuk vdes dot.

Bëj të vdes,
Por nuk vdes dot,
Ndaj do rroj,
Por jo më kot.

Ndaj do rroj,
Por jo më kot,
Se vdekja
Nuk më mund dot.

Se vdekjes
Ia kam me hile,
E verbova
Me kandile.

E verbova
Me kandile,
I vara
Këmborë e zile.

Fill’ i jetës
Nuk m’u fik
Vdekja vjen
E unë ik.

Vdekja vjen
E unë ik,
Ndaj s’më erdhi
Mot’ i lik…
5 dhjetor 2008

Share This Article
1 Comment
  • Për Ty vdekje nuk do ketë
    o Poeti me Kandile
    Ti i del vdekjes përballe
    jetës nuk ia bën me hile

    Pena jote që bën dritë
    nëpër viset shqipëtare
    vdekjes ia kthen rrugën mbrapa
    se lë të afrohet fare

    Do kalojëe akoma vite
    gjysëm shekulli dhe mote
    Vdekja ty nuk të afrohet
    se nuk e lë pena jote

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *