Pranvera Kola
Aplikimet për praktikën profesionale të mësuesve të rinj do të zhvillohen në dy javët e para të muajit shtator. Kështu, të gjithë kandidatët e diplomuar në mësuesi duhet që të kryejnë procedurat e regjistrimit sipas afateve të përcaktuara. Ndjekja e praktikës profesionale është e detyrueshme për të zhvilluar më pas edhe hapin final të sigurimit të lejes së ushtrimit të profesionit (dhënia e provimit të shtetit për licencën e mësuesit).
Për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, aplikimet për kuotat e pranimeve të vitit të ri mësimor 2020-2021 do të bëhen në rrugë postare. Kjo me qëllim për të shmangur grumbullimet pranë zyrave vendore të arsimit parauniversitar, çka mund të shtojë riskun për përhapjen e mëtejshme të koronavirusit të ri. Sikundër ka ndodhur edhe përgjatë viteve të shkuara, aplikimet do të kryhen me anë të dosjes. Do të jenë strukturat rajonale të arsimit që do të bëjnë edhe shpërndarjen e kandidatëve pranë shkollave ku do të mund të vijojnë zhvillimin e praktikës përgjatë vitit të ri mësimor që do të iniciojë në datën 14 shtator.
“Afati për dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar është nga data 1 deri në datën 15 shtator. Për shkak të situatës së kushtëzuar shëndetësore prej Covid-19, jeni të lutur që dokumentacionin ta dorëzoni në rrugë postare në adresën: Zyra Vendore Arsimore Tiranë , Rruga “Jeronim De Rada” . Ka të drejtën për të zhvilluar praktikën profesionale çdo person që ka fituar diplomën universitare në fushën e mësuesisë sipas ligjit nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 10 171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, sqarojnë autoritetet e Zyrës Vendore të Arsimit të Tiranës.
Sa i takon aplikimit, ekspertët e arsimit bëjnë me dije se fillimisht duhet të plotësoni kërkesën sipas modelit të përcaktuar. Kësaj kërkese duhet që t’i bashkëngjisni edhe këto dokumente të tjera: CV, kopje të noterizuar të dokumentit të identifikimit, kopjet e noterizuara të diplomave të siguruara për të dy ciklet e studimit “Bachelor” dhe “Master”, të cilat duhet të shoqërohen edhe me kopjet përkatëse të listave të notave. Gjithashtu në dosje duhet që të përfshini edhe vërtetimin e banimit, vërtetim nga prokuroria që nuk jeni në ndjekje penale, si dhe certifikatën familjare që duhet vetëm ata kandidatë që janë të martuar/me fëmijë.
Mungesa e njërit prej dokumenteve të përcaktuara ju përjashton nga e drejta për të vijuar zhvillimin e praktikës. Po ashtu bëhet e ditur se në shkollat e Tiranës nuk mund të zhvillojnë praktikën kandidatët e rretheve, si dhe anasjelltas. Kriter skualifikues është edhe vonesa në dorëzimin e dokumentacionit.
Për shkak të numrit të kufizuar të kuotave të miratuara për ndjekjen e praktikës, ekspertët e Zyrës Vendore të Arsimit të Tiranës bëjnë me dije se prioritet në përzgjedhje do të kenë të gjithë kandidatët që kanë deklaruar se janë të martuar dhe me fëmijë.
Praktikanti kryen praktikën profesionale për një vit të plotë shkollor. Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e zhvillimit të praktikës, praktikanti e ka normën e praktikës profesionale sa norma e mësuesit të profilit përkatës. Praktikanti jep mësim 1/4-ën e normës javore të mësuesit përkatës. Pjesa tjetër e normës ndahet: 1/2 e orëve si mësues ndihmës dhe 1/2 e orëve për vëzhgime të procesit mësimdhënës. Gjithashtu në rregullore saktësohet se praktikanti ka detyrime profesionale të njëjta me ato të mësuesve të institucionit arsimor, përfshirë pjesëmarrjen në mbledhjet e ekipit lëndor e të këshillit pedagogjik, si dhe detyrën e mësuesit kujdestar
Vlerësimi i praktikantit
Vlerësimit do t’i nënshtrohen vetëm praktikantët që nuk kanë munguar jo më shumë se 20 për qind të orëve mësimore vjetore. Praktikantit që ka munguar më shumë se 20- 30 për qind të orëve mësimore vjetore, i shtyhet praktika 3 muaj. Praktikanti që ka munguar më shumë se 30 për qind të orëve mësimore vjetore, përsërit të plotë praktikën profesionale.
Mentori vlerëson praktikantin në mbarim të praktikës duke u mbështetur tek vëzhgimet e tij, në intervistat që realizon me praktikantin dhe në portofolin e praktikantit. Mentori vlerëson praktikantin për secilën kompetencë, të përshkruara në një format standard duke nisur nga niveli “Shumë mirë”, kur praktikanti ka një nivel shumë të mirë në realizimin e kompetencës, niveli “Mirë”, kur praktikanti ka një nivel të mirë në realizimin e kompetencës, niveli “Mjaftueshëm”, kur praktikanti ka vështirësi në realizimin e kompetencës, si dhe niveli “Dobët”, kur praktikanti nuk e zotëron kompetencën.
Dokumentacioni që kërkohet për regjistrim:
- Kërkesë për zhvillimin e praktikës profesionale për profesionin e rregulluar të mësuesit sipas shtojcës 5-të të Urdhrit Nr .336 datë 14.07.2011.
- CV e praktikantit.
- Fotokopje e noterizuar e dokumentit të identifikimit.
- Fotokopje e noterizuar e diplomave “Bachelor” dhe “Master” me lista notash.
- Vërtetim vendbanimi.
- Raporti mjeko- ligjor nga qendra shëndetësore e njësisë së banimit.
- Vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale.
- Certifikate familjare (për të gjithë ata kandidatë që janë të martuar/me fëmijë).
Rregullat që duhet të përmbushni:
- Aplikuesi që nuk ka fituar të drejtën e zhvillimit të praktikës profesionale, riaplikon në po atë DAR/ZA ose në të tjera, derisa të mos ketë më vende të lira për të.
- Aplikuesi për praktikant, për të cilin në një vit shkollor nuk disponohet ndonjë vend i lirë në sistemin arsimor publik ose privat, renditet në krye të përparësive për vitin pasues shkollor.
- Kur ka vend të lirë në sistemin arsimor për zhvillimin e praktikës profesionale dhe kandidati për praktikant refuzon, atëherë ai renditet në fund të përparësive në vitet pasuese.
- Kur aplikuesi për praktikant nuk është pranuar për zhvillimin e praktikës profesionale, ka të drejtë të aplikojë në vitet pasuese.
- Kandidati për praktikant, që përzgjidhet nga DAR/ZA, humbet të drejtën e zhvillimit të praktikës profesionale, kur refuzon tre herë (tri vite shkollore të njëpasnjëshme ose jo) të zhvillojë praktikën profesionale në një IAPP të disponueshëm.
- Kur praktikanti ndërpret praktikën profesionale për arsye personale, ai e përfundon atë në vitet pasuese.
