Letër e nënshkruar
Ilir Mborja
Përshëndetje DITA. Mediat tona, vetëm në ditët e panairit u kujtuan të mobilizojnë botues e shkrimtarë që të bëjnë emisione për librin. Studiot televizive, nuk përtojnë që përgjatë gjithë vitit, çdo javë, të mbledhin specialistë dhe të analizojnë me orë të tëra e të skanojnë një ofsajt apo një penallti të dyshimtë futbolli. Dhe mirë bëjnë, por kjo nuk ka pse mos të bëhet edhe për librat e rinj të autorëve tanë. Është fare pak ajo që bën ndonjë tv më të rrallë, disa minuta pas lajmeve ku përmend përkthime e botime të ndryshme të reja për disa minuta… E kemi fjalën për emisione si ato që bëhen për futbollin. Letërsia e sotme shqipe, ka në “kampionatin” e saj autorë që bota na i çmon. Ata janë disa, dhe për të mos qenë i anshëm, nuk po përmend asnjë emër shkrimtari. Edhe “Lionel Messi-n”, letërsia shqipe e ka.
Ndokush mund të arsyetojë se të prekësh e të trajtosh këto ditë temën e librit, është e tepërt. Video që nxjerrin lakuriq kalbëzimin e sistemit të drejtësisë, vrasja e nxënësit nga shoku në shkollë dhe lajme të tjera të kronikave të zeza, sigurisht janë shumë më tronditëse.
Por mos të harrojmë se edhe kriza që ka mbërthyer librin, tërthorazi ka pjesën e vet në këto krime. Edhe mungesa e e emisioneve televizive për librin përgjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në kohë panairesh, ka pjesën e vet në këto ngjarje… Rregullat, morali i tregut të librit nga autorë shqiptarë shkelen shumë shpesh. Edhe në faqet e shtypit të këtyre ditëve u pa një reklamë jo shumë e moralshme për një libër të një shtëpie botuese (me pronësi të njëjtë të po asaj gazete), ku botuesi, duke dhënë një “lajm”, shpall mallin e tij si “më të kërkuarin në vitrinat e librarive”. Ky, që vetëm lajm s’mund të quhej, veç të tjerash rreket të cënojë orientimin e drejtë të lexuesit. Gazetën kishin në dorë dhe atë shfrytëzuan. Aq mundi, aq bëri kolegu ynë gazetar dhe botues njëherazi,.. dhe krim mbase ky veprim nuk mund të quhet, por ama me të tilla reklama, ka kohë që jo fort ndershmërisht, madje abuzivisht “fitohet” mbi do autorë që nuk e kanë këtë mundësi mediatike dhe “vriten” librat e tyre të pafajshëm…
Dhe t’i rikthehemi edhe njëherë videos së gjykatës së Pukës, ku pamë se si bëhej pazar në drejtësi dhe mos të befasohemi se: Në një vend ku libri nuk futet ndershmërisht në treg, nuk është çudi që vendin e tij, si mall në treg,.. ta zërë drejtësia.