Bedri Islami
Ka patur gjithnjë një luftë të pandërprerë mes librit dhe rrjedhave historike dhe, si duket, edhe në vitet e mëpasmë ajo do të jetë përherë e pranishme. Ndoshta historia e përbotëshme nuk është asgjë tjetër veçse historia e librit, ose e kundërta, historia e librit është historia e botës.
Të gjitha konfliktet mes tyre, të gjitha kontrastet që përshfaqin nxitimthi apo duke u gdhendur rreptësisht, arrijnë shpesh herë në një shkallë intesiteti të dhimbshëm, në të cilat gëzimi dhe dhimbja, e vërteta dhe sajesa, krijimi dhe e sakta, pikat ekstreme të sentimentit dhe thelbi i dëshmisë së saktë, fitojnë madhësi të reja, dhe, dashje pa dashje, diçka primtive dhe heroike ka në këtë përplasje.
Homeri, në librin e tetë të Odisesë ka shkruar se perënditë endin fatkeqësi në mënyrë që breznive të ardhshme mos t’u mungojnë për çfarë do të këndojnë. Në njërën nga komeditë e tij, më duket se tek “Qezari dhe Kleopatra”, Bernard Show, njëri ndër më të mrekullueshmit krijues anglezë, thotë se biblioteka e Aleksandrisë ishte kujtesa e njerëzimit. E megjithatë, rrjedha historike, Jul Qezari, në momentin kur i thonë se po digjet kjo kujtesë njerëzore, përgjigjet vranshëm dhe shpotitës, “lëre të digjet, është një kujtesë poshtërsish“. Bernard Show thoshte se “çdo libër që ia vlen ta rilexosh, është shkruar nga Shpirti i Shenjtë”.
Para pak çasteve, në Historinë e Spanjës, lexova për Al – Hakam, njërin nga sunduesit musliman të Kordovës, shekulli i IX, asaj kohe qyteti më i madh në botë, pa dyshim më i shquari i kohës, se ai kishte në bibliotekën e tij më shumë se 400 mijë libra, shumë nga të cilët ishin nga tragjikët e lashtë grekë, poetët persianë, shkencë, astronomi, matematikë dhe se aty, për herë të parë, kishin hyrë numrat indianë, ata që përdor sot e gjithë bota dhe të cilët Europa i mori pas një shekulli. Në “Historinë e Spanjës”, është shënuar se Liria e mendimit i hap rrugë gjenisë krijuese njerëzore, të shpalosur në shkencë dhe filozofi, ndërkohë që shtohet blerja e librave nga islami lindor dhe Bizanti”. Kur sunduesi kishte 400 mijë libra në bibliotekën e tij, që në fakt është biblioteka e parë madhështore e Perëndimit, qyteti i Kordovës kishte 3 mijë shkolla, disa universitete, kishte biblioteka të tilla që nuk ishin parë që nga koha e lulëzimit të Aleksandrisë helene. Kjo bibliotekë e famshme më pas u dogj.
Është interesant, por Jezu Krishti vetëm një herë shkroi disa fjalë në rërë, që më pas i prishi dhe u bë kështu predikuesi më i madh në të gjitha kohrat, por apostujt e tij shkruan gjithçka që ishte e duhura dhe fjala e tyre e shkruar mbeti. Nuk dua as ta mendoj se si mund të kishte qenë bota pa Veprat e Apostujve dhe Letrat e tyre.Me siguri, ndryshe nga kjo që kemi.
Një ilir i ditur, ndër më të diturit e kohës së tij, i guximshëm dhe pasionant, filolog dhe shkrimtar gjenial, Euseb Hieronimi ishte përkthyesi i parë i Biblës në latinisht, të quajtur si varianti kanonik me emrin ” Vulgata”, që u bë substancë kulturore për tërë qytetërimin e Europës Perëndimore.
Përkthimi i Jeronimit në shekullin e IV të erës sonë do të ndiqej nga një tjetër shqiptar i ditur, që e sjell në ” të bukrën gjuhën tonë” librin e shenjtë, prifti katolik arbënesh, ipeshkëv i dy dioqezave në Shqipërinë Veriore, shekulli i XVI, Gjon Buzuku. Në të njëjtën kohë kur Martin Luteri e përkthente atë në gjuhën gjermane. „Meshari“ i Buzukut, i përkthyer në gegnishte, ku mrekullisht artikulohen fjalët „ gluhë“ dhe klaj“, jo rastësisht të krijon ndërlidhjen mes trevave shqiptare, midis tij dhe Jugut të Shqipërisë dhe Çamërisë epirotase, trevave molose, ku, si ka vërejtur eruditi i shquar, Moikom Zeqo, akoma edhe sot me një këmbëngulje titanike para dhe pasbuzukiane dëgjohen fjalët e pashterrshme në amëshim : „glu“ dhe klaj“. „Meshari“, libri i parë i botuar në gjuhën shqipe, është dëshmia e pafundme e shpirtit të një njeriu të fuqishëm në mendimin e tij.
Në më pak se 10 muaj, nga 20 marsi 1554 dhe deri në 5 janar 1555, Buzuka ngriti monumentin e parë të gjuhës shqipe ,por edhe ndryshoi rrjedhë historike të shkrimit të saj.
Libri i Buzukut, duke qenë edhe libri i parë i njohur në gjuhën shqipe, është në të njëjtën kohë edhe libri i parë i shpërndarë ilegalisht në trevat shqiptare, sidomos ato të Veriut të saj; rrezikshmëria e shfaqjes së tij ishte dehëse, por edhe dëshmuese e një tradite të mëhershme në të shkruarit e gjuhës shqipe; më tepër se një frymëzim fetar është një thirrje kushtrimtare dhe mos bjerrje e shpresës së krishtërimit shqiptar.
Buzuku është në të njëjtën kohë kalorës i gjuhës shqipe, por edhe kalorës i lirisë së popullit të tij; përmes „Mesharit“ ndodh çlirimi i parë i gjuhës shqipe nga anonimati, dalja e saj në një fushë lirie. Hakmarrja ndaj tij do të jetë e furishme; është libri i parë i gjuhës shqipe që do të digjet për të ruajtur vetëm një kopje në arkivat e Vatikanit, çka të sjell ndër mend dhjetra e qindra vepra të prelatëve katolikë të Veriut shqiptar, por edhe të trevave të tjera, librat e të cilëve u ndaluan, u sekuestruan, u dogjën dhe u mohuan.
Gjon Buzuku është i pavarr, askush nuk e di vendprehjen e fundit të tij. Është synuar të hidhet në greminën e Harresës, të ketë ndëshkimin fatal, vetëm pse guxoi dhe shkroi në gjuhën shqipe. Por fjalët që shkoi në Librin e tij mbetën. Libri „Meshari“ është zanafilla e universit të botës shqiptare.
Platoni shkruante se librat janë si statuja të gjalla, por kur i pyet nuk të përgjigjen dhe, për të korigjuar këtë heshtje të librave, ai shpiku dialogun.
Eskili për herë në parë në tragjeditë e lashta vendosi përsonazhin e dytë, i cili përballë korit antik grek dhe përsonazhit të parë, të vetëm deri asaj kohe, gërmoi dhe mbajti fjalën e shkruar.
Kur Akademia franceze nuk pranon të ndihmojë filozofin dhe njeriun e famshëm erudit të letrave franceze, Didëroin, për të botuar kryeveprën e tij dhe njërin ndër librat më të çmuar të të gjitha kohrave, ” Enciklopedia”, sovrania ruse, Katerina e Madhe e mbështet atë, më pas, për një shifër të lartë blen bibliotekën e tij, dhe, pasi e blen, vendos që biblioteka t’i mbetet filozofit deri sa të jetë gjallë. E njëjta, për një sifër marramendëse blen bibliotekën e Volterit dhe të dyja këto biblioteka i dërgon në Ermitazh, ku janë edhe sot e kësaj dite.
Pjetër Bogdani, prelati i lartë katolik shqiptar, njëri nga mendjet më të ndritura të Përlindjes shqiptare dhe Kryengritësi i madh, eseist i shkëlqyer, do të shkruante për studentët e Kolegjit të Padovës, të cilët i quan ” Qitrot e rinj të Libanit me degët e zgjeruara të tij, të lulëzuara me dije dhe të vërtetën e fjalës, të rrënjosura për mrekulli në të gjitha shkencat hyjnore dhe humane”, ndërsa për botimin e librit të tij të shkruar e quan të dobishëm për “arsimimin e njerëzve, me shenjat e shtypit hyjnor”. “Çeta e Profetnve” e tij është libri shenjues i kohës.
Në shakullimën e mesviteve ’50 Shqipëria ndodhej para se pandodhshmes : vdekja e letërsisë së saj; më keq akoma, krijimit të një letërsie amorfe, pa vlerë, të izoluar, shterpë. Shkaqet dihen.
Çfarë do të thotë të vdesë një letërsi, të shpërfytyrohet ajo, të bëhet e gjëmëshme?
Nëse do të duhej një apostull i saj Shqipëria gjeti më të mirin e mundshëm, një jugor që është joshur nga Veriu, Ismail Kadare. Jeta e Kadaresë nuk i përngjan një romani tragjik, përjetimi i tij shkon drejt tragjikes. Ai nuk ngjet, të themi, me asnjë nga staturat e Testamentit të vjetër, por është në zanafillë të një bote tjetër më shumë në perandorinë e artit; ai nuk bjen në humnerat më të thella, megjithëse u shkon pranë, iu tregon njerëzve greminën, por nuk shtyn askënd drejt saj; ai sjell pamatësinë e tij tek njerëzit e matshëm, duke ndjellë tek ata dëshirën e pamatësisë së tij. I nisur nga Sokaku i të Marrëve, një udhë e gurtë si gjithçka në atë qytet, me kthesa e shtëpi të rrëpirta, ai nis të ndërtojë ekzistencën e një kombi dhe këtë e bën përmes librave të tij.
Në fakt letërsia është shprehje, është gjendje, fakt estetik, doktrinë fantaziste, realitet i mbështjellë me enigmë, mister që njësohet me të vërtetën.
Vargjet e Poradecit nuk mund të shkruheshin në gegnishten e Shkodrës, ashtu si vargjet e Mjedës nuk mund të shkruhen veçse në këtë dialekt madhor, të fuqishëm dhe burrëror. Duke qenë dy nga majat e letërsisë shqipe ata na kanë sjellë libra për të cilët mund të themi vetëm , ” Zoti ynë, na shpëto nga gjithë kjo bukuri”. Një bukuri mahnitëse, që të jep të kuptosh se gjuha shqipe është e madhërishme në të dy dialektet e saj. Edhe kur njësohen me njëri tjetrin, edhe kur largohen.
Në dhjetra shekuj njerëzit kanë medituar për librin. Të shkruarin dhe të thënin. Sepse ka pasur libra që më parë janë thënë e pastaj janë shtypur.” Iliada është shembulli i parë ” Një mijë e një netë ” një tjetër. “Këngët e Rolandit”, po ashtu. “Sidi” spanjoll më parë është kënduar. Dashuria e Tristanit dhe Izoldës ka jetuar qindra vite n memorjen e njerëzve dhe pastaj shtë hedhur në disa fletë të verdha libri.” Lahuta e malcisë” për shembull , më shumë është dëgjuar se sa është lexuar.
Aleksandri i Madh, sipas Plutarkut, bashkë me shpatën mbante poshtë jastëkut të tij edhe librin Iliada, një simbiozë e mrekullueshme e liderit të përbotshëm.Shpata mund ta mposhtë botën, por nuk e sundon dot. Libri nuk e mposhtë botën, por e sundon atë.
Zoti e krijoi botën në sajë të fjalëve; ai tha ” të bëhet dritë dhe drita u bë”, por ardhja e librit e bëri dritën të përbotëshme.
Libri, ashtu si e keqja dhe e mira, dashuria dhe mëkati, hapësira dhe koha, është i domosdoshëm për larushinë e botës.
Shtatë qytete të mëdha helene grindeshin për vendlindjen e Homerit. Më tepër se sa për poetin e verbër, ata grindeshin dhe ishin të gatshëm të bënin luftë për vendlindjen e dy kryeveprave të mëdha botërore, „Iliada“ dhe „ Odiseu“, nga thërrimet e së cilave do të krijohet tragjedia e famshme greke. Më shumë se për njeriun, shtatë qytete ziheshin për Zanafillën e Letërsisë helene dhe të rikrijimit të historisë, ziheshin pra për Librin, që, edhe pse nuk ishte i shenjtë, kishte shenjtërinë e tij.Pas viteve ’90 në Shqipëri, në sfidat e para libri i mirë heshti. Ishte koha e rishikimit të vetëvetes dhe shfrimit të mllefit. Shpatat dolën nga këllëfi, por shpatat nuk bëjnë dot një libër të mirë. As luftë të mirë nuk bëjnë dot.Tani është ndryshe. Librat e Moikomit, për shembull janë një dëshmi e madhe, nga më tronditëset të viteve të fundit; romanet e Namik Dokles janë befasia më e bukur që kam përjetuar, poezia e Petrit Rukës është ende fluide dhe e dashur sa më s‘ka, i rikthehem poezive të Xhevahir Spahiut dhe ndjej fërgëllimën e njeriut që në çdo ind të tij është poet; Pas shpërthimit të dufit të parë, çka e përjashton rrjedhën historike të një bote që rad he tjetrës që synon të ngrihet, pra në momentin kur „vullkanizimet“ e përkohëshme nisin e ngrijnë, letërsia rikthehet në hullinë e saj dhe libri bëhetz rishtas dëshmuesi i kohës.
Një plejadë që shkruan ndryshe, mendon ndryshe, më e kulturuar, me hapësirë më të gjërë dhe çuditërisht aspak azmatike ndaj shtërngimit të kohës, vjen e merr hapësirën që i takon dhe kjo bëhet natyrshëm, pa krijuar më atë që kishte qenë e vazhdueshme në përplasjet e mitit të librit: përplasjen e brezave dhe të mendësive. Në botën e avashtë,por ngulmuese të librit tani kanë bërë vendin e tyre një plejadë që meritueshëm mund të cilësohet e denjë për skenën e madhe europiane. Romanet e Kongolit, të Ylljet Aliçkës, të papriturat e një gjirokastriti tjetër përmes „Babai në shi“ dhe „Stina e hijeve“ të Virion Graçit, rrëfimet tronditëse dhe mjeshtërore të Bashkim Shehut, poezitë e Ledra Dushit, Hatibit, poezitë lirike të Sokrat Habilajt, libri i mrekullueshëm i Zef Zorbës – letërsi e ruajtur nga mola e kohës, të Rudina Xhungës që aq mjeshtërisht dhe shpirthapur na përshfaq një botë ndryshe, Musa Ramadani është po ashtu njëri prej tyre, libri tronditës i Bardhyl Mahmutit „ Mashtrimi i madh“, janë shumë, por unë mendimin e kisha diku tjetër: Tek libri është gjithmonë diçka prej ëndrre.
Përderisa ëndrrat nuk kanë fund e herë herë janë na bëjnë aq të lumtur, kjo ndodh edhe me librin…i pafund, që herë herë të bën të lumtur.
Më shpesh të shpie drejt mendimit dhe kjo është mrekullia e tij.

Shume histori tregohen per te treguar dicka thelbesore, duke iu shmangur kontekstit real. Keshtu kur u dogj biblioteka e Aleksandrise nga te krishteret diku aty nga vitet 300 te e.s., Jul Qesari kishte me shume se 350 vjet qe kish ndrruar jete! Por legjendat bashkojne shpesh ngjarje dhe figura larg njera-tjetres ne kohe, si bie fjala edhe ajo me Diogjenin dhe Aleksandrin e Madh. ..
Shpata mund dhe sundon. Per librin nuk pyet kush. Habitem si mund te vihet ne dyshim nje gje kaq e qarte.
O gezim Kullurufi, kristjanet uk kae djegur ndonjehere biblioteka. Ai eshte profesion i islamikeve.