Autoritetet Greke të burgut të Korfuzit kanë gjetur armë të fshehura në një korridor të burgut të sigurisë së lartë të Korfuzit, dy pistoleta dhe 4 krehër të mbushur, me fishekë në grykë të lëna gati për t’u përdorur.
Policia greke tha se armët u gjetën pas informacioneve të marra në rrugë operative, se në këtë burg gjendeshin armë.
Menjëherë u dërguan forca speciale të anti-terrorit, të cilat pas kërkimeve disa orëshe, gjetën armët, që ishin të pajisura me silenciatorë.
Edhe pse nuk është konfirmuar ende zyrtarisht, burime policore deklaruan se dyshohet që armët janë të një prej kriminelëve më të rrezikshëm shqiptarë që mbahet në burgjet greke, përkatësisht Ibrahim Ibrahimi.
Burimet thanë se Ibrahimaj kishte tentuar të arratisej nga burgu i Korfuzit në datën 7 gusht të këtij viti, por rojet mundën ta neutralizonin pak përpara se ai të kalonte murin rrethues me një shkallë. Në tentative për tu arratisur, ai u përlesh me policinë, por ma mundur t’ia dalë.
42-vjeçari Ibrahim Ibrahimi njihet si ekzekutori i avokatit të njohur grek Mihalis Zafiropulos, një krim ky që tronditi vendin pak vite më parë.
Siç rezultoi në vazhdim, Ibrahimaj e kreu krimin në bashkëpunim me Arbër Bakon, një kriminel shqiptar i ekzekutuar në vazhdim në burgun e Koridhalosit prej Ibrahimajt, pasi ky i fundit besonte se Bako kishte deponuar në polici se ishte pikërisht Ibrahimaj që ekzekutoi avokatin e njohur grek, në këmbim të një shume prej 50.000 euro, shumë e cila nuk u mor kurrë prej ekzekutorëve të avokatit.
Sipas hetimeve disa prej shqiptarëve të implikuar në organizatën e vrasësve me pagesë, treguan detaje lidhur me porositësit e një seri vrasjesh, kanosje dhe plagosje të ndodhura në Greqi në vitet 2010-2017.
Ata thanë se porositës të krimeve dhe kërcënimeve ishin avokatë të njohur në vend, biznesmenë deputete, gazetarë dhe drejtues të lartë të policisë greke, por në vazhdim, çështja u mbyll, pas vrasjes ose deportimit në Shqipëri së disa kriminelëve dhe të dyshuarve shqiptarë të implikuar në këtë ngjarje.
