Fatos Tarifa: James, studenti im amerikan, ushtar në Irak

Ornela

Fatos Tarifa

Pjesa I

James Perkins. Një emër i zakonshëm. Një prej mijëra studentëve, të cilëve u kam dhënë mësim deri më sot. Dhe një prej miliona ushtarëve amerikanë që kanë shërbyer―ose luftuar―përtej dy oqeaneve që i ndajnë Shtetet e Bashkuara nga pjesët e tjera të globit. Megjithatë, një njeri i jashtëzakonshëm. Një qenie njerëzore e mahnitshme.

Në janar të vitit 2006, pas shtatë vitesh që kisha shërbyer si ambasador i Shqipërisë, fillimisht në Mbretërinë e Hollandës (1998-2001) dhe, më pas, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (2001-2005), miku im i vjetër, Prof. Jay Weinstein, sociolog i mirënjohur, më ofroi pozicionin e një “Distinguished Visiting Professor” në Departamentin e Sociologjisë, Antropologjisë dhe Kriminologjisë, që ai vetë drejtonte në atë kohë në Eastern Michigan University (EMU). Duke marrë shkas nga kjo, Prof. Raymond Rosenfeld, në atë kohë shef i Departamentit të Shkencës Politike në atë universitet, më propozoi, gjithashtu, që njëherësh me këtë pozicion, të mbaja edhe atë të një lektori “senior” të departamentin e tij. Duke qenë se unë sapo kisha ardhur nga Uashingtoni, me një eksperiencë të pasur në diplomaci dhe në fushën akademike, Prof. Rosenfeld më sugjeroi të zhvilloja një kurs të avancuar leksionesh në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në kurrikulën mësimore të atij departamenti, ky kurs figuronte si POL SCI 379 dhe emërtohej “Current Issues in International Affairs”.

 

***

James Perkins ishte njëri prej studentëve që zgjodhën ta merrnin atë kurs, i cili ishte dhe do të mbetet një prej eksperiencave të mia akademike dhe njerëzore më interesante e më të pashlyeshme në kujtesën time. Rrallëherë ka ndodhur që unë të mbaj mend më shumë sesa një apo dy emra studentësh nga i njëjti grup të cilit i kam dhënë mësim. Me atë grup, sidoqoftë, ka ndodhur ndryshe. Unë ende i kujtoj emrat e shumë studentëve që e morën me mua atë kurs―Benjamin Adams, Joshua Ludy, Mandie Chapman, Denise Greer, Jason McNeely dhe Kate McCracken―siç kujtoj edhe emrin e një vajze të re, mulate dhe mjaft inteligjente, që atë vit ishte asistentja ime―Crystallee Crain.

Ndër studentët e atij kursi, James ishte, pa dyshim, më i shkëlqyeri. Deri më sot kam parë në auditorë mijëra fytyra studentësh, të çdo race dhe pothuajse të çdo kombësie, por ajo e James Perkins-it mbetet edhe sot e kësaj dite më e veçanta―dhe ai vetë një ndër ata pak individë, të cilët vetëm një mësues e kupton se do të shquhen mes të tjerëve gjatë gjithë jetës së tyre, në çdo hap që ata ndërmarrin.

Pas mbarimit të semestrit dimëror atë vit, në fund të prillit 2006, ime shoqe dhe unë shtruam një darkë, në apartamentin tonë modest në 203/B Cornell Courts (Ypsilanti), në të cilën ftuam disa prej kolegëve të mi në EMU, si Jay Weinstein, Raymond Rosenfeld, Liqun Cao, Andreas Tomaszewski, Donna Selman etj., si dhe studentët e mi të kursit të sipërpërmendur. Saga e miqësisë së paharruar me studentin tim―dhe ushtarin amerikan―James Perkins nisi pikërisht atë mbrëmje kur, pas përfundimit të darkës, në prani të profesorëve dhe shokëve të tij të kursit, James njoftoi se, pas disa javësh, ai do të shkonte, për herë të dytë, ushtar në Irak. James tha se e priste me kënaqësi detyrën e tij të ardhshme. Ai nuk mund ta dinte se sa kohë do të qëndronte në Irak, madje nuk dinte as nëse do të mund të kthehej i gjallë apo jo nga shkretëtirat e atij vendi të largët. Por ai ishte i vendosur dhe krenar që po shkonte të kryente detyrën e tij. Dhe kjo dukej në mënyrën se si ai fliste atë mbrëmje dhe se si tregonte për eksperiencën e tij të parë gjatë luftës në Irak dy vite më parë.

James ishte kthyer në Miçigan, shteti i tij lindjes, që të mbaronte kolegjin e nisur kohë më parë dhe kursi që kishte zgjedhur të merrte me mua atë semester ishte ndër detyrimet e tij akademike të fundit në EMU. Ai do të kishte paskëtaj një diplomë universitare dhe mund të kërkonte e të gjente një punë të mirë, ose një punë të paguar mirë, diku në shtetin e tij, ose në një prej shteteve të tjera të Amerikës. Por James kishte zgjedhur të rikthehej në Irak, atje ku kishte lënë shokët e tij, dhe ku besonte se kishte një mision për të kryer, përpara se të niste një karrierë profesionale në vendin e vet.

 

***

Atë mbrëmje të 24 prillit 2006, James më bëri dhuratën më të veçantë që mund të kem marrë ndonjëherë. Ai më dha insigniat e tij të ushtarit amerikan nga koha e misionit të tij të parë në Irak: një flamur amerikan që vendosej në mëngën e djathtë të uniformës ushtarake, insignën me amrin e tij “Perkins” që vendosej në gjoks, mbi uniformë, po në krahun e djathtë, dhe insignën tjetër që lexon “U.S. Army” dhe që vendoset po në gjoks, por në krahun e majtë të uniformës. Duke më bërë këtë dhuratë simbolike, James më kërkoi ndjesë që këto shenja nuk ishin shumë të pastra dhe se ato mundej ende të mbanin erën e shkretëtirës irakiane apo të barutit të armëve. Gjithsesi, ato ishin të vetmet artefakte që ai posedonte nga lufta dhe e vetmja dhuratë e kuptimtë që mund të më bënte mua, si profesori i tij dhe si ish-ambasadori i një vendi mik që e kishte mbështetur Amerikën, pra edhe atë vetë, si një ushtar i saj, në luftën në Irak.

Këto shenja, të cilat përbënin identitetin e ushtarit amerikan James Perkins në Irak dhe të studentit tim të talentuar në EMU, i ruaj edhe sot e kësaj dite si objekte shumë të vyer dhe si simbolin e një lidhjeje njerëzore krejt të veçantë, e cila është një ndër ato aspekte të gjendjes sonë humane që e bëjnë edhe më të kuptimtë jetën e individit njerëzor. Dhe ngaqë i konsideroj vërtet të tilla, mendova t’ia bëj të njohura ato, përmes gazetës Dita, lexuesve shqiptarë që mund të jenë të interesuar ta lexojnë sagën e studentit tim amerikan që luftoi në Irak.

 

***

Letërkëmbimi im me James Perkins mund të kish mbetur ekskluzivisht―dhe përjetësisht―pjesë e kujtimeve të mia, i panjohur për askënd tjetër. Në fund të fundit, si çdo letërkëmbim, edhe ky është një komunikim personal mes dy individësh njerëzorë, të cilët, për më tepër, në këtë rast kanë kombësi, moshë, status dhe profesion të ndryshëm nga njëri-tjetri. Por, si sociolog dhe si diplomat, letrat e studentit tim amerikan ushtar në Irak, James Perkins, janë më shumë sesa një komunikim i thjeshtë i një studenti me ish-profesorin e tij të marrëdhënieve ndërkombëtare. Këto letra, nga një perspektive sociologjike dhe njerëzore krejt e veçantë, janë një pasqyrim i një prej ngjarjeve më të mëdha politike me të cilën nisi shekulli i 21-të: Lufta në Irak.

Në imagjinatën time sociologjike―dhe unë shpresoj në imagjinatën sociologjike të secilit prej jush, lexues të nderuar―të cilën C. Wright Mills e kuptonte si atë “aftësi të mendjes” që na mundëson të kuptojmë mënyrat se si biografia e një individi ndërthuret me rrjedhën e zhvillimeve historike dhe se si ne mund t’i shohim shqetësimet tona personale si pjesë të problemeve më të gjëra të shoqërisë në të cilën jetojmë, letrat e James Perkins-it përbëjnë një dokumentacion sociologjik shumë interesant për këdo që mund të jetë i interesuar të kuptojë ato çfarë mund të quhen nuts and bolts në jetën e një ushtari që i shërben fuqisë më të madhe të globit. Nga ky këndvështrim sociologjik, i inkurajoj lexuesit të reflektojnë mbi përmbajtjen e këtij dokumentacioni, duke e parë atë si një produkt të lidhjeve dhe të ndërveprimit midis biografisë së ushtarit James Perkins dhe zhvillimeve e tendencave historike kryesore të kohës sonë, midis preokupimeve të tij personale dhe zhvillimeve globale bashkëkohore.

Letërkëmbimi me ish-studentin tim amerikan Perkins, i cili iu bashkua për të dytën herë trupave amerikane në Irak, zgjati―me shkëputje të herëpashershme që janë të kuptueshme në kohë lufte―për gati dy vjet. Letra e tij e fundit mban datën 3 janar 2008. Pas kësaj date unë humba ç’do kontakt me të dhe, sado që jam përpjekur, gjatë këtyre viteve, nuk kam mundur të gjej dot asnjë gjurmë të tij. Uroj me gjithë shpirt që ai të jetë kthyer nga ajo luftë shëndoshë e mirë, në familjen e tij, në Miçigan, dhe të ketë nisur një jetë dhe një karrierë të re të suksesshme. Ai kishte çdo virtyt dhe çdo aftësi për të qenë i suksesshëm në çdo gjë―në kohë paqeje dhe në kohë lufte.

Më poshtë letërkëmbimi vijon në rend kroologjik.

 

E martë, 25 prill 2006

Zotëri, E ndjeva të nevojshme t’ju shkruaj këto radhë për t’ju falënderuar juve dhe bashkëshorten tuaj për mikpritjen bujare që na rezervuat mbrëmë mua dhe shokëve të mi të kursit në shtëpinë tuaj.

Dëshiroj, gjithashtu, t’ju falenderoj për dijen—që për shkakun tuaj dhe përmes jush—unë kam marrë gjatë semestrit të shkuar në EMU. Unë ndershmërisht besoj se pas përfundimit të kursit që ndoqa me ju, kam tashmë njohuri shumë më të gjera e më të thella për çështje ndërkombëtare, sidomos për çështje që kanë të bëjnë me Bashkimin Europian—me të kaluarën, me të sotmen dhe me të ardhmen e tij në bashkësinë ndërkombëtare dhe në skenën e politikës globale.

Unë kam pasur fatin dhe kënaqësinë të marr leksione nga shumë profesorë të nderuar e të shkëlqyer, por në mënyrë të veçantë më kanë tërhequr dhe kam vlerësuar leksionet që kam marrë nga ju. Ju jeni një vlerë e çmuar jo vetëm për EMU, por edhe për vendin tuaj, Shqipërinë.

J’u uroj juve dhe familjes tuaj fat dhe mbarësi në të ardhmen. Do t’ju mbaj vazhdimisht të informuar mbi situatën time dhe herë-herë do të përpiqem t’ju dërgoj edhe foto nga jeta ime e re në Irak.

Edhe një herë, ju falenderoj shumë për gjithçka që keni bërë për mua dhe për studentët e tjerë.

Me urimet më të mira!

1LT James E. Perkins

([email protected])

 

E martë, 25 prill 2006

Përshëndetje James,

Të falenderoj për fjalët e tua të ngrohta. Për mua, gjithashtu, ishte një kënaqësi e veçantë që zhvillova atë kurs leksionesh me ju dhe jam ndier i nderuar që në atë klasë kisha edhe një student si ti. Unë e kam shijuar çdo minutë gjatë semestrit të kaluar duke i ndarë diturinë dhe eksperiencën time me ju. Pas shtatë vitesh në shërbimin diplomatik të vendit tim, si ambasador i Shqipërisë në dy prej demokracive më të mëdha, në Shtetet e Bashkuara dhe në Hollandë, jam i kënaqur që tashmë jam kthyer sërish në vokacionin tim të vërtetë, në academe. Mendimet dhe lutjet e mia do të jenë gjithmonë me ty, në Irak, ku ti po shkon për t’i shërbyer vendit tënd dhe për të ndihmuar popullin irakian që të ndërtojë një të ardhme më të mirë për veten e tij.

Unë e di se ju, amerikanët—dhe aleatët tuaj, ndër të cilët bën pjesë edhe vendi im—nuk mund të bëni dot gjithçka për t’i dhënë popullit irakian atë që ai meriton, një shoqëri demokratike e të begatë, por di, gjithashtu, se pa ndërhyrjen dhe pa sakrificat tuaja, ai popull do të ishte ende nën sundimin despotik të Sadam Huseinit dhe shpresoj që prania, përpjekjet dhe ndihma juaj ta bëjnë më të lehtë transformimin e atij vendi.

Të falënderoj nga zemra për shenjat (insigniat) e tua që më dhurove mbrëmë. Ato janë, ndoshta, dhurata më e çmuar dhe më kuptimplotë që më është bërë deri më sot. Ndërkohë që po shkruaj këto radhë, ato janë mbi tryezën e punës këtu në zyrën time, në pritje që të vihen në një kornizë, siç e meritojnë të ruhen. Do ti marr kudo me vete këto shenja dalluese, si një simbol kuptimplotë i miqësisë sonë. Të lutem më informo mbi jetën tënde kudo që të të shpjerë ajo.

Miqësisht, Fatos Tarifa

([email protected])

P.S. Punimin tënd të kursit mbi politikën militariste të Kinës dhe mbi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj saj e lexova mbrëmë. Një punim i shkëlqyer. E vlerësova me notën A.

 

E hënë, 19 shkurt 2007

I dashur Dr. Tarifa,

Po ju shkruaj këtë mesazh të shkurtër sa për t’ju informuar se unë tashmë jam në Kuvajt dhe do të qëndroj këtu për pak kohë. Na duhet të stërvitemi edhe për disa ditë që të kryejmë tërësisht programin para se të lëvizim drejt veriut, për t’iu bashkuar njësive tona në Ramadi (Irak). Kampit në të cilin po qëndrojmë nuk i mungon asgjë: Taco bell, Chinese food, një PX (Post Exchange (dyqan ushqimesh dhe mallrash të ndryshme për ushtarakë), qendra rekreative, palestra, pothuajse gjithçka që është e domosdoshme. Do ju shkruaj sërish pas pak ditësh kur të kem më shumë për t’ju thënë.

Jim.

 

E hënë, 19 shkurt 2007

Përshëndetje Jim,

Ishte kënaqësi të merrja mesazhin tënd dhe të mësoj se je shëndoshë e mirë dhe, si gjithmonë, optimist. Shpesh herë kam menduar për ty dhe u kam folur për kursin tuaj të mrekullueshëm vitin e kaluar njerëzve të familjes, shokëve e miqve të mi, si dhe studentëve të mi këtu, në EMU. Unë vazhdoj të jem në Ypsilanti, edhe pse ime shoqe dhe unë kishim menduar të zhvendoseshim në Ann Arbor, dhe besoj se do të qëndrojmë këtu edhe ndonjë vit. Ende nuk kemi vendosur nëse do të kthehemi në Shqipëri apo do të vazhdojmë të jetojmë e të punojmë këtu, ose në ndonjë shtet tjetër të Shteteve të Bashkuara, nëse unë filloj punë në një universitet tjetër. Më njofto, të lutem, adresën tënde të re, pasi të largohesh nga Kuvajti, si edhe për zhvillime të tjera që kanë të bëjnë me jetën dhe karrierën tënde në Irak e më pas.

Mua nuk më është dhënë rasti të të them, gjatë kohës që i jepja mësim kursit tuaj në EMU, se unë e çmoj patriotizmin dhe vendosmërinë tënde për t’i shërbyer kauzës së lirisë e të progresit për popullin irakian. Në muajt e fundit të shërbimit tim si ambasador i Shqipërisë në Uashington, këtë sentiment timin dhe të qeverisë shqiptare e kam shprehur publikisht me forcë në një artikull të botuar në gazetën The Washington Times (25 mars 2005). Në atë artikull kam shkruar se: “Lajmi i disa javëve më parë se Shqipëria—një vend i vogël, me mundësi të kufizuara—do të dërgonte 50 trupa të tjerë, të stërvitur mirë, në Irak, ishte një surprizë për shumë vëzhgues kur, në të vërtetë, nuk duhej të kishte qenë i tillë. Shqipëria ishte një prej katër vendeve të para që dërguan trupa luftuese në operacionin “Liri për Irakun”. Shqipëria është, ndoshta, vendi më proamerikan në botë. Që në fillim, ky vend e tregoi mbështetjen e tij për Shtetet e Bashkuara kur dërgoi 70 trupa komando, të cilat iu bashkuan përpjekjeve të Koalicionit të Vullnetit për të sjellë paqe, stabilitet dhe zgjedhje të lira në Irak. Këto trupa të reja e rrisin në 120 numrin e ushtarëve shqiptarë që shërbejnë në Irak.

Pse e bën Shqipëria këtë kur mund ta kishte evituar t’i përgjigjej thirjes së Presidentit George W. Bush për mbështetje, ose kur mund të ishte mënjanuar, siç bënë të tjerët, kur situata u ashpërsua? Përgjigjja nuk është e vështirë. Kush beson te liria, beson se duhet luftuar për të. Dhe kush beson në luftën për liri, beson tek Amerika. Ndryshe nga shumë njerëz në Europë dhe gjetkë, populli shqiptar nuk e ka harruar se çdo të thotë të jetosh në tirani dhe në shtypje. Shqiptarët, për mëse 40 vite, kanë jetuar të nënshtruar nga forcat represive të komunizmit, duke jetuar si të burgosur, pa të drejta në vendin e tyre. Të etur për liri, shqiptarët e shihnin me frymëzim Amerikën në ato vite të errëta, dhe amerikanët nuk na braktisën. Ne, shqiptarët, jemi një komb liridashës, që e dimë se ç’do të thotë të jetosh i shtypur. Kjo është arsyeja përse i mbështesim përpjekjet për të çliruar popullin irakian. Dhe, megjithëse jemi një vend i vogël, me një ushtri të vogël, ne ndihemi krenarë që qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë në luftën për t’i dhënë fund mbretërisë së frikës në Bagdad.

Europa është një rajon i vogël dhe është e vështirë që të mos ndeshesh me Historinë në çdo hap që bën. Është gjithashtu e vështirë të mohohen, ose të mos vihen re kontributet historike të Shteteve të Bashkuara në mbrojtje të lirisë në këtë kontinent. Kudo në Europë—në Francë, në Itali, në Belgjikë, në Hollandë dhe në Luksemburg—ka varreza të mbushura me trupat e ushtarëve amerikanë që ranë në betejë për të çliruar Europën në të dy luftrat botërore.

Edhe pse në ditët tona nuk është e modës të flitet për këtë, fytyra e Europës do të kishte qenë shumë e ndryshme sot po të mos kishin qenë amerikanët që dhanë jetën e tyre duke u përleshur me ushtrinë naziste në plazhet e Normandisë. Po të mos kishin qenë amerikanët, ka shumë mundësi që sot të mos kishte Francë, apo Britani të Madhe, apo Belgjikë, ashtu siç i njohim ne këta vende sot. Po të mos kishin qenë Shtetet e Bashkuara, ka shumë mundësi që sot të mos kishim vende të lirë në Ballkan. Duke e angazhuar Shqipërine në Koalicionin e Vullnetit, kryeministri shqiptar u kërkoi kolegëve të tij liderë të Europës që të vizitojnë Normandinë për të parë me sytë e tyre se çfarë ishin të vendosura të bënin Shtetet e Bashkuara në emër të lirisë. Të gjithë duhet ta vizitojmë Normandinë. Ne duhet t’u bëjmë homazh atyre amerikanëve trima që u përleshën në bregdetin e Omaha Beach duke dhënë jetën e tyre për lirinë e të tjerëve. Ajo që të habit është se amerikanët janë gati ta bëjnë këtë përsëri.

Dhe pa dyshim ishte përpjekja e NATO-s, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ajo që i vuri fre diktatorit serb Slobodan Milosheviç dhe fushatës së tij të pastrimit etnik në Kosovë, duke provuar para gjithë botës se, në emër të lirisë, Shtetet e Bashkuara janë gati të luftojnë për lirinë e të shtypurve, pa dallim feje dhe besimi. Kështu ndodhi edhe me Irakun. Rëndësia e përpjekjeve të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për të çliruar Irakun dhe për të vendosur një qeveri demokratike për të parën herë në historinë e këtij vendi nuk mund të nënvleftësohet. Nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara janë ndeshur me kamikazë dhe vrasës masash në kurthin e kulteve të tyre të vdekjes. Kamikazët japonezë gjatë Luftës së Dytë Botërore u përpoqën të bënin me Amerikën të njejtën gjë që terroristët po përpiqen të bëjnë sot në Irak. Kamikazët dështuan atëherë dhe, po kështu, do të dështojnë edhe terroristët sot. Japonia u bë një demokraci; kjo do të ndodhë edhe me Irakun. Ndryshimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe terroristëve islamikë është ky: terroristët eksportojnë vdekje. Amerikanët eksportojnë liri. Surpriza, pra, nuk është në vendimin e qeverisë shqiptare për të dërguar më shumë trupa në Irak. Surprizë do të kishte qenë nëse shqiptarët nuk do ta bënin këtë.

Të jesh i sigurt, Jim, se nëse për këtë subjekt do të më duhej të shkruaja përsëri sot, unë nuk do t’i hiqja asnjë presje tekstit që kam shkruar dy vite më parë. Urimet më të mira për ty dhe shokët e tu!

Fatosi

 

E enjte, 22 shkurt 2007

I dashur Dr. Tarifa,

Artikulli juaj i botuar në Washington Times është mbresëlënës dhe inspironjës për çdo ushtar amerikan që lufton në Irak. Ju falenderoj për mbështetjen tuaj, të popullit dhe të qeverisë shqiptare. Dëshiroj t’ju pyes, nisur nga diskutimet tona në klasë, në pranverën e vitit të kaluar, se cili është mendimi juaj lidhur me çështjen e armëve atomike në Iran? Unë nuk kam qenë në gjendje ta ndjek nga afër debatin mbi këtë çështje, pasi këtu jemi shumë të zënë. Eventualisht do të nisemi për në Ramadi, në provincën Anbar, në perëndim të Bagdatit.

Ajo që unë di, deri tani, është se armiqtë me të cilët do të më duhet të ndeshem atje nuk janë rebelë vendas, por grupe si al-Qaeda, që veprojnë në Irak, dhe xhihadistë të tjerë të huaj. Kjo ka të mirën dhe të keqen e saj. Këta grupe, ndryshe nga grupe të tjerë që veprojnë në sektorë të ndryshëm, janë të vendosur të rezistojnë dhe të luftojnë deri në fund. E mira është se kjo e bën më të lehtë për ne që t’i gjejmë dhe t’i asgjësojmë ata, por edhe e bën më të vështirë këtë detyrë, pasi i rrit mundësitë që ne të humbasim shumë nga personeli ynë. Ajo që ka rëndësi, sidoqoftë, është se unë nuk kam as më të voglin dyshim se kush është armiku ynë: ata me të cilët do të ndeshem janë përfudimisht dhe nga çdo pikëpamje njerëz shumë të liq dhe jo thjesht guerrilas vendas të llojeve të ndryshëm.

Si jeni ju vetë dhe familja juaj? Si janë babai dhe djemtë tuaj? Shumë e shumë herë kam menduar dhe vazhdoj ta kujtoj klasën që kemi zhvilluar së bashku në Universitetin e Miçiganit Lindor dhe ato ç’kam mësuar nga ju në atë klasë. Një mendje më thotë që, kur të lirohem nga ushtria, të bëj një Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe, ndoshta, edhe të synoj të bëhem anëtar i Kongresit Amerikan. Në fakt, nuk jam i sigurt se si do të mund ta arrij këtë, por gjithnjë ka një bazë nga e cila duhet nisur. Unë besoj se me eksperiencën time ushtarake dhe atë të fituar në luftë, si dhe me njohuritë e mia në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, mund t’i shërbej shumë mirë vendit tim.

Tani detyra më thërret, në vendin e shkretëtirës. Sidoqoftë, vapa e nxehtë ende nuk ka nisur; do të duhen edhe dy muaj.

Me respekt, Jim Perkins.

 

E diel, 25 shkurt 2007

I dashur Dr. Tarifa,

Ju dërgoj disa foto që i bëra dje, në një distancë qitjeje. Është pa dyshim ndryshe kur të duhet të ndalosh së qëlluari për shkak se në sektorin e qitjes tënde kalojnë deve. Nëse shihni me vëmendje në të majtë, në një distancë të largët nga pozicioni im, do të dalloni shumë deve. Nuk munda të bëj një foto më të qartë për shkak të rërës që era e ngrinte me tërbim drejt nesh. Do t’ju shkruaj sërish pasi të vendosem në kampin “Blue Diamond”, në Ramadi, javën e ardhshme.

Duke më parë mua në foto, ju me siguri habiteni me tërë këtë crap që kam veshur. Është “Marne Standard”. Divizioni i 3-të i këmbësorisë njihet si Divizioni Marne, dhe gjithçka që shihni në këtë foto, si veshje timen, është e detyrueshme për të gjithë, kurdoherë që dalim jashtë një ndërtese të blinduar. Kjo “uniformë” përfshin një helmetë balistike, një mburoje trupi antiplumb, syza antiplumb, doreza, gjunjëza dhe mbrojtëse bërrylash si dhe pajisje të tjera. Gjithçka që mbajmë veshur, sa herë që na duhet të dalim jashtë, rëndon afërsisht 30-40 pounds (afërsisht 13.5 deri 18 kg), pa llogaritur peshën e ujit, të fishekëve, të granatave etj.

Duke folur për këtë, ju lutem kujtohuni të falenderoni [znj.] Hillary Clinton për dhuratën e saj “bujare” të pllakave anësore për mburojen trupore interceptuese (IBA―interceptor body armor). Ato mbulojnë dhe mbrojnë vetëm një pjesë të vogël të trupit, por i shtojnë një TON peshës që ka sistemi ynë mbrojtës, i cili, edhe pa to, është shumë i rëndë. Nuk dua të më keqkuptoni; unë jam dakord me çdo gjë që i bën jetët tona më të sigurta, por kur vishesh kaq rëndë dhe të duhet të mbash kaq shumë peshë mbi trup, është e vështirë të lëvizësh siç duhet dhe lodhesh nga ngarkesa që të duhet të mbash me vete tërë ditën, aq sa unë pyes: a ia vlen e tëra kjo? Shumë nga ne pyesin nëse një veshje sigurie kaq e rëndë më shumë na ndihmon apo na dëmton? Unë, sidoqoftë, jam një ushtar dhe veproj siç më thonë, prandaj edhe pllakat anësore janë instaluar në veshjen time mbrojtëse.

Shpresoj që gjithçka shkon mirë për ju!

Miqësisht, Jim.

 

E martë, 27 shkurt 2007

I dashur James,

Të falenderoj për mesazhin tënd të fundit, si dhe për fotot e bukura që më dërgove. Përshkrimi që i bën veshjes së rëndë që ti dhe shokët e tu jeni të detyruar të mbani më bën të kuptoj edhe më mirë kushtet e vështira në të cilat jetoni, stërviteni dhe luftoni, si dhe rrezikun që ju rri mbi kokë sa herë që ju duhet të lini bazën tuaj. Unë sapo botova këto ditë në Ann Arbor, një libër që e kam titulluar Acrimonies of Transition: Private and Public. Ky libër flet, përgjithësisht, mbi atë sesi e kam përjetuar unë—dhe një pjesë e mirë e popullit tim—tranzicionin e vështirë të Shqipërisë nga regjimi komunist në një sistem pak a shumë demokratik. Ngjarjet që përshkruhen në të i përkasin periudhës 1992-1998.

Po kështu, vetëm pak ditë më parë, botova në një revistë akademike një artikull të gjatë (“Balkan Societies of ‘Social Men’: Transcending Gender Boundaries”) mbi një dukuri sociologjike dhe antropologjike tepër interesante, që në të kaluarën është ndeshur në Shqipëri dhe në disa zona të tjera të Ballkanit, por që pothuajse është zhdukur në ditët tona…Edhe pse ky subjekt paraqet mjaft interes akademik, në kuadër të debateve që bëhen sot mbi rolet gjinorë dhe seksualitetin human, ai është vite drite larg preokupimeve të tua dhe të shokëve të tu në Irak, dhe akoma më larg problemeve me të cilat përballen irakianët e thjeshtë në situatën në të cilën ata jetojnë.

Të uroj mbarësi! Fatosi

P.S. Dear James, ime shoqe ka kohë që dëshiron të të dërgojë diçka në Irak dhe më ka pyetur se në çfarë adrese mundet të ta postojë. A mund të më thuash të lutem?

 

E shtunë, 3 mars 2007

Përshëndetje Dr. Tarifa!

Ju dhe shumë nga të afërmit dhe shokët e mi në Miçigan më kanë kërkuar që t’ju dërgoj adresën time, ndaj edhe po ua bëj të njohur atë: 1LT James E. Perkins / HHT 5-7 CAV, S3 / APO AE 09346.

Të rejat nga fronti i luftës janë këto: Më në fund, disa netë më parë, kam mbërritur me helikopter në Ramadi. Ndodhem në një FOB (Foreword Operating Base—bazë e avancuar veprimesh), që quhet “Blue Diamond”, e cila gjendet buzë Lumit Eufrat, në krah të njërit prej pallateve të dikurshme të Sadamit. Nga pallati i dikurshëm nuk ka mbetur shumë, por pjesa më e madhe e kompleksit qëndron akoma në këmbë, së bashku me një hark gjigant që përshkon rrugën, në anën tjetër të saj, deri në vendin ku më parë ndodhej pallati.

“Blue Diamond” është një bazë e vogël, por nga çdo pikëpamje kjo është më e mira në të gjithë Ramadin. Kudo ka palma, aty-këtu ka pemë frutore dhe shumë irakenë. Ushtria dhe forcat policore irakene janë vendosur gjithashtu në të njëjtën bazë me ne, dhe unë nuk di ç’të them se si më bën të ndihem ky fakt. Sigurisht që ne ndjekim nga afër çdo lëvizje të tyre. Kur të më jepet rasti, do të bëj dhe do t’ju dërgoj disi foto pasi, deri më sot, kam qenë shumë i zënë. Këtu punoj në seksionin e planifikimit të operacioneve, duke ndjekur misionet dhe duke u kujdesur për çdo detaj të tyre. Zakonisht, punën e nis në 7 të mëngjesit dhe punoj deri në 10 ose në 11 të mbrëmjes. Kjo, përveç lodhjes, ka edhe një të mirë, sepse bën që koha të kalojë shpejt.

Ju uroj më të mirën! Jim.

 

E mërkurë, 14 mars 2007

I dashur Dr. Tarifa!

Këto janë disa prej zhvillimeve të reja në “Camp Blue Diamond”, këtu në Irak. Nëse i keni ndjekur lajmet në FOX News ose në CNN gjatë ditëve të fundit, mund të keni parë se kryeministri i Irakut dhe Gjenerali [Davis] Petraeus, i cili komandon të gjitha forcat ushtarake amerikane në Irak, vizituan Kampin “Blue Diamond”. Kryeministri erdhi të takohej me qeverinë vendore këtu dhe për të kjo ishte hera e parë që ai doli nga Zona e Gjelbër (Green Zone) [në Bagdat], për të mos thënë e para herë që erdhi në Ramad. Gjenerali Petraeus erdhi me një patrullë sulmi, së bashku me komandantin e brigadës.

Ju mund të pyesni se ç’ka të bëjë e gjitha kjo me mua? Unë u angazhova në planifikimin e sigurimit të tyre nga ana jonë. Kur ata mbërritën, unë shërbeva si liason mes forcave marinse, grupit të sigurimit të kryeministrit, ambasadorit amerikan dhe aktorëve të tjerë të angazhuar në këtë vizitë. Edhe pse unë nuk arrita t’i takoja ata, shpeshherë, gjatë vizitës së tyre, isha vetëm një hap larg tyre. Kam bërë një ton fotografish shumë të mira (disa prej të cilave i gjeni bashkëngjitur, kam xhiruar një video dhe kam ngrënë bakllava që s’di ç’të them se sa e mirë ishte. Ndërsa kryeja këtë detyrë, si oficer, përgjegjësia ime kryesore ishte që të sigurohesha se ushtarët e mi kishin gjithë kujdesin e duhur. Për mua, kjo do të thoshte që të vizitoja çdo pikë sigurimi dhe të sigurohesha që atyre nuk u mungonte asgjë, as ushqimi, as uji, dhe se çdo gjë me ta ishte në rregull.

“Blue Diamond”, siç ju kam përmendur edhe më parë, ndodhet pranë njërit prej pallateve të Sadamit. Gjatë luftës ne hodhëm një bombë JDAM 2000 paundëshe (rreth 907 kg) mbi të. Pjesa e pallatit që ka mbetur e padëmtuar përdoret aktualisht nga policia irakiane, por në tarracën e saj ne vendosëm disa skuadra snajperësh për të mbrojtur VIP-at që vizituan kampin. Ishte diçka krejt e veçantë dhe e vështirë të ngjitesha në tarracën e njërit prej pallateve të bombarduar me tërë këtë veshje të rëndë të armuar që kam. Sidoqoftë, pamja nga sipër ishte mahnitëse dhe ia vlente rrezikun e një ataku në zemër që mund të vinte nga mundimi i ngjitjes deri atje. Pjesa e brendshme e pallatit, edhe pas pesë vitesh braktisjeje, neglizhimi dhe ndotjeje totale nga ana e irakenëve (një grup njerëzish me të vërtetë shumë të pistë dhe të pakëndshëm), ishte përsëri tepër mahnitëse. Skulpturat në mermer që kanë mbetur, pikturat murale dhe mbetjet e ornamenteve në tavane ishin të gjitha spektakolare, edhe pse në mes të një pisllëku të paimagjinueshëm.

Në përgjithësi, ishte një ditë tepër e jashtëzakonshme. Mua m’u desh të garantoja sigurinë e disa VIP-ave të mëdhenj, të kontrolloja çdo cep të komplekseve të pallatit në të dyja anët e Lumit Eufrat, si dhe të kryeja shumë detyra të tjera që nuk janë pjesë e asaj çka unë bëj këtu në mënyrë rutinë çdo ditë. Fotot që ju dërgoj janë vetëm disa prej atyre që kam mundur të bëj: në njërën prej tyre kam dalë në hyrjen kryesore të pallatit, në një tjetër tregohet dëmtimi i pallatit nga bomba 2,000 paundshe, ndërsa fotoja tjetër është shumë argëtuese.

Shpresoj që punët tuaja të shkojnë mbarë dhe që ju të shijoni gjithçka të mirë që unë këtu nuk i kam mundësitë t’i shijoj: birrë, biftekë, ditë pushimi etj.

Të fala familjes dhe kolegëve tuaj në EMU. Jim.

 

(viojn nesër)

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *