Absurditet i FIFA-s, i “heq” pavarësinë Kosovës

redaktor

FIFA ka hedhur të tjerë hapa prapa në lidhje me Kosovën, madje duke i dhënë një goditje shumë të rëndë futbollit në shtetin më të ri të Evropës. Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur se në i ka mbërritur shkresa zyrtare nga FIFA në lidhje me vendimin e fundit të Komitetit Ekzekutiv për modalitetet e zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare për Kosovën. Informata në këtë shkresë është krejtësisht e ndryshme në përmbajtje, nga njoftimi i parë që është publikuar në sitin e FIFA-s. Në shkresën e dërguar nga FIFA thuhet se Kosovës i lejohet zhvillimi i ndeshjeve me grup-moshat e reja (që nënkupton U-15- U-21-23), përfaqësuesen e femrave dhe klubet e futbollit, por vetëm jashtë Kosovës dhe pa simbole shtetërore (Himn kombëtar e Flamur), por me himn e flamur të FIFA-s. Kjo, për Komitetin Ekzekutiv të FFK-së është plotësisht e papranueshme. Ndonëse nuk është e saktësuar paraqitja me atributet e Kosovës vlen vetëm për ekipet përfaqësueses.

Por, vendimi më i papranueshëm është ai që para zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, Federata Kosovare duhet të njoftojë paraprakisht Federatën Serbe. FFK ka reaguar menjëherë, duke i kthyer përgjigje FIFA-s se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Kosovare, Eroll Spahiu, është shprehur për mediumet kosovare se vendi i tij nuk do ta pyesë kurrë për ndonjë gjë Serbinë e aq më pak për futbollin.

Kërkesa e FIFA-s që Kosova të njoftojë më parë Serbinë është jo vetëm një hap i madh prapa në lidhje me anëtarësimin e Kosovës, por edhe krejtësisht e pavend. Një praktikë e tillë aplikohet vetëm për federata që përfaqësojnë territore të pavarur brenda një vendi sovran dhe anëtar i FIFA-s. Në rast se Kosova do të ishte ende pjesë e Serbisë, atëherë Federata Kosovare do të duhej të merrte leje, ose të paktën të njoftonte për Federatën Serbe. Mjetet kosovare të informacionit bëjnë të ditur gjithashtu se presidenti Fadil Vokrri ka kontaktuar menjëherë me njëshin e FIFA-s, Sepp Blatter dhe ky i fundit i ka premtuar se bëhet fjalë për masa afatshkurtra dhe gjithçka do të ndryshojë shumë shpejt. Është e qartë që të gjitha këto janë lojëra politike të vendeve të ndryshëm, ndërkohë që edhe UEFA nuk ka qenë dakord me miqësoret e Kosovës apo anëtarësimin e saj pa u bërë më parë anëtare e OKB-së, gjë ende e pamundur për shkak të kundërshtimit të Serbisë dhe Rusisë. Ndërkaq, numri i vendeve që njohin Kosovën si shtet është shtuar, pas njohjes nga Pakistani.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *