Aleksandar Vuçiq i ftuar në një studio televizive “RTS”, tha se Serbia nuk ka pasur përkrahje nga Shtetet e Bashkuara prej 30 vitesh dhe se dyert e SHBA kanë qenë të mbyllura deri në këtë moment.
Vuçiq deklaroi se shërbimet e Serbisë e dinin se do të kishte pika “të vështira për Serbinë”.
“Amerikanët dhe gjermanët krijuan Kosovën, jo zviceranët, natyrisht”, – tha ai.
Presidenti Vuçiq tha se Serbia kurrë nuk ka pasur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe se dyert e Shtëpisë së Bardhë ishin të mbyllura për serbët deri në këtë moment.
“Unë e di se si duken bisedimet në Shtëpinë e Bardhë. E di se çfarë presioni kishte mbi ne dhe ata”, – tha ai.
Siç deklaroi lideri i SNS-së, forca e Amerikës dihet dhe çfarë bënë ata për Prishtinën.
“Mjafton që ata të thonë – ne do të tërheqim forcat tona nga Kosova dhe ata (shqiptarët) do të bien dakord për gjithçka”, – thotë Vuçiq.
“Më besoni, ishte një luftë e vështirë, ne nuk fjetëm natën, kishim një përgjigje për gjithçka. Ata kishin mijëra letra që bartnin me vete”, – tha ai, duke shtuar se kishte bërë një punë të mirë për vendin.
Ai deklaroi se donte të arrinte “një fitore të vogël dhe të bënte gjëra të mira për fëmijët dhe të ardhmen e Serbisë”.
a.t / dita
