Studentët i kërkojnë strukturave qeveritare që të kthejë vëmendjen drejt një fenomeni problematik që po rëndon auditoret e fakulteteve, siç është mitmarrja. Duke shfrytëzuar “Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit”, rrjeti i studentëve i bën thirrjeve Qeverisë që të kthejë vëmendjen drejt këtij fenomeni problematik që po mban peng cilësinë në universitete. “Përmes Rrjetit të Studentëve Kundër Korrupsionit , ne kemi konstatuar një perceptim dhe prani ende të lartë të mitmarrjes në auditoret universitare.
Nga ky vëzhgim ne konstatojmë në nivel të lartë mosbesimin e studentëve për të denoncuar rastet e korrupsionit në universitet dhe kjo vjen kryesisht nga mosmarrja seriozisht e ankesës së tyre apo akoma më keq nga një hakmarrje e mundshme brenda stafit teknik apo pedagogjik në universitet”, thuhet zyrtarisht nga përfaqësuesit e këtij rrejti. Ndërkohë që të gjithë studentëve u është bërë thirrje që të denoncojnë të gjitha rastet e mitmarrjes në universitet dhe të mos kontribuojnë në degradimin e sistemit, duke i lënë ato të në heshtje, dhe vetëm si biseda në tavolinat e kafeneve.
Studentët më tej thonë se Qeveria duhet që në paketën integruese antikorrupsion të përfshihen dhe iniciativa ligjore që parandalojnë, luftojnë apo dënojnë mitmarrjen në arsim. “Vlerësojmë se fokusimi i qeverisë tek korrupsioni në universitet, mund dhe duhet bërë jo vetëm përmes aparatit shtrëngues hetimor e ndëshkimor, por edhe përmes fushatave ndërgjegjësuese për mospranimin dhe denoncimin e fenomenit”, thonë studentët.
