Vështirësitë e raportuara nga maturantët, kryesisht ata të rretheve vënë në pikëpyetje përfshirjen e anglishtes si provim i detyruar në provimet e Maturës Shtetërore për 2014. Problemet e konstatuara me njohuritë e nxënësve rreth gjuhës së huaj janë të mëdha, veçanërisht në shkollat e mesme të rretheve. Kjo situatë është raportuar edhe nga ministria e Arsimit Lindita Nikolla, sipas të cilës nuk është krijuar ende terreni i duhur për të dhënë anglishten apo gjuhet e tjera të huaja, si provime të detyruara që në maturën aktuale.
Ndërkohë që në udhëzimin e nisjes së vitit të ri shkollor 2013-2014, i cili mban firmën e ish-ministrit Myqerem Tafaj, për maturantët thuhet se matura e tyre do të përfshijë 5 provime të detyruara, ndërmjet të cilave edhe lënda e anglishtes (apo gjuhët e tjera të para). Por, pavarësisht këtij udhëzimi, autoritetet e arsimit bëjnë me dije se gjuha e huaj nuk do të jetë në listën e provimeve të detyruara për t’u dhënë nga maturantët e 2014-ës.
Kjo, për shkak të faktit se anketimi që është bërë në shkollat e mesme të vendit, por edhe nga raportimet e drejtorëve të shkollave është vënë re se maturantët kanë ende probleme të theksuara me njohuritë me gjuhët e huaja. Arsye, kjo më se e mjaftueshme për të përjashtuar gjuhën e huaj, veçanërisht anglishten nga lista e provimeve të detyrueshme të Maturës Shtetërore. “Grupet kanë reagimet e tyre të posaçme që vijnë kryesisht nga maturantët, por edhe nga drejtues të arsimit në të gjithë qarqet e vendit, që ndoshta ne në këtë vit jemi ende të papërgatitur në mënyrë që maturantët tanë të përballen në këtë maturë shtetërore më provimin e gjuhës huaj”, ka sqaruar gjatë ditës së djeshme titullarja e Ministrisë së Arsimit Lindita Nikolla.
Sipas autoriteteve të arsimit reforma e Maturës Shtetërore dhe gjuha angleze si pjesë e provimit shtetëror duhet të shikohen më në thelb dhe në brendësi. Kjo pasi fillimisht është e rëndësishme të identifikohet fakti nëse shkolla shqiptare është e përgatitur mjaftueshëm për ta bërë gjuhën e huaj pjesë të provimit të Maturës Shtetërore. Për vite të tëra me radhë maturantët veçanërisht ata të kryeqytetit i kanë besuar anglishtes si provim me zgjedhje, si mundësia më e mirë për të siguruar pikët më të larta, për shkak të vlerësimit të saj me koeficiente maksimalë nga autoritetet e arsimit. Konfirmimi është bërë në një konferencë të zhvilluar nga Këshilli Britanik. Drejtoresha e Këshillit Britanik, Aida Bërxholi, gjatë këtij aktiviteti vuri në dukje se mësimi i gjuhës angleze krijon mundësi më të mira punësimi,e për këtë Qeveria shqiptare duhet të përkrahë më shumë format e mësimit të gjuhës angleze.

ahahahahah
:P:P:P:D:D:D:D:P:P:P