Të hënën pasdite do të rikthehet tryeza e negociatorëve politikë, të cilët do duhet të reflektojnë në ndryshimet kushtetuese në ligjin e ri zgjedhor.
Damian Gjiknuri, i mandatuari i mazhorancës, ftoi dy opozitat të ulen përballë për të arritur një konsensus për hapjen listave dhe formulën e re të koalicioneve.
Opozitarët konfirmuan pjesëmarrjen, por në tryezën politike pritet të shkojnë me një kusht, mosprekjen e koalicioneve parazgjedhore, ndërsa për listat opozita jo parlamentare është e hapur për arritjen e një konsensusi me shumicën parlamentare.
Tryeza politike do të paraprihet nga një mbledhje e komisionit parlamentar të ligjeve të hënën e 14 shtatorit ku pritet të miratohet krijimi i një grupi pune për reflektimin e ndryshimeve kushtetuese, pasi komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore i ka përfunduar mandati. Me zgjedhjet parlamentare në prag, aktorët politikë duhet të nxitojnë për të miratuar rregullat e reja të garës elektorale, pasi këtë vit shqiptarët do ti drejtohen me shpejt kutive të votimit.
Do të votohet jo vetëm për partitë, por edhe për kandidaturat, ndaj si mazhoranca ashtu edhe opozita brenda dhe jashtë parlamentit duhet të vendosin si dhe sa do të hapen listat, sa kandidatë do të ketë në fletën e votimit, si do të shpërndahen mandatet për secilën zonë zgjedhore dhe po ashtu edhe për temën me të nxehtë të tryezës politike, koalicionet parazgjedhore. Socialistët ofrojnë si zgjedhje grupimin e opozitës në një listë të përbashkët, por kjo për opozitën jo parlamentare është pikë e pashpjegueshme.
a.t / dita
