Frank Riberi, Lionel Mesi e Kristiano Ronaldo janë zyrtarisht tre kandidatë finalë për të fituar “Topin e Artë”, këtë herë i paparashikueshëm si kurrë më parë. Në katër vitet e fundit “Topi” është fituar nga lojtari i Barcelonës, që sivjet nuk shihet si favoriti kryesor, i mënjanuar nga dëmtimi, ndërkohë që Riberi ishte frymëzues i Bajernit në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar dhe në pjesën e parë të sezonit aktual, ndërsa Ronaldo ka qenë veçanërisht në formë këto tre muaj, edhe pse nuk ka fituar asnjë trofe më 2013. Portugezi e ka fituar çmimin para se të niste dominimi i Mesit, më 2008, kur luante me Manchester United, ndërsa francezi nuk e ka fituar asnjëherë. Votimi u mbyll më 29 nëntor, pasi afati u shty nga FIFA, për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votime. Një vendim i tillë i ka shkuar për shtat Ronaldos, i cili shënoi katër gola në play-off kundër Suedisë, duke kualifikuar Portugalinë në finalet e botërorit. Fituesi i “Topit të Artë” do të bëhet i ditur më 13 janar në Zyrih të Zvicrës.
