ZGJEDHJET/ Një gjykim gjerman: Cila mendësi dekriminalizimi i duhet Shqipërisë?

Edlira Shehu

Shqipëria përgatitet për zgjedhjet parlamentare 2021. Drejtuesi i zyrës së Fondacionit gjerman “Konrad Adenauer” në Tiranë, Tobias Rűttershoff në një intervistë për DW flet mbi vettingun paraprak nga partitë për kandidatët e tyre.

I pyetur mbi këtë cështje ku mospërfshirja në këto lista e personave me rekorde kriminale në të shkuarën ka rinxjerrë në dritë emergjencën e dekriminalizimit të politikës në Shqipëri, të kërkuar kohët e fundit nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ku flitet qartë për përgjegjësinë e kryetarëve të forcave politike në garë, ai shprehet se “mendoj që kemi nevojë të mbështetemi në një sërë masash kur është fjala për mënyra efektive të dekriminalizimit të politikës në Shqipëri.

Këto përfshijnë ligjin e ri zgjedhor, presionin e shtuar nga zbatimi i ligjit dhe ndjekja penale – duke përfshirë edhe Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion, (SPAK) të sapoformuar, Byronë Kombëtare të Hetimit – si dhe një veting të kandidatëve politikë.

Individualisht, këto masa mund të mos jenë të mjaftueshme, por të kombinuara, shpresoj që ato të çojnë në një proces ku të zgjidhen kandidatë të kualifikuar dhe të respektuar, pa rekorde kriminale në të shkuarën e tyre. Në fund të fundit, kjo është ajo që pret publiku shqiptar. Prandaj, procedura e vetingut është vetëm një pjesë e një strategjie efektive për dekriminalizimin e politikës në vend”.

I pyetur gjithashtu se a mund të jetë efikas një vetting i tillë pararak nëse bëhet nga kryetarët e forcave politike, ose nga struktura apo komisione të ngritura nga partitë politike që do marrin pjesë në garën elektorale të 25 prillit 2021, Rűttershoff cilëson se: “kam parë formularin e Partisë Demokratike, (PD) që kandidatët duhet të plotësojnë. Janë mbi 30 fletë, ky formular duket shumë i gjerë dhe i plotë. Është e rëndësishme të vë në dukje që për plotësimin e këtij formulari, partia merr leje të kërkojë të dhëna të mëtejshme rreth kandidatit për deputet që e ka plotësuar.

Për shembull, Komisioni i Përzgjedhjes në PD mund të kërkojë informacion nga policia ose Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, (AIDSH)  Kjo mund të mos jetë e nevojshme në çdo rast, ndërkohë që ky informacion mund të merret nëse ka prova të thella se një kandidat ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale”.

“Nëse dikush jep informacion të rremë për veten e saj / e tij atëherë, ky person në të ardhmen nuk do të ketë justifikime. Prandaj, besoj që ndonëse është partia që bën vettingun, ky është një hap i parë drejt një dekriminalizimi më efektiv të politikës. Sigurisht që është më mirë sesa të mos bëhet asgjë”, cilësoi drejtuesi i zyrës së Fondacionit gjerman “Konrad Adenauer” në Tiranë.

 

e.sh/Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *