Sot, Organizata Botërore e Shëndetësisë, theksoi se niveli i transmetimit të COVID-19 është alarmant në Europë.
Ndërkohë, OBSH shpreh shqetësim edhe për lehtësimin e karantinës së vendosur ose të parashikuar në disa vende, përfshirë dhe Francën.
Drejtori i degës së Europës të OBSH-së, Hans Kluge tha se numri i rasteve të reja është më i lartë se në mars.
“Shifrat e shtatorit duhet të shërbejnë si alarm për të gjithë ne në mbarë Europën, ku numri i rasteve të reja është tashmë më i lartë se ai i regjistruar në mars dhe në prill”, deklaroi Kluge.
Nga ana tjetër, Organizata e OKB-së ka përjashtuar shkurtimin e rekomandimit të saj për një karantinë 14-ditore për të gjithë ata që kanë qenë në kontakt me virusin.
Catherine Smallwood, përgjegjëse për situatat emergjente në OBSH për Europën, tha se rekomandimi i karantinës bazohej në transmetimin e sëmundjes.
“Rekomandimi ynë 14-ditor i karantinës bazohej në kuptimin tonë të periudhës së inkubacionit dhe transmetimit të sëmundjes, ne vetëm do ta rishikonim atë bazuar në një ndryshim në kuptimin tonë të shkencës, që nuk nuk është rasti deri më tani”, u shpreh Smallwood.
h.b/dita
