Elbasani, i pari qytet që ndan ndihmën ekonomike me regjistër elektronik

redaktor

Krijimi i regjistrit elektronik të përfituesve pritet t’u japë fund abuzimeve me ndarjen e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë. Skema e ndarjes së kësaj pagese, e cila gjatë viteve të fundit është përfshirë nga abuzime të shumta do të pasohet më një sërë ndryshimesh që synojnë dërgimin e kësaj pagese tek përfituesit real. E pikërisht në funksion të kontrollimit të kësaj pagese, e cila duhet të shkojë vetëm tek familjet e varfra, vjen edhe krijimi i regjistrit elektronik të përfituesve.

Kjo nismë është konkretizuar gjatë ditës së djeshme, ku Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë prezantoi në Bashkinë e Elbasanit projektin për “Modernizimin e Ndihmës Ekonomike”, të mbështetur nga Banka Botërore, e cila ka për qëllim ndërtimin e një platforme që përfshin ngritjen e Regjistrit Elektronik të Përfituesve të Ndihmës Ekonomike.

Në fazën e tij të parë, projekti pilot për modernizimin e ndihmës ekonomike do të zbatohet në qarqet Elbasan, Tiranë dhe Durrës. Më pas, në një fazë të dytë, do të shtrihet në gjithë territorin e vendit, duke vijuar në të njëjtën linjë, do të shërbejë edhe për ngritjen e moduleve shtesë si “Ngritjen e Regjistrit Elektronik Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuar”. Risitë e këtij sistemi elektronik kombëtar të dhënash janë: “Përfshirje sociale më e gjerë e kategorive në nevojë, rritje të transparencës, rritje të cilësisë së shërbimit të ofruar për ndihmën ekonomike, shmangie të rasteve të abuzimit me skemën e ndihmës ekonomike dhe sistem pikëzimi për vlerësimin e ndihmës ekonomike”.

Në aktivitetin që shënoi fillimin e zbatimit të projektit për Qarkun e Elbasanit, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri, Edi Rama, ministri Erion Veliaj deklaroi se modernizimi i skemës së ndihmës ekonomike do të ndikojë ndjeshëm në uljen e abuzimeve si dhe në transparencën e aplikimeve nga qytetarët. “Po shkojmë drejt një sistemi dixhital, i cili është i lidhur me të gjitha databazat e tjera të qeverisë shqiptare, duke filluar me regjistrin e pronave, të biznesit, të tokave, pensioneve dhe sigurimeve shoqërore. Në këtë mënyrë, bëhet një skanim më i mirë i skemës dhe vitin tjetër synojmë që të ulim abuzimet në nivelin 15-20 për qind”, tha ministri Veliaj.

Ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se : “Ne do të bëjmë të mundur që fati dhe vendimmarrja për njerëzit realisht në nevojë mos të jetë më në dorën e një administratori, apo të një kryetari komune që merr për hunde një komunitet të tërë duke vendosur kë të dojë në këtë skemë. Kjo skemë do të jetë objektive, transparente dhe do të shmangi korrupsionin dhe pasojat e tij”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *