Policia e Shtetit ka një plan për drogën e Lazaratit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane, Alessandro Pansa ka takuar dje homologun e tij shqiptar, Artan Didi në kuadër të nisjes së programit PAMECA 4.
Pas këtij takimi, kryepolici u pyet edhe për çështjen problematike të Lazaratit, ndërsa pohoi se aktualisht po zbatohet plani i sekuestrimit të drogës së kultivuar dhe prodhuar, kurse sezonin e ardhshëm do të ketë një plan të detajuar për të penguar mbjelljen dhe më pas kultivimin. “Pameca 4 është për të pasur një mision të ri komunitar në rrugën e Shqipërisë drejt BE, për të përforcuar marrëdhëniet tona biletareale, që janë shumë të forta, por që mund të forcohen edhe më tej në luftën kundër krimit.
Policia shqiptare po bashkëpunon shumë mirë për monitorimin e hapësirave. Përveç kontrollit të ajrit dhe të detit për zonën e Ballkanit kundër drogës”, theksoi Pansa para gazetarëve pas takimit. Kurse Didi tha se është i kënaqur nga bashkëpunimi me misionin “Pameca”. Didi shpjegoi se Pasna erdhi në Shqipëri për ceremoninë e “PAMECA 4”, se dy palët konfirmuan që bashkëpunimi është i shkëlqyer, ka nisur që në vitin 1994, e do vijojë me intensitet më të lartë në luftën kundër trafiqeve, narkotikëve.
“Në këtë sfond, Lazarati është i përmendur dhe i trajtuar. Policia shqiptare është duke bërë plane, të cilat janë në zhvillim e sipër në zonën e Gjirokastrës dhe të tjera në Shqipëri. Këtë e tregojnë rezultatet e larta në bllokimin e lëndëve narkotike dhe në Lazarat po merren masa për të kufizuar, por më pas do shqyrtojmë për hapa të mëtejshëm”, tha Didi.
