Qeveria do të ndërhyjë nëse pakënaqësitë ndaj paketës antikorrupsion vazhdojnë. Ministri për marrëdhëniet me parlamentin Ilirian Celibashi, konfirmoi se po monitorohet ecuria e ndryshimeve në ligjin Antimafia dhe Kodin e Procedurës Penale në Kuvend, ndryshime të kundërshtuara haptazi nga ndërkombëtarët dhe institucionet e drejtësisë. ”Është një proces i cili është duke u shqyrtuar, duke vazhduar në Kuvendin e Shqipërisë. Është si të thuash tagri i Kuvendit për të mbajtur qëndrim në lidhje me këtë propozim të Qeverisë, por gjithsesi them që çfarë është duke u diskutuar në Kuvend dhe mund të them që Komisioni i Ligjeve është duke bërë një punë shumë të mirë në lidhje me konsultimin e këtij projekt-akti. Ju siguroj që nuk do të kaloj pa vëmendjen e Qeverisë, nëse ka gjëra që duhet të reflektojnë ne do t’i reflektojmë. Nuk do ta injorojmë nëse ka diçka që duhet të konsiderohet për ta përmirësuar këtë proces’,’ tha Celibashi.
