Ushqimi nuk mund të na sigurojë të gjitha vitaminat dhe kripërat minerale, për të cilat organizmi ka nevojë në drejtim të parandalimit të shumë sëmundjeve. Për personat që i përkasin grupit të gjakut A vitaminat bëhen të domosdoshme, pasi ky grup gjaku është më i ndjeshëm ndaj sëmundjeve të zemrës, anemisë, infeksioneve të ndryshme, problemeve me stomakun, si dhe kancerit. Hartuesi i studimit “ Të ushqehemi drejt sipas grupeve të gjakut”, Peter Dadamo, tregon se për këtë grup gjaku shtesat duhet të orientohen drejt vitaminave B12, e cila bëhet e domosdoshme për të rriturit dhe të moshuarit që të mos përballen me problemet sa i takon kujtesës. Gjithashtu të tjera vitamina që nuk duhen neglizhuar janë vitamina C, vitamina E, kalciumi dhe bimët mjekësore. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara këshillat e plota që nuk duhen neglizhuar sa i takon shtesave të vitaminave dhe kripërave minerale që duhet të marrin personat që kanë këtë grup gjaku. Roli i plotësimeve me vitamina, kripëra minerale, ose bimë mjekësore është që të sigurojnë elementët ushqyes dhe kurues që mungojnë nga dieta juaj, për t’i ardhur në ndihmë organizmit që të funksionojë në mënyrë të shëndetshme.
Vitamina B 12, ndihmon kujtesën dhe mbron zemrën
Personat që kanë grupin e gjakut A, duhet të bëjnë kujdes nga mungesa e vitaminës B12. Ky element mungon nga dieta ushqimore e grupit A, sepse gjendet kryesisht në proteinat shtazore dhe për më tepër njerëzit e grupit A kanë vështirësi të përvetësojnë vitaminën B12, sepse mungon ai që quhet faktori i brendshëm, një element që prodhohet nga cipa e stomakut, dhe ndihmon që të thithet vitamina B12 nga gjaku. Në njerëzit e moshuar mungesa e vitaminës B 12, mund të shkaktojë humbje të kujtesës dhe dëme të tjera nervore. Shumica e vitaminave të tjera B gjenden në dietën e grupit të gjakut A. Nëse dikush vuan nga anemia, duhet të marrë një dozë të vogël shtesë të acidit folik. Njerëzit me probleme zemre të grupit A duhet të pyesin mjekun e tyre për një shtesë të “niasinit”, sepse “niasini” ndihmon në uljen e kolesterinës. Ushqimet më të mira që kanë në përmbajtje vitaminë B 12 janë drithërat e plota, salca e sojës, peshku dhe vezët.
Vitamina C mbron nga kanceri i stomakut
Njerëzit e grupit A kanë mundësi më të larta të shfaqjes së kancerit të stomakut, për shkak të niveleve të ulëta të acideve të stomakut, e për këtë mund të ndihmohen duke marrë shtesë vitamine C. Për shembull kripërat nitrike, që ndodhen në mishrat e tymosura, dhe përpunimet e tyre mund të shkaktojnë probleme për njerëzit që kanë këtë grup gjaku, sepse veçoritë e tyre veprojnë keq në kushtet kur aciditeti i stomakut është në nivele të ulura. Ndërkohë që vitamina C me vlerat e saj antiokside e pengon një veprimtari të tillë. Por, kjo nuk do të thotë që duhet ta teproni me sasitë e marrjes së kësaj vitamine. Nuk duhet marrë më shumë se sa 1000 mg sepse ju trazon stomakun. Nëse merren dy deri në tre kapsula në ditë, jo më shumë se 250 mg atëherë nuk do të keni probleme me stomakun. Ushqimet më të mira të grupit A që janë të pasura me vitaminë C janë : ananasi, limoni, qershia, geipfruti, lulelakra, etj.
Vitamina E ndihmon zemrën
Ka të dhëna se vitamina E vepron si mbrojtës kundër kancerit dhe problemeve të zemrës, 2 probleme që shfaqen shpesh në njerëzit me këtë grup gjaku. Merrni një shtesë ditore jo më shumë se 400 IU. Ushqimet më të mira me vitaminë E janë : “Vajrat bimorë, drithërat e plota, farërat e thata dhe lakra jeshile”.Kalciumi, shtesa e rekomanduar për moshat e mesme
Dieta e grupit A përmban disa prodhime qumështi, kështu nevoja për kalcium nuk është aq e madhe sa në grupin 0. Sidoqoftë duke filluar nga mosha e mesme, mirë është të filloni të merrni një shtesë kalciumi 300-600 mg. Ushqimet më të mira me kalcium për grupin A janë kosi, qumësht soje, qumështi i dhisë, spinaqi, salmon konserve, sardele, lulelakër.
Hekuri, femrat kanë më shumë nevojë
Dieta e grupit A ka nivele të ulëta të hekurit që gjendet me bollëk në mishrat e kuq. Gratë e grupit A, sidomos ato me perioda të theksuara duhet të sigurohen që të marrin hekur. Por plotësimet me hekur duhet të merren gjithmonë nën vëzhgimin e mjekut, që ndjek ecurinë tuaj të shëndetit. Në vija të përgjithshme merrni sa më pak shtesa me hekur që të mundeni, dhe jo për një kohë të gjatë. Në dyqanet e ushqimeve organike, mund të gjeni “floradix”, një plotësim me hekur të lëngshëm dhe bimë mjekësore që përvetësohen mirë nga grupi A. Ushqimet më të mira nga mund të merret hekuri janë drithërat e plota, shega, fasulet e thata.
Bimët mjekësore qetësuese
Kamomili e valeriana luftojnë stresin
Grupi A mund të përdorë bimë qetësuese si kamomili, dhe rrënjë valeriane për të luftuar stresin. Këto bimë gjenden të gatshme dhe duhet të përdoren shpesh. Valeriana është pak e hidhur, por që me kohën mësohet si shije dhe bëhet shumë e dashur.
Vitamina A duhet shmangur!
Studimet e fundit kanë treguar se vitamina A në doza të mëdha mund të veprojë si pro-okside, duke shkaktuar dëme në inde, në vend që t’i ndalojë ato. Në këtë rast njerëzit me këtë grup gjaku duhet që të evitojnë marrjen e vitaminës A si shtesë, dhe të përdorin në vend të saj ushqime që përmbajnë karotinë. Një vërejtje që duhet mbajtur parasysh është edhe ajo që ka të bëjë me faktin se ndërsa plakemi mund të ulet aftësia jonë për të përvetësuar vitaminat që tresin yndyrat. Njerëzit e moshuar të grupit A mund të ndihmohen duke marrë doza të vogla shtesë me vitaminë A, të cilat do të ndihmojnë drejt neutralizimit të efekteve që çojnë në plakjen e sistemit imunitar. Ushqimet që janë të pasura me karotinë janë veza, kungulli i verdhë, karota, spinaqi, brokola etj.
Pershendetje ju lumt , shume shume shume !