Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Turmp, është dërguar në spital, më pak se 24 orë pasi ka rezultuar pozitiv për koronavirus. Ai po dërgohet në qendrën spitalore e ushtrisë amerikane Walter Reed pranë Uashingtonit për trajtim mjekësor kundër koronavirusit, njofton Shtëpia e Bardhë.
Sakaq, mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Sean Conley, ka thënë se një ekip mjekësh po punon për rekomandimet “në lidhje me veprimet e ardhshme më të mira”, shtoi ai.
“Presidenti është me humor të mirë, ka simptoma të lehta dhe ka vazhduar punën gjatë gjithë ditës. Nisur nga synimi për të qenë mëse të sigurtë dhe të kujdesshëm dhe bazuar në rekomandimet e mjekut të tij personal dhe të ekspertëve të shëndetit, presidenti do të punojë për disa ditë të ardhshme nga zyrat presidenciale në kompleksin Walter Reed. Presidenti Trump është mirënjohës për dashamirësinë dhe mbështetjen që ka marrë ai dhe Zonja e Parë,” tha në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany.
Të premten paradite, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Donald Trump po kalon simptoma të lehta të COVID-19, pas njoftimit se ai dhe gruaja e tij Melania kishin rezultuar pozitivë me COVID-19. Sakaq, presidenti e bëri njoftimin në Twitter ku tha se të dy do të fillojnë karantinën. Trump është 74 vjeç, dhe kjo e vë në rrezik më të lartë për komplikime serioze.
h.b/dita
